E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërvajtësit nuk gjobiten!

Është e pranuar gjerësisht, pra ka marrë konsensusin e përgjithshëm, fakti që fjalët përcjellin gjendje emocionale, ajo çka quhet psikologjia e gjuhës. Domethënë një fjalë mund të ketë si gjegjëse të vet një ngjyrë, një aromë, shije etj. Në këtë kontekst për shkak të së kaluarës diktatoriale, fjala prokuror në opinionin e përgjithshëm të shqiptarëve do të thotë individ që të cenon të drejtat, të konfiskon pronën, të fut në burg, arbitrarisht, papërgjegjshmërisht, i urdhëruar politikisht dhe jo nga ligji. Në opinionin tuaj si mund t’i shpëtojmë kësaj gracke që na ngre e kaluara jonë?

Është e vërtetë, kjo lidhje mes një emërtimi apo fjale çfarëdo dhe diçkaje tjetër ose ndjesisë së efekteve që marrim prej saj, ekziston që ç’ke me të. Asociacione – i quan këto filozofia dhe psikologjia. Këtu përfshihen si lidhjet fjalë-fjalë, pra ku njëra fjalë të kujton tjetrën, ashtu edhe lidhjet fjalë-gjendje emocionale siç e quani ju, ku fjala e lexuar apo e dëgjuar të sjell ndërmend efektin ose ndjesinë e rrjedhur prej tij. Themi “pushime” dhe mendojmë detin, themi “shi” dhe fap mendojmë çadrën, themi “dentist” dhe mendojmë dhimbjen e dhëmbit, themi “stilist” dhe përfytyrojmë veshjet e modës, themi polic dhe mendojmë rendin, themi zyrtar dhe mendojmë shtetin, themi “opozitë” dhe mendojmë “rotacion” të pushtetit, themi “tender” dhe mendojmë (ishalla) rrugë e shkolla të reja, themi “prokuror” dhe mendojmë... çfarë? Këtë le ta shohim veçmas pak më poshtë.

Kjo lidhje madje, shkon edhe më tutje. Ajo na “sugjeron” edhe kundërveprimin që duhet të bëjmë në atë rast. Këtë na e ilustron më së miri fjala vjen, ajo shprehja e urtë “kujto qenin, bëj gati shkopin”. Reflekset e kushtëzuara p.sh. (që i pat studiuar me rrënjë Pavllovi) janë një formë e kësaj. Gjëra të tilla me sa di unë – i kanë gërmuar e ndriçuar më nge ndër shekuj studiues e shkolla të tëra filozofike dhe psiko-analitike. “Asociacion-izëm” më duket se quhet doktrina e përgjithshme mbi këtë fushë. Edhe “psikologjia e gjuhës” që përmendni ju, nën këtë ombrellë ka të ngjarë të gjendet. Po nuk ha shumë inat, sepse nuk është ndonjë fushë që e njoh mjaftueshëm. Shumë-shumë kam një ide mbi atë pjesë të teorisë që reflektohet tek teoritë e “marketingut”, ku në bazë qëndron koncepti i “behaviorizmit” (teoria e reagimit, të konsumatorit në rastin tonë).

***

Gjithsesi, për kaq sa na duhet sot, them se as që është nevoja që të shkundim pluhur librash duke gërmuar referenca. Referencë këtu është praktika e gjithsecilit. Sepse edhe vetë kjo teori mbi këtë bazë ngrihet: mbi bazën që procesi i të menduarit s’është veçse një lidhje mes gjërave që vijnë nga shqisat. Dhe këto lidhje mund t’i vërtetojë kushdo që ka shqisa. Ky vështrim, na çon pikë së pari tek një përfundim absolut, që nuk ka se si të mos pranohet nga të gjithë, si një aksiomë. Fjala është për atë që lidhjet (asociacionet) nuk mund të jenë unike, universale apo identike për të gjithë. Ato varen nga eksperienca individuale e gjithsecilit. Nëse dikush p.sh. ka pasur një qen besnik që dikur e ka shpëtuar nga mbytja në lumë, fjala “qen” do t’i kujtojë menjëherë fjalën “shpëtim” ose “jetë”. Ama një tjetër që pat ngrënë pesë shiringa “anti-tetanozi” pas kafshimit nga qeni i plehrave të lagjes, sigurisht që emri “qen” i sjell ndërmend krejt të tjera gjëra. Në ambiente, në rrethana, në nivele zhvillimi e në kultura të ndryshme, i njëjti nocion përkthehet në mënyra të ndryshme e prodhon perceptime të ndryshme. Ja të marrim postierin. Kushdo që ka dërguar një pako të vyer nga jashtë shtetit, dhe mëson se në destinacion ka mbërritur veçse një karton i shqyer, merret me mend ndjesia që ka për zyrtarët përkatës. Ama tek roli i famshëm i Kevin Kostneri, “Postieri”, ky zanat shikohet si zanafilla dhe guri themeltar i vetë shtetit.

