E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimi i (pa)fajshëm për pavarësinë

Ambasadori amerikan në Tiranë theksoi sërish dje nevojën që qeveria shqiptare të respektojë maksimalisht pavarësinë e prokurorisë dhe përsëriti edhe njëherë momentet, që sipas tij, kishin vënë në dyshim raportet e pushtetit ekzekutiv me organet e akuzës dhe gjyqësorit. Duket se ambasadori amerikan dhe jo vetëm ai, por edhe trupa e ambasadorëve të BE-së në Tiranë, nuk kanë ngushtuar distancën me qeverinë e Berishës lidhur me këtë problem, por po ashtu ngjan që edhe qeveria “Berisha” nuk ka bërë përpjekje për të afruar qëndrimet me ato të vëzhguesve të rëndësishëm ndërkombëtarë në Tiranë lidhur me problemin e mësipërm.

Diplomatët perëndimorë janë të bindur se ata kanë të drejtë, e ndërkohë edhe qeveria shqiptare nuk lë vend për të menduar se nuk ka të drejtë.

Duke lënë mënjanë momentet aktuale të marrëdhënieve mes qeverisë dhe prokurorisë dhe duke iu kthyer historisë së këtij institucioni, mund të jemi deri diku në gjendje të kuptojmë edhe këndvështrimet e ndryshme të qeverisë dhe diplomatëve perëndimorë.

Historia e akuzës shqiptare është pak a shumë historia e qeverisjes së këtij vendi. Ajo pothuajse asnjëherë nuk ka qenë e ndarë prej qeverisjes dhe nuk ka siguruar integritetin e saj, bile nuk ka bërë përpjekje për të siguruar ndonjë farë integriteti. Lidhja e akuzës me qeveritë e ndryshme ka qenë komode për të, për shkak se duke respektuar interesat e qeverive të ndryshme, e ka pasur më të lehtë të realizojë interesat e zyrtarëve të akuzës.

Përgjatë periudhës së qeverisjes së PD-së në vitet ‘92-‘96 u ndërruan dy prokurorë, ndërsa u arrestua në ‘93 shefi i atëhershëm i opozitës, Fatos Nano, me akuzën për korrupsion. Nuk besoj se ka ndonjë dyshim se aktiviteti i prokurorisë në atë periudhë ka qenë i varur qoftë edhe “part-time” nga vendimet e qeverisjes së atëhershme, megjithatë është fakt se niveli i krimit dhe korrupsionit ka qenë shumë i ulët krahasuar me secilin prej viteve të qeverisjes socialiste dhe po ashtu janë hetuar për tre vite shumë më tepër zyrtarë sesa për tetë vitet e tjera të “regjimit socialist”.

Qëndrimi në pushtet i socialistëve për tetë vite ishte i mjaftueshëm, për të ndërtuar një institucion akuze, por edhe një sistem gjyqësor klanor dhe deri diku edhe ideologjik. Pothuajse për tetë vjet nuk ka pasur asnjë problem mes mazhorancës socialiste dhe akuzës apo sistemit gjyqësor në Shqipëri. Është aq e çuditshme kjo marrëdhënie paqësore mes ekzekutivit dhe drejtësisë në Shqipëri, edhe pse në këtë vend vlonte korrupsioni, krimi, vrasjet, dhuna, trafiqet e njerëzve dhe drogave. Edhe pse në këtë vend lulëzonin të gjitha llojet e ekonomisë së zezë, sërish ekzekutivi mbetej i kënaqur me akuzën dhe gjyqësorin dhe anasjelltas, gjyqësori dhe akuza ishin të kënaqur me ekzekutivin. Nuk ka pasur asnjë problem publik varësie të pushtetit gjyqësor nga ekzekutivi dhe as është diktuar ndonjëherë një çështje e tillë, edhe pse në ‘98 një grup prokurorësh kryen veprimin më ekstrem që mund të bëhej, shkruan një letër të hapur kundër shefit të opozitës së asaj periudhe, që është sot Kryeministër, Sali Berishës, ku kërkonin heqjen imunitetit të tij si deputet dhe më pas arrestimin. Disa prej firmëtarëve të asaj letre të turpshme janë edhe sot në nyje të rëndësishme të organit të akuzës.

