E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia refuzoi propozim-rezolutën e BE-së për Kosovën

Serbia e ka refuzuar propozimin e Bashkimit Europian që së bashku të hartojnë një rezolutë të re për Kosovën, që do t’i dërgohej Asamblesë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara pas shpalljes së mendimit të GJND-së.
Në takimin e krerëve të institucioneve të Serbisë, të kryesuar nga Presidenti Boris Tadiç, sipas gazetës “Blic”, që e transmeton “Telegrafi”, është vendosur që të mos pranohet propozimi i BE-së me arsyetimin se është shumë neutral dhe i papranueshëm për Beogradin zyrtar.

Propozimi i BE-së, që së bashku me Serbinë të hartojnë një rezolutë të re për Kosovën, e cila më pas do t’i dërgohej Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për Kosovën, nuk përmend fare statusin dhe as bisedimet rreth kësaj çështjeje.

“Propozimi, i cili Serbisë i është dorëzuar në formë të shkruar, nuk përmend fare bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës, andaj për neve është i papranueshëm”, ka thënë për “Blic” një zyrtar i lartë serb në kushte anonimiteti.

Ndërkohë, krerët e institucioneve të Kosovës kanë përsëritur të martën se Prishtina zyrtare është e gatshme të bisedojë për çështje teknike me Beogradin, por asnjëherë për çështje të statusit, i cili, sipas tyre, është vulosur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›