E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi shtratin e Lanës, një trase tramvaji

Është pranuar gjerësisht, pra ka marrë konsensusin e përgjithshëm, fakti që fjalët përcjellin gjendje emocionale, çka e trajton ajo që quhet psikologjia e gjuhës. Domethënë një fjalë mund të ketë si gjegjëse të vet një ngjyrë, një aromë, shije etj. Në këtë kontekst, për shkak të së kaluarës diktatoriale, fjala «prokuror», në opinionin e përgjithshëm të shqiptarëve do të thotë individ që cenon të drejtat, të konfiskon pronën, të fut në burg arbitrarisht dhe papërgjegjshmërisht, i urdhëruar politikisht dhe jo nga ligji. Në opinionin tuaj, si mund t’i shpëtojmë kësaj gracke që na ngre e kaluara jonë?

Në këto intervista kam evituar të trajtoj çështje filozofike, sepse më është dukur se do të kishte pasur më shumë interes që lexuesi të shihte atje trajtesa më konkrete të ditës nga një qytetar si ai. Por, edhe përqasja juaj e sotme ndaj çështjeve të ditës, sipas një rrafshi filozofik dhe psikologjik ka vlerën e vet. Në këtë rrafsh, ju thoni se mos termi “prokuror”, edhe sot, në opinionin shoqëror, ende po ngatërrohet me atë të së kaluarës, kur ai jepte ndëshkime apo deklaronte dënime arbitrare.

Desha të them se për këtë nuk janë përgjegjëse fjalët. Gjykoj se opinioni shoqëror arrin ta bëjë dallimin midis statusit ligjor që ka apo duhet të ketë një prokuror në ditët tona, pra nëpunës i një shteti që mbështetet në një bazë ligjore demokratike, dhe prokurorit të dikurshëm, të sistemit totalitar, i cili ndonëse mbështetej në ligj, ligji arbitrar e linte krejt pa mbrojtje qytetarin, desha të them individin e ngratë. Unë i besoj pak asaj që kur është fjala për konceptet apo gjykimet politike, ekonomike, shoqërore etj., pesha e së kaluarës mbi opinionin e përgjithshëm është vendimtare. Raporti midis kujtesës dhe së sotmes, sikurse i besoj asaj filozofie që e trajton kështu problemin, mbetet i tillë si në formën e një hinke, ku ana e gjerë paraqet kujtesën e së shkuarës, ndërsa ana e ngushtë e hinkës, është e sotmja. Kujtesa e kaluar është aty, te baza e gjerë, asaj nuk ke sesi i shpëton, por, nga ana tjetër, nga ajo bazë e gjerë dalin jashtë vetëm ato prurje nga e kaluara që lejon ana e ngushtë e hinkës, pra aq sa lejon e sotmja. Me një fjalë jam duke sjellë një metaforë filozofike që ka përpunuar në veprën e tij “Matiere et Memoire”, mendimtari i viteve ‘30 të shekullit të kaluar, Henri Bergson. Mua më pëlqen filozofia e tij dhe i gjej vazhdimësi edhe në mendimin e sotëm perëndimor.

Historia bëhet nga e sotmja tek e shkuara. Historia na vjen nga larg në kohë. Kujtesa niset nga e sotmja për të shkuar drejt së shkuarës. Historia dhe kujtesa kanë pra dy kahe të kundërta me njëra-tjetrën. Nga e kaluara, kujtesa kolektive dhe ajo individuale nxjerrin vetëm ato kuptime që kanë të bëjnë me interesa dhe mënyra veprimi të sotme. Është pra interesi pragmatist i sotëm që na bën t’i japim atë apo atë kuptim fjalëve, sikurse edhe fjalës “prokuror”. Nëse kuadri i sotëm ligjor e lejon, nëse politikisht ka interesa, ky term mund të marrë ose jo kuptime që ngjajnë ose dallohen rrënjësisht me të kaluarën. Por, për këtë nuk është përgjegjëse e kaluara, por e sotmja.

Nuk i besoj determinizmit historik.