Po ashtu, nuk ka pasur rast edhe për ndërkombëtarët të ndërhynin në këto marrëdhënie, sepse asnjëra palë nuk reflektonte çarje apo konflikte, kontradikta apo tendenca për të relativizuar pushtetin e gjyqësorit, pra edhe të akuzës. Kjo pavarësi e plotë dhe për t’u marrë shembull ka qenë e tillë kur vrasësi i Azem Hajdarit, arrestohej në spital dhe lirohej po në spital si i pafajshëm, kur vrasës të tjerë dilnin nga burgu me akuzën e armëmbajtjes pa leje shoqëruar me një gjobë, kur asnjë prej trafikantëve të drogës nuk qëndronte në qeli më shumë se një muaj. Shumë prej nesh e njohin rastin e një prokurori në Elbasan, i cili kishte hetuar vetëm çështje droge dhe nuk kishte asnjë trafikant në qeli për vite të tëra.

Kjo pavarësi e pushteti të gjyqësorit ishte për t’u marrë shembull, edhe pse ndodhën brenda asaj periudhe mbi 800 raste të tjetërsimit të pronës, grabitjes së pronës etj., por asnjë i dyshuar, arrestuar etj. Asnjë rast për tetë vite rresht, por edhe më pas, që Prokuroria të niste një çështje “kryesisht”, me përjashtim të kësaj për Fazlliçin. Nuk ka pasur pavarësi më të mirë të gjyqësorit për një qeverisje dhe anasjelltas, po të kemi parasysh se ndër teknicienët e administratës shqiptare, gjykatësit dhe prokurorët janë njerëzit më të pasur në pasuri të luajtshme e të paluajtshme. Nëse keni ndonjë mik ndërtues në Tiranë, tashmë e keni mësuar se klientët më të bujshëm të blerjes së ndërtesave janë gjykatësit dhe prokurorët, të cilët paguhen më pak se gazetarët, ndërkohë që këta të fundit pothuajse të gjithë jetojnë me qira.

Kjo pavarësi e pafytyrë dhe e turpshme ka pjellë një sistem gjyqësor të korruptuar dhe të papërgjegjshëm në kushtet e një qeverisjeje, e cila ka si primare luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Është një kontradiktë jo e vogël, përmes së cilës është mjaft vështirë të ndërtosh një ekuilibër, ku pavarësia të qëndrojë në nivelet më të mira të demokracive të maturuara dhe qeverisja të jetë e kënaqur me veprimtarinë e gjyqësorit dhe akuzës. Nëse do të kishte një detantë mes qeverisë, akuzës apo gjyqësorit këto ditë, do të dyshoja fort për një detantë të tipit të mësipërm, ku frytet e pavarësisë korren nga palët me pushtet, ndërsa qytetarët marrin ndëshkimin. Jo se nuk mund të besohet në një pavarësi të institucioneve të pavarura nga qeveria, por kështu jemi mësuar ta shohim paqen, si një kurth, dhe jo se jemi mësuar vetë, por se ashtu na kanë mësuar faktet.

Sot Berisha dhe qeverisja e tij janë vënë me shpatulla për muri nga ndërkombëtarët, se ka tendencë për të cenuar pavarësinë e prokurorisë dhe gjyqësorit përmes një pakete ligjesh. Bile këtë e theksojnë më shumë ndërkombëtarët sesa vetë akuza dhe gjyqësori, duke të lënë përshtypjen se këta të fundit edhe mund të bëjnë ndonjë kompromis siç e kanë bërë gjithnjë, për të shtuar edhe më tej pasuri, përmes shkeljes së interesave të qytetarëve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›