Gati për testin e arritshmërisë
Janë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet për mbajtjen e testit të arritshmërisë për klasat e nënta derisa pritet që rreth 36 mijë semi maturant t’i nënshtrohen këtij testi.
Ragip Gjoshi, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, ka bërë të ditur për Kosovapress se të gjitha përgatitjet për mbajtjen e testit të arritshmërisë kanë filluar në kohen e duhur, ndërkohë që tashmë është përcaktuar edhe grupi i ekspertëve që do të merret me administrimin e testit.
“Këtë vit kanë filluar përgatitjet me kohë, duke filluar nga grumbullimi i shënimeve pastaj riprovimet e nxënësve pastaj janë bërë përgatitje për mbajtjen e testit më 29 qershor dhe janë caktuar grupi i ekspertëve dhe njerëzit të cilët do të merren me administrimin e testit”, ka thënë Gjoshi.
Sipas Gjoshit, numri i shkollave profesionale dhe gjimnazeve është i mjaftueshëm për rreth 36 mijë nxënës aq sa pritet të regjistrohen këtë vit, megjithëse sipas tij hetohet një dukuri jo e theksuar e mos vijimit të femrave nga vendet rurale.
“Ne mendojmë se numri i shkollave të mesme profesionale, por edhe numri i gjimnazeve aktualisht sa kemi në Kosovë është i mjaftueshëm për të përfshirë të gjithë nxënësit që mbarojnë me sukses klasën e nëntë.
Po ashtu, hetohet një dukuri që nuk është shumë e theksuar apo është në rënie e sipër çështja e mos vijimit, sidomos të femrave të vendeve rurale ku janë larg shkollës”, ka thënë ai.
Por sipas tij edhe ky problem është zgjedhur tashmë në shumë komuna në të cilat janë ndarë mjete për ndërtimin e rrugëve dhe ofrimit të transportit për ta bërë më të lehtë udhëtimin e këtyre nxënësve për në shkollë.
Testi i arritshmërisë është vlerësim i jashtëm i standardizuar i organizuar nga MASHT ndërkaq me këtë vlerësim, veç tjerash, synohet që të ngritet cilësia në nivelin e arsimit të mesëm të ulët në Kosovë.
Qëllimi i vlerësimit të nxënësve të klasës së 9-të është që të sigurojë informata për arritjen e njohurive të nxënësve në nivelin e arsimit të mesëm të ultë dhe të orientojë ata për profile në shkollimin e mëtutjeshëm në arsimin e mesëm të lartë. /kosovapress/