Kundërshtohen deklaratat e Krasniqëve

Deklaratat e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit bërë dje në Kuvend për verifikimin e deputetëve nga ana e Agjencisë kosovarë të Inteligjencës, janë votuar si të pa pranueshme nga ana e Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së. Por, goditjen më të madhe e ka marrë kryetari i Komisionit, Florin Krasniqi.
Komisioni për mbikëqyrje të AKI-së sot i ka vlerësuar si të paqëndrueshme deklaratat e Jakup Krasniqit kur ka thënë se AKI-ja nuk ka kapacitete për të bërë verifikimin e deputetëve. Ky komision po ashtu ka vlerësuar si të paqëndrueshme edhe deklaratat e kryetarit të komisionit, Florin Krasniqi i cili ka theksuar se anëtarët e këtij komisioni kanë qasje në dokumente sekrete. Kjo sipas komisionit paraqet shkelje të ligjit për klasifikimin e informacionit për verifikimin e sigurisë dhe shkelje të deklaratës së konfidencialitetit.
Kryetari i Komisionit, Florin Krasniqi ka insistuar që këto pika të mos hidhet në votim, pa e pasur transkriptin e mbledhjes së kaluar. Megjithatë ai në fund ka lëshuar pe, pasi të gjithë anëtarët kanë qenë për votim.
Kërkesën për votimin e pikave të lartpërmendura e ka paraqitur anëtari i Komisionit, Burim Ramdani, ndërkohë që Komisioni ka mbajtu mbledhje urgjente, pas mos procedimit të kërkesës së Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, nga ana e kryeparlamentarit Krasniqi.
“Dje AKI-ja është sulmuar nga dy njerëz, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe kryetari i Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi. I pari tha se AKI-ja është e pa aftë për të bërë verifikimin e deputetëve, kurse Florin Krasniqi i tha se Komisioni ka marrë çdo herë informata deri në sekrete nga AKI-ja. Nuk është e vërtetë që kemi marrë informata deri në sekrete dhe kjo është shkelje ligjore e deklarimit”, tha Burim Ramadani.
Edhe Imri Ahmeti nga LDK-ja, ka kundërshtuar deklaratat e kryetarit të kuvendit dhe Kryetarit të Komisionit.
Ahmeti tregoi se kanë marrë miratimin e Jakup Kraniqt që do të procedohet më kërkesën e tyre në Kuvend, por në fund u “tradhtuan”.
“Ne kemi qenë disa herë të kryetari Krasniqi, dhe ai na ka thënë se do të procedojë kërkesën tonë, por dje doli dhe tha të kundërtën. Diskursi që ka paraqitur ai në Kuvend është jo ligjor. Ai dje e ka fyer agjencinë dhe kryetari i Komisionit, Florin Kraniqi i'a ka miratuar atë”, tha Ahmeti.
Kryetari i Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi tha për Indeksonline se “të gjithë anëtarët e Komisionit janë në pajtim që të shkelet rregullorja dhe që ta politizojnë agjencinë”. Ai tha se anëtarët e Komisionit janë një lloj qenie që nuk dinë të bëjnë asgjë apolitike.
Ndryshe dje në Kuvend, Jakup Krasniqi ka treguar arsyen se pse ka zvarritur kërkesën për verifikimin e anëtarëve që e mbikëqyrin AKI-në. Një verifikim i tillë i është dukur i paarsyeshëm dhe nënçmues nga një institucion i pakonsoliduar, derisa ka theksuar se nëse anëtarët e komisionit kanë dyshim në vetvete, ata të mos pranojnë të jenë anëtarë të këtij komisioni./Indeksonline/