Nuk besoj se e kaluara ka fuqi ta përcaktojë të sotmen. Është e sotmja që e “thërret” nga e kaluara atë që i intereson. Komunistët ndjeheshin të “prangosur”, sikurse thoshin, nga “njollat e së kaluarës”, por kjo metodë e përcaktueshmërisë nga e kaluara vazhdon edhe sot, dhe merret edhe nga antikomunistët, por në fakt është e njëjta filozofi. Unë i besoj asaj filozofie sipas së cilës nuk është e kaluara që përcakton të sotmen, por është e sotmja që përcakton të kaluarën, që e ngjall, nëse do, që e ringjall, nëse i duhet, që e modifikon, nëse ka interes, që e lë në heshtje, nëse ia vlen.

Për sa u përket përmasave aktuale, të nënkuptuara, të pyetjes suaj, desha të them se për të mos e ringjallur kujtesën e së shkuarës, ka vend që reformat në fushën e drejtësisë të kryhen me koncepte të qarta dhe jo nga interesa politike të ditës, apo në mënyrë gjysmake.

Kam qenë dhe jam për një decentralizim të madh dhe të fuqishëm të institucionit të prokurorisë, ku çdo prokuror të ketë përgjegjësi të qarta dhe të veprojë në mënyrë autonome përpara dhe lidhur me një gjykatë rajonale të caktuar. Për mua, Prokuroria duhet të jetë ndërtuar në mënyrë të decentralizuar, ndërkohë që do të duhej të shtohej fort edhe fuqia dhe mjetet investiguese të gjykatave, që mund të kryenin hetime dhe administrime faktesh në mënyrë të pavarur nga ana e tyre, si edhe të pranohej një rol më i madh investigues i policisë. Për mua, në gjykatë, kur është fjala për çështje penale, duhet të përballeshin në mënyrë të barabartë përpara gjykatësit edhe prokurori, edhe avokati i të pandehurit, ose të dyshuarit, edhe shërbimet e policisë, edhe vetë informatat e mbledhura nga gjykatat. Kjo do të sillte në gjyq elementet e nevojshme të një transparence të plotë demokratike. Ky ka qenë koncepti im, sikurse kam folur për një ndarje funksionale midis politikës dhe drejtësisë, të cilat nuk mund të jenë të pashkëputura, por edhe jo të ndara me thikë.

Nuk mund të kthehemi në republikë të gjykatësve, pra ku pushteti i tyre të mos ketë mundësi balancimi, për t’u ruajtur nga arbitraritete, por nuk mund edhe ta politizojmë drejtësinë duke e kthyer në drejtësi të partive. Ky është një ekuilibër shumë i vështirë për t’u mbajtur, nuk mund të jetë asnjëherë perfekt, por në kërkim e sipër.

Sidoqoftë, unë jam që në gjykata të futen juritë qytetare. Të drejtat e individit të mbrohen shumë fort sidomos në periudhën e hetimit dhe të paraburgimit apo edhe të pyetjeve apo të përgjimit. Nuk e kam fjalën këtu vetëm për njerëz të pasur, sa kohë nuk janë shpallur të fajshëm, por në radhë të parë e kam fjalën për njeriun e thjeshtë, njeriun e madh - të vogël, të rrugës, që duhet mbrojtur me çdo kusht në të drejtat e tij demokratike, dhe pastaj, kur ai shpallet fajtor, të dënohet sipas ligjit. Nuk ka nevojë, do të thosha unë, që edhe çështje penale në aspektin ekonomik të trajtohen me ato masa urgjente dhe spektakolare sikurse mund të trajtohen me të drejtë çështje terroriste apo që vënë në rrezik sigurinë e vendit dhe të qytetarëve. Këtu ligjvënësit duhet të shikojë që të nxjerrë ato ligje që e mbrojnë qytetarin fort në procesin e hetimit dhe të paraburgimit. Komiteti i Helsinkit duhet të bëhet palë me qytetarin, edhe nëse ky del fajtor, sepse në procesin e hetimit ai është ende një individ juridikisht i respektuar. Ndërkohë, e ripërsëris edhe një herë idenë time të dikurshme, nuk kam lënë rast pa e ripërsëritur prej disa vjetësh, se posti i Prokurorit të Përgjithshëm është tepër nën një kontroll dhe vartësi parlamentare, sikurse edhe posti i kryetarit të KLD-së dhe ai i Presidentit nuk më duken se mund të mbivendosen në kuptimin e kërkesës së ndarjes së pushteteve brenda një republike parlamentare. Nuk është problemi me sot e me nesër, jam i bindur se nga këto aspekte që përmenda, edhe në të ardhmen do të vijnë presione nga politika mbi drejtësinë, do të vështirësohet puna e magjistratëve, do të ketë probleme politika, si edhe vetë të drejtat e njeriut.