Ose, është e vërtetë që dikujt në Britaninë e Madhe fjala vjen, fjala “polic”, mund t’i kujtojë direkt fjalën “rregull”, por diku tjetër fjala polic mund të asociohet më mirë me fjalën “gjobë” ose mbase edhe me fjalën “dajak”. Po kështu fjala “zyrtar” mund të lidhet më lehtë me fjalën “ryshfet”, fjala “qeveri” me “mafie”, termi “opozitë” me termin “letargji”, fjala “tender” me fjalën “korrupsion”, “plan rregullues” me “shkatërrim urban”, emri “kryeparlamentar” me “udhëtime jashtë shtetit”, kurse fjala “President” mund të na lidhet thjesht me fjalën “gjumë” etj. Edhe më qartë variacioni i kësaj lidhjeje duket tek sektorët dhe zanatçinjtë e shërbimeve, ku emërtimeve mund t’u korrespondojnë efekte krejt të kundërta nga ato që normalisht priten prej zanatesh të tilla. Emri “hidraulik” p.sh. mund të na kujtojë “përmbytjen”, “elektro-auto”-ja na kujton një makinë me zorrët përjashta, termi “shtruesi i pllakave” na kujton kodrat e brigjet, “elektricisti” – djegien e bolierit, ndërsa “okulisti” thjesht na ndërmend “qorrimin” nga syzet e dhëna gabimisht vite me radhë.

***

Ja ku i erdhi radha tani edhe emrit “prokuror”. Edhe këtu nuk ka se si të mos veprojë ai parimi universal. Që njerëz të ndryshëm ngacmohen ndryshe, nga i njëjti term. Kështu për njerëzit normalë, të rritur në shoqëri normale e që kanë eksperienca pak a shumë normale dhe sidomos që aspirojnë demokraci normale, fjala “prokuror” natyrisht që të kujton fjalën “ligj”. Një përkthim i ngjashëm i termit “prokuror” është edhe “mbrojtës i interesave të shtetit e shoqërisë”. Por pas kaq vjetësh përpjekje për demokraci, ai mund të sjellë ndërmend edhe nocione të tjera. Ti thua prokuror dhe nënkupton menjëherë “pushtet gjyqësor”, pastaj “ndarje pushtetesh” dhe kjo e fundit të “asocion” pastaj natyrshëm edhe vetë fjalën “demokraci”. Së paku këto janë kuptimet e para themelore të tij. Pikërisht mbi një kontekst të tillë duhet parë edhe nënvizimi i qartë i pardjeshëm i ambasadorit Withers II, mbi “ligjin” si “yllin polar” të prokurorëve dhe drejtësisë. Por edhe ai i djeshmi mbi demokracinë, si respekt ndërmjet pushtetesh, atë demokraci që është - siç u shpreh zoti ambasador – një gjë shumë serioze”. Jo më kot përfaqësuesi i lartë i shtetit amerikan foli dje për “demokracinë me vepra dhe jo me fjalë”, për “demokracinë jo si parullë, jo si klishe, jo si jo me kohë të pjesshme, jo kur t’ia kemi ngenë”. Dhe këtë ai e lidhi dje direkt me pavarësinë e institucioneve, posaçërisht të gjyqësorit e prokurorisë brenda saj.

