Kundërshtitë në shesh
Sekretari i Përgjithshëm i PDK’së, Jakup Krasniqi, ka shkuar edhe më larg në konfrontimet e tij me Hashim Thaçin.
Përveçqë nuk e ka votuar kandidatin e koalicionit për President, Jakup Krasniqi ka bërë cilësime të rënda për mënyrën sesi Hashim Thaçi udhëheq PDK’në.
Ka thënë se ai po e udhëheq partinë në formë totalitare. “Kemi shenja të totalitarizmit në PDK”, ka thënë Krasniqi, në një paraqitje televizive.
Kjo deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të PDK’së, për herë të parë tregon se tashmë në PDK ekzistojnë dy fraksione.
“Në PDK ka pasur një ngufatje të demokracisë, ngulfatje të debatit”, ka konstatuar Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës qe një kohë të gjatë ka mbajtur një qëndrim ndryshe prej shumicës së PDK’së, por asnjëherë deri më tash nuk është konfrontuar me Thaçin.
Por, gjithçka ndryshoi pas votimit të Behgjet Pacollit për President dhe kontestimit të tij nga një pjesë e zyrtarëve të PDK’së. Krasniqi vazhdon ta kontestojë zgjedhjen e
Pacollit në krye të shtetit, duke thënë se ai e mori mandatin në mënyrë jokushtetuese.
Por, disa zyrtarë të lartë të PDK’së mohojnë deklaratat e Krasniqit.
“Nuk ka absolutisht totalitarizëm në PDK. Tjetër është se secila parti është e koncentruar në emrin e liderit, por totalitarizëm në PDK nuk ka”, ka thënë Nënkryetari i PDK’së, Bajram Rexhepi.
Sipas Rexhepit, në PDK ka demokraci me bollëk.
“Bile në PDK ka shumë demokraci. Ne jemi të hapur edhe për kuadro të reja”, ka thënë Rexhepi për Express, të premten.
Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Ramë Buja, është shprehur se i respekton deklaratat e Krasniqit, por i sheh në frymë demokratike, si mendime ndryshe. Ai nuk beson se qëndrimet ndryshe të njerëzve kyçë të PDK’së do të shkaktojnë çarjen e partisë.
“Nuk do të thosha se po çahet PDK’ja, por ka mendime ndryshe, që janë shfaqur brenda partisë. Besoj se nuk është çarje, por mendim pak më ndryshe, që ka drejtë ta ketë secili”, ka thënë Buja për Express.
Pavarësisht dallimeve në PDK, Fehmi Mujota thotë se partia është e bashkuar.
“PDK’ja është shumë e bashkuar në koncepte dhe qëndrime. Mund të ketë mendime ndryshe, por absolutisht në të gjitha çështje është e bashkuar”,
ka thënë ai.
Shkëlzen Maliqi, analist politik, konsideron se çarjet brenda udhëheqjes së PDK’së tregojnë se Hashim Thaçi nuk e ka pushtetin e pakontestueshëm në parti.
“Ka pasur indikacione të shumta edhe më herët, se Hashim Thaçi nuk e ka autoritetin e pakontestueshëm brenda PDK’së. Ai është vetëm i pari ndër të barabartët- anëtarët e Kryesisë”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, deklaratat për autoritarizëm në PDK, nga ana e Jakup Krasniqit, tregojnë se në partinë e Thaçit tashmë kanë dalë në sipërfaqe fraksionet.
“Nuk di a është totalitarizëm apo janë fraksione brenda PDK’së, sepse shihet qartë se Jakup Krasniqi me një grup të vogël vërtet e kanë ndarë vendimin dhe kanë votuar kundër një propozimi që është votuar në Këshillin e Përgjithshëm”, ka thënë Maliqi.
Ai konsideron se fuqia e Krasniqit në PDK do të matet me numrin e atyre që do të ndjekin shembullin e tij.
“Deklarata e tij se presidenti është zgjedhur me vetëm 54 vota, është një thirrje e qartë për një çarje. Tash, a do të ndodhë apo jo, nuk mund ta parashikoj. Se çka do të bëjë ky grup i Krasniqit, krejt varet sa anëtarë i ka në PDK”.
Maliqi jep parashikime aspak optimiste për PDK’në, nëse ideja e Krasniqit gjen mbështetje të madhe në parti.
“Kjo është një situatë kritike. Varet se a do të çojë në përçarje më serioze, që të ndodhë diçka si në LDK. Po ashtu, varet sa do të jetë ai grup i madh. Nëse ndahen 3-4 veta, ndoshta edhe nuk ndikon shumë dhe mund të saldohet kjo situatë”, ka deklaruar Maliqi.