Midis të drejtave të njeriut dhe shpejtësisë së proceseve të hetimit, unë i jap përparësi respektimit të të drejtave të njeriut në të gjithë gamën e tyre. Por, pa lënë mënjanë garantimin e forcës investiguese.

Respektimi i ligjit, patjetër, veçse në të gjithë gamën e përmbajtjes së tij procedurale dhe përmbajtësore. Respektimi i ligjit kërkon edhe ndëshkimin e veprimeve antiligjore të kujtdo qoftë, por edhe respektimin e të drejtave të individit, kushdo qoftë, lypsar, jevg, pedagog, ministër, çifut, çam, çek, e kështu me radhë. Por, të gjitha këto duhen bërë në rrugë ligjore dhe nuk besoj se është një rrugë e frytshme ajo e krijimit të Komisioneve Ad Hoc, parlamentare, që me të drejtë duket si një drejtësi “revolucionare”, politike, kundrejt një drejtësie “urgjente”, pra që nxiton, nën presionin e politikës. Çështjet zgjidhen në gjyq, në rrugë gjyqësore, dhe nuk mund të zhvendosen frytshëm si hetime nga gjyqësori drejt politikës. Sido që Kuvendi, nën shembullin e asaj që ndodh në demokracitë e mëdha, mund të ngrejë komisione hetimore, pa problem, gjithsesi nuk mund ta zëvendësojë pushtetit gjyqësor. Kur deputetë të ndryshëm investigojnë për bizneset dhe i gjejnë fajtorë, investigim, për rrjedhojë mund të bëjë edhe Kuvendi. Por, nuk ka vend për “gjykatës të huaj”. Nuk ka kuptim.

Nga media shihet edhe faktohet se drejtësia ndodhet sot nën presionin e politikës, nga të gjitha anët, edhe nga pushteti edhe nga opozitat, nga media që shpall fajtorë para hetimit apo të pafajshëm apriori, nga pushtete të ndryshme ekzekutive etj. Axhenda e medias, e politikës, e diplomacisë, e veprimit të shërbimeve policore të vendeve fqinje, ku ndodhën fillimisht problemet, janë vendosur në një raport të përputhur.

Koincidencat përputhëse janë të hatashme. Sapo dikush shoqërohet në një komisariat policie diku në një vend fqinj, këtu politikanët menjëherë shprehen se atij i kanë dosjen e plotë. Për të gjithë kanë dosje? Ligji shprehet si kërkesë ndëshkimi për shkeljet, nëse janë bërë, por edhe më shumë, shfaqet si respektim i të drejtave qytetare, edhe më shumë, jashtë çdo lloj ndërhyrjeje politike. Kjo është rruga e zgjidhjes. Shkallët e dhënies së drejtësisë janë të larmishme. Vetëm në rrugë gjyqësore, jo politike.

Mbi të gjitha nuk mund të ngatërrohen sensibilitete patriotike, populiste për barazi ekonomike në treg, moraliste, pra marrëdhëniesh individësh (motra, burri, kunati, tezja, halla, etj.), të cilat janë çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet brenda politikës dhe midis politikës dhe elektoratit, i cili vlerëson politikisht të drejtën nga abuzimi, me aspekte juridike të përputhjes ose mospërputhjes së veprimeve me ligjin. Pleksja e politikës me kapitalin është një fakt i demokracive bashkëkohore, sado i pëlqyeshëm apo i papëlqyeshëm që të jetë ky për qytetarin e thjeshtë. Ai e gjykon atë me votë nëse i pëlqen apo nuk i pëlqen të jetë kështu. Çdo çështje financiare mund të shndërrohet brenda disa minutash në një shqetësim populist barazimtarist. Si ta them, edhe një ndeshje futbolli mund të trajtohet kështu. Kurse çështja ligjore është krejt tjetër gjë. Ka gjëra që politikisht janë të dëmshme, por juridikisht mund të jenë korrekte. Shoh që opinion-bërja, patriotizmi manipulues, aspekti ligjor, trajtesa politike dhe elektoraliste, ushtrimi i kompetencave nga pushtete të ndryshme në mënyrë konfliktuale, hetimet, janë përzierë në mendjen e qytetarit, i cili jam i bindur që thotë: çfarë po bëhet kështu?