Po edhe ju s’mund të them se nuk keni të drejtë me shtjellimin e shkurtër që duket në pyetjen tuaj. Nuk përjashtohet aspak që për plot njerëz konkretë, përmendja e fjalës “prokuror” të mos sjellë asnjë ndjesi tjetër përveçse asaj të tmerrit. Ose të neverisë, madje edhe të urrejtjes, deri edhe të hakmarrjes. Ndjenja njerëzore janë të gjitha këto. S’mund të jetë ndryshe me rastin e disa prokurorë të superzellshëm të diktaturës. Ata që kalonin edhe përtej vetë ligjit gjakatar të kohës. Të cilët në dëshirën për të rënë në sy, jo si profesionistë aspak, por si njerëz politikë, si “luftëtarë të paepur të kauzës së revolucionit”, si “të pamëshirshëm me armikun e klasës”, bënë e ç’nuk bënë. Ato që i dimë të gjithë. Po nuk është se me që ajo kohë shkoi e vate, tani nuk kemi më veçse “prokurorë të mirë”. Burra kristali që s’bëjnë veçse shikojnë në sy ligjin dhe vetëm ligjin. Që nuk shfrytëzojnë postin për para e përfitime. Që i japin gjithkujt hakun dhe vetëm hakun. Që janë rrezatojnë vetëm “shpresë për popullin dhe tmerr për krimin e kriminelët”. Kemi pra një vështrim të drejtë e “burimor” që s’mund të na sjellë veçse një “asociacion” pozitiv të fjalës prokuror, por kemi edhe këtë vështrim negativ, që gjithashtu vjen nga eksperienca. E atyre që kanë provuar në kurrizin e tyre padrejtësitë e gjëmat e prokurorëve. Ju thoni se kjo e fundit është “opinion i përgjithshëm”. Unë s’mund ta them aspak këtë pa pasur së paku rezultatet e ndonjë sondazhi të gjerë popullor. Përndryshe nuk do sillja veçse “asociacionin” tim krejt individual. Të gjithë e dimë që edhe aty është një komunitet njerëzish me interesa e me tundime. Që duhet vëzhguar e pastruar vazhdimisht nga brenda vetes, por edhe nga balanca mes pushteteve të tjerë. Por gjithsesi, askush nuk e gëzon të drejtën as si individ e as si pushtet i veçantë për të hyrë e bërë vetë një përmirësim të tillë. Ky është nënvizimi i radhës për kësaj here.

Në bursat kryesore të planetit çmimi i një fuçie nafte ka rënë me 60 dollarë, nga 147 në 80 deri 87 dollarë. Ndërkohë ky ndryshim nuk reflektohet në çmimin e karburanteve në vendin tonë. A ka ndonjë shpresë për shqiptarët se kjo situatë do të ndryshojë dhe cila është rruga?

E kemi cekur disa herë këtë çështje në dialogun tonë të përjavshëm. Nuk është pa vlerë t’i mëshojmë prapë. Jo vetëm sepse është një çështje shumë e ndjeshme për buxhetin e të gjithëve (zor se ka një qytetar të vetëm që direkt apo indirekt të mos ketë të bëjë me karburantet). Por sepse është edhe një çështje që dëmton shumë më tepër se kaq. Dëmton vetë imazhin e tregut dhe të ekonomisë së tregut si sistem. E paraqet shumë shumë keq atë. Madje, me kokëposhtë. Nga një sistem konkurrence që duhet të kishte për rezultat cilësi më të mirë të produktit e çmime më të mira në sajë të produktivitetit – ne shohim një sistem ku edhe cilësia, por sidomos çmimi, lënë shumë për të dëshiruar.

Cilat janë shkaqet? Ato nuk besoj se duhen kërkuar dhe aq tek tregu, sesa tek mosfunksionimi i tregut, tek moskryerja e detyrave “zhbllokuese” e mbikëqyrëse të tregut që duhet të realizojë qeveria. Të ishte faji i tregut, nuk do të reagonin kaq shpejt as bursat ndërkombëtare. Mirëpo ato reagojnë. E ngrenë dhe e ulin çmimin sipas kërkesës dhe ofertës. Sigurisht edhe sipas spekulimeve e ndërhyrjeve të tjera që lejojnë ose inkurajojnë qeveritë.

