E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veteranët të habitur për mos procedimin e ligjit

Nga Express më 26 qershor 2011 në ora 18:15

Janë bërë 35 ditë që kur një grup veteranësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vendosur me tenda para objektit të Qeverisë së Kosovës, po kërkojnë miratimin e ligjit për njohjen e vlerave të luftës.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë për Kosovapress se gjendja e tyre shëndetësore vazhdon të përkeqësohet çdo ditë e më tepër.

“Gjendja është keqësuar shumë e grevistëve, sidomos dy ditët e fundit e kemi një gjendje shumë të rëndë. Është dashur që emergjenca të intervenojë sot në orët e para të mëngjesit për tre grevistë dhe i kemi lejuar që të shkojnë në shtëpi të pushojnë të paktën deri të hënën, me gjithë kërkesat tona për arsye se nuk kanë dashur, mirëpo ne kemi kërkuar që të paktën deri të hënën të pushojnë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Qeriqi.

Ai ndërkaq e ka quajtur të pa arsyeshme vonesën e procedimit të ligjit për vlerat e luftës në Kuvend, me gjithë deklaratat e zëvendëskryeministrit të Kosovës Hajredin Kuçi se ligji do ta marrë “dritën jeshile”.

“Vetë zëvendëskryeministri së bashku me përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta tha se ligji do të marrë “dritën e gjelbër” në fillim të kësaj jave. Unë nuk i di arsyet pse nuk është proceduar ky ligj në kuvend. Ne një kopje të ligjit e kemi marrë. Ligji është i gatshëm, kështu që nuk mund t’i kuptojmë arsyet e zvarritjes”, shprehet Qeriqi.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë në muajin e dytë të qëndrimit të tyre në tenda para Qeverisë së Kosovës, ndërkaq ata nuk janë bindur as nga premtimet e drejtuesit e Qeverisë, as nga drejtuesit e Kuvendit që ta ndërpresin grevën, duke u shprehur këmbëngulës në vazhdimin e saj deri në miratimin e plotë të ligjit.

Ligji për vlerat e luftës ka vite që qëndron nëpër sirtarët e Kuvendit dhe të Qeverisë pa u miratuar për shkak të rrethanave të ndryshme, ndërkaq më me seriozitet është marrë në mandatin e kaluar, duke u miratuar në lexim të parë, mirëpo për shkak të shpërndarjes së Kuvendit pas prishjes së koalicionit PDK-LDK, ai i është kthyer sërish Qeverisë së Kosovës.

Kohë më parë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi e ka quajtur mbajtjen e grevës së veteranëve të luftës së UÇK-së të paarsyeshme, duke thënë se ligji për vlerat e luftës do të vijë së shpejti për miratim në Kuvend. /kosavapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›