'Beogradi synon modelin e Republika Srpska në Veri'
Pikënisja e Beogradit për ndarjen e Kosovës ka për qëllim krijimin e entitetit serb në veri, sipas modelit të Republika Srpska apo të ashtuquajturit Ahtisari plus, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala.
Së fundi, kryenegociatorja në bisedime me Beogradin ka paralajmëruar disa marrëveshje me Serbinë. Shala thotë se si opozitë nuk janë njoftuar me këto marrëveshje eventuale.
“Absolutisht asgjë nuk dimë, jo vetëm si politikan i opozitës, mendoj që opinioni kosovar është më i pa informuar se kurrë sa i përket bisedimeve Prishtinë-Beograd, as në kohën e luftës, as në periudhën kur është definuar statusi i Kosovës, nuk ka pasur kësi lloj bllokimi të informimit si sot, nuk e di me çfarë motivi, kryesorja është që nuk kemi informacion, aq sa dini ju, dimë edhe ne, edhe pse me rezolutën që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, zonja Tahiri është e obliguar që së paku një herë në tre muaj të raportojë. Kjo nuk ka ndodhur deri sot, me gjasë pret që të ketë një marrëveshje për gjashtë temat të cilat janë diskutuar dhe pastaj të na raportojë neve”, tha Shala.
Sipas tij, çështjet për të cilat është paralajmëruar që mund të arrihet marrëveshje, nuk mund të konsiderohen teknike.
“Duhet të themi hapur Jo. Jo për shkak të raporteve qeveri-opozitë, por për shkak të karakterit të raporteve Kosovë-Serbi, asgjë teknike në këto marrëdhënie nuk ka, sepse kemi të bëjmë me një kontekst të hapur midis Serbisë dhe Kosovës. Kosovë është bërë shtet, por Serbia fatkeqësisht është pjesë e këtij shteti në veri. Nuk duhet të kemi aq iluzion, dhe duhet të jemi të sinqertë edhe ndaj jush, edhe ndaj vetvetes, Serbia e kontrollon një pjesë të Kosovës. Prandaj, çfarëdo bisedime që kemi, kemi të bëjmë me bisedime të karakterit politik. Bisedimet e karakterit teknik, për shembull, kemi mes Kosovës dhe Maqedonisë, pas njohjes së Kosovës nga ana e Maqedonisë, sa i përket demarkacionit apo shënimit të kufirit. Edhe kjo është temë që ka prapavijë politike, por, midis Kosovës dhe Serbisë, midis dy shteteve të cilat nuk kanë kurrfarë marrëdhënie dhe përkundrazi, janë në raporte të hapura të konfliktit politik, nuk mund të ketë bisedime teknike”, shtoi ai.
Zyrtarë të Beogradit kanë paralajmëruar opsione të ndarjes, opsione të tjera, që implikojnë veriun dhe enklavat serbe. Shala thotë se kemi të bëjmë me skenar të qartë të palës serbe.
“Pala serbe ka hapur lojën, nëse mund të thuhet, me të ashtuquajtura temat teknike, për të treguar që është kooperative me Brukselin, jo me Prishtinën, caku i Beogradit është Brukseli, jo Prishtina, për ta marrë statusin e shtetit kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian, për t’i fituar zgjedhjet parlamentare në vitin e ardhshëm, pastaj do të shohim se si do të hapen letrat. Letrat do të hapen, sa i përket veriut të Kosovës, ku edhe sot e kësaj dite, ne, gati nuk na kalon dita pa e dëgjuar ndonjë deklaratë të një zyrtari serb, i cili pikërisht, flet për ndarjen e Kosovës, apo edhe për opsionin e shkëmbimit të territoreve, i cili është vetëm sa për të na joshur neve, për të biseduar për këtë çështje. Tema e ndarjes së Kosovës, definitivisht duhet të mbyllet. Nuk duhet assesi të diskutohet prej nesh, jo vetëm të bisedohet, por as të mendohet për këtë opsion. Çfarë mendoj që do të ndodhë në fund, është që Beogradi në fund do të thotë që ne e kemi pasur si pikënisje ndarjen e Kosovës, Kosova ka pasur si pikënisje opsionin Ahtisari, duhet ta gjejmë një rrugë të mesme. Rruga e mesme, shumë e rrezikshme, për mendimin tim, është rruga e krijimit të një entiteti serb, i cili do të ishte Ahtisari plus, apo Republika Srpska minus. Sidoqoftë, këta pluset e minuset, kur përbëhen së bashku, del një matematikë shumë e rrezikshme për Kosovën. Ne i kemi bërë, po themi, të gjitha kompromiset e duhura, koncesionet e duhura i kemi dhënë gjatë procesit të definimit të statusit, duhet të mbetemi këmbëngulës. Kosova, jo vetëm që duhet të mbetet shtet, në kufijtë e njohur për të gjithë, por Kosova duhet të bëhet shtet funksional. Nëse ka entitet serb në veri, Kosova përfundimisht nuk do të jetë shtet funksional”, theksoi ai.