Këto rrënjë shkakësore na i tregon më së miri edhe një raport i fundit i një institucioni të rëndësishëm botëror, Forumit Ekonomik Botëror. Në raportin e ri mbi Konkurrueshmërinë Globale që nxori para disa ditësh, ky institut boton jo vetëm renditjen e përgjithshme të vendit tonë (që për fat të keq mban vendin 108 ndër 134 vende gjithsej), por edhe faktorët më konkretë që e shkaktojnë këtë prapambetje. Vlen të shqyrtohen mes të tjerash disa nëntregues që lidhen me mirëqeverisjen. E lëmë treguesin e Stabilitetit Makroekonomik, një tregues me të cilin si të thuash jemi mburrur vazhdimisht dhe jo fare pa të drejtë, ku megjithatë rreshtohemi më keq se të gjithë në rajon. Por shohim se ne rreshtohemi të parafundit në treguesin “Institucionet” (vetëm Bosnja na “e kalon” për nga dobësia) dhe atë për “Eficiencën e tregut” shqiptar. Dhe pikërisht këtu gjejmë dy shkaqe interesante që lidhen me çështjen në fjalë. Janë dy tregues që paraqiten vërtet në një nivel alarmant. Analiza e hollësishme e të cilave (me rrënjë e me degë) duhet të jetë detyrë parësore e administratës përgjegjëse. E kam fjalën për “Dominimin e tregut” dhe për “Efektivitetin e politikave antimonopol”. Jemi përkatësisht 8 dhe 9 pozicione larg nga “fundi i botës” (Chadi). Këtu duhet gërmuar pak, sepse këtu mendoj unë janë rrënjët që shpjegojnë më së miri ato pikëpyetje të përditshme që mundojnë njerëzit lidhur me cilësinë (p.sh. të gazit a karburanteve), por sidomos me çmimin e tyre, i cili s’bie për kiamet, edhe pse bursat botërore flasin për një pikiatë të tyre. Po karburantet s’janë aspak i vetmi mall që vuan nën këto simptoma monopoli e manipulimi të tregut. Një situatë të ngjashme kemi me disa kategori të tjera mallrash të importit. Nga tarifat e shërbimeve telefonike, që marrin aq shumë e aq lirisht nga xhepat tanë sa që janë bërë sponsorë gati të çdo aktiviteti kulturor e anti-kulturor që ndodh në Shqipëri. Ku gati çdo emision e rubrikë shtypi, (shpresoj të mos jetë edhe kjo ku po shkruaj unë tani) “mundësohet nga AMC”. Shumë flukse të tjera mallrash, ndërtimi e konsumi deri edhe frutat e zarzavatet, më shumë apo më pak, vuajnë nga një situatë e ngjashme monopol. Kjo tregon jo vetëm që organet e ngarkuara me mbikëqyrjen e tregut nuk po e bëjnë si duhet punën e vet. Më shumë kjo ngjan të jetë e lidhur me diçka tjetër. Që vetë këto organe të ndodhen nën presionin e pushteteve të tjera – më të larta, për të mos e prishur këtë komoditet të pushtetshëm të monopoleve shqiptare. Madje për të krijuar edhe zona të reja monopolistike. Ju theksoni mosuljen e çmimit –si pasojë. Unë do të thosha se jo më pak e rëndë është edhe pasoja në cilësi e në standardin e mallit që i shërbehet prej tyre konsumatorit vendas. Në një vend ku të gjithë bëjnë sikur inspektojnë. Por ku vetëm kundërvajtësit nuk gjobiten.

OKB-ja miratoi rezolutën serbe, ku i kërkohet Gjykatës së Hagës mendim mbi pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë paralelisht Mali i Zi dhe Maqedonia janë dy fqinjët që e njohën Kosovën. Po ashtu Arabia Saudite, vendi kryesor i Ligës Islamike njohu pavarësinë e Kosovës. Cili është komenti juaj për situatën?

Janë zhvillime krejtësisht të pritshme në rrugën e pavarësimit, që lidhen pikërisht me sa kemi shkruar e nënvizuar nja dy muaj të shkuar. Që me 17 shkurtin, pavarësimi i Kosovës nuk mbaron, por vetëm sa fillon. Që ulje-ngritjet, shtyrjet e vonesat janë pjesë e tij. Dhe që kohëzgjatja e tij varet nga shumë faktorë njëherësh. Ku krahas faktorit ndërkombëtar, një rol kyç do të ketë edhe aktivizimi më i mirë (se deri më tani), i gjithë aktorëve të shoqërisë kosovare, jo vetëm i zotërinjve Thaçi e Sejdiu.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›