Në bursat kryesore të planetit, çmimi i një fuçie nafte ka rënë me 60 dollarë, nga 147, në 80 deri në 87 dollarë. Ndërkohë ky ndryshim nuk reflektohet në çmimet e karburanteve në vendin tonë. A ka ndonjë shpresë për shqiptarët që kjo situatë do të ndryshojë dhe cila është rruga?

Nuk është vetëm për çmimin e naftës. Në përgjithësi ka një shkëputje shumë të rëndësishme midis dinamikës së çmimeve në vend dhe atyre të tregut të jashtëm. Përgjithësisht, te ne, prej vitesh, çmimet e brendshme ndjekin ato të tregut të jashtëm, kur këto të fundit pësojnë ngritje. Ndërsa ato ruajnë një inerci të fortë kur çmimet e tregut të jashtëm pësojnë ulje të ndryshme. Operatorët në shitjen e karburanteve ndofta gjykojnë se është koha për të bërë ca fitime suplementare të përkohshme në këto periudha lëkundjesh çmimesh dhe krize financiare. Pastaj, ata e shohin se shqiptarët udhëtojnë me fuoristrada, pra kanë pare për të blerë karburant.

Karburant kundër medikamenteve të zemrës.

E pastaj ndarja e kontrolluar e tregjeve besoj se ndikon.

Sidoqoftë, sa kohë që ne do të kemi transportin automobilistik individual si mjet kryesor transporti, kundër mjeteve të transportit kolektiv që janë për faqe të zezë në qendrat tona urbane, sa kohë që automobili do të mbizotërojë trenin, vaporin, tramvajin, ne do ta paguajmë si “frëngu pulën” dëshirën tonë për t’u lëkundur rrugëve të qytetit brenda kabinave me katër rrota. Çmimi i karburanteve në Shqipëri përcaktohet nga dëshira masive për të pasur status social të dukshëm, dhe e paraqitur atë në rrugë. Kthejeni Lanën në një trase tramvaji, vendosni trenin elektrik në Shqipërinë e mesme, ringjallni transportin ujor si të gjitha kombet e fuqishme, dhe do të shihni se çfarë ndryshimi i madh do të ndodhë në të gjithë shoqërinë.

OKB-ja miratoi rezolutën serbe, ku i kërkohet Gjykatës së Hagës të shprehet mbi pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë që paralelisht, Mali i Zi dhe Maqedonia janë dy fqinjët që e njohën Kosovën. Po ashtu Arabia Saudite, vendi kryesor i Ligës Islamike njohu pavarësinë e Kosovës. Cili është komenti juaj për situatën?

Përsëri një problem i marrëdhënieve midis politikës dhe drejtësisë, por këtë në radhë në rrafsh ndërkombëtar. Kalimi i çështjes në rrugë gjyqësore, sigurisht që është në favor të Serbisë, kurse njohja e Kosovës nga shtetet fqinje është në të mirë të Kosovës. Sidoqoftë, kjo rrethanë e dytë është sipas meje shumë e rëndësishme. Ka të bëjë me stabilitetin rajonal dhe sigurimin e kufijve të jashtëm të Kosovës. Tani del detyra që kosovarët të dinë ta argumentojnë pavarësimin e tyre jo vetëm në planin moral, të të drejtave të njeriut kundër politikave genociduese, gjeostrategjik, etj., por edhe në planin ligjor, pra të së drejtës ndërkombëtare. Ka për të qenë një proces delikat dhe i vështirë, por nuk besoj se ndryshon ndonjë gjë. Ku ka gjykatë që të kundërshtojë faktin që një popull ka kryer një akt vetëvendosës?

Baza e argumentit ligjor të kosovarëve besoj se do të jetë që ata e shpallën pavarësinë kur territori i tyre nuk i nënshtrohej prej dekadash, as në planin formal, as në planin faktit, ndonjë kuadri ligjor. Kuadri ligjor i ish-Jugosllavisë kishte dalë prej kohe jashtë veprimi.

Për më tepër shihni edhe www.artanfuga.com

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›