Kupa, Besa – Tirana 2-0

(ALBANIA SPORT) – Me fitoren e pastër 2-0 ndaj Tiranës në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, Besa, e mbetur me dhjetë lojtarë qysh nga minuta e 43-të i dha një leksion të hidhur trajnerit Devi Muka, pikërisht në debutimin e tij me 13-herë fituesit e kupës, pavarësisht se në bankinë ishte ulur trajneri i portierëve, Astrit Nallbani dhe Alban Tafaj vazhdoi “telenovelën” e drejtimit të stafit përmes celularit.
Sulmuesi i Besës, Bledar Mancaku, realizoi në minutën e 9-të nga pika e bardhë, pas një penalltie të shkaktuar nga mbrojtësi i Tiranës, Ditmar Bici. Dy minuta përpara përfundimit të pjesës së parë mbrojtësi i majtë i Besës, Renato Arapi u ndëshkua me karton të kuq, duke e lenë skuadrën me dhjetë lojtarë, por Tirana nuk mundi dot të përfitojë nga superioriteti numerik.
Në minutën 85-të, mesfushori Artion Poçi kombinoi me Bledar Mancakun, ky i fundit goditi drejt portës tiranase, portieri Blendi Nallbani nuk arriti ta zotërojë plotësisht dhe aty Daniel Xhafaj përfitoi duke shënuar golin e dytë e duke çuar shifrat 2-0. Një hap i madh i Besës drejt gjysmëfinales, edhe pse ka edhe 90 minuta për tu luajtur në ndeshjen e kthimit dy javë më pas në kryeqytet.
RRUGA E BESES
Në rrugën drejt çerekfinaleve, në turin e parë Besa eliminoi Pogradecin e Kategorisë së Parë me dy fitore të ngushta: 3-2 në Pogradec dhe 1-0 në Kavajë. Në turin e dytë eliminoi Laçin: fitoi 0-1 në takimin e luajtur në Lezhë dhe barazoi 1-1 në ndeshjen e kthimit në Kavajë. Në ndeshjen e parë të turit të tretë Besa fitoi 2-0 me Tiranën. Takimi i kthimit do të luhet, më 24 shkurt 2010.
BESA
Pjesëmarrëse: në 52 edicione
Në çerekfinale: 22 herë
Në gjysmëfinale: 10 herë
Në finale: 7 herë
Fituese: 1 herë
Finale të humbura: 6 herë
RRUGA E TIRANES
Në rrugën drejt çerekfinaleve, Tirana kaloi Luzin në turin e parë, teksa humbi jashtë ndeshjen e parë 3-1 dhe e fitoi të dytën në kryeqytet 3-0. Në turin e dytë eliminoi Lushnjën: barazoi 2-2 në Lushnjë dhe fitoi 2-1 në Tiranë. Në ndeshjen e parë të turit të tretë Tirana humbi 2-0 me Besën në Kavajë. Takimi i kthimit do të luhet, më 24 shkurt 2010.
TIRANA
Pjesëmarrëse: në 57 edicione
Në çerekfinale: 47 herë
Në gjysmëfinale: 30 herë
Në finale: 21 herë
Fituese: 13 herë
Finale të humbura: 8 herë
Burimi: Albania-sport.comE Merkure, 10 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili