E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupa, Besa gjen Shkumbinin, Teuta kundër Vllaznisë

TIRANE- Besa-Shkumbini dhe Teuta-Vllaznia janë dy çiftet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Ka qenë ky verdikti i shortit të hedhur të premten nga FSHF dhe që ka përcaktuar rrugën e skuadrave drejt kompeticionit të dytë për nga rëndësia në vend. Për ekipin e Vllaznisë, Kupa e Shqipërisë mbetet shansi i vetëm për të shkuar në Kupat e Evropës sezonin tjetër, duke parë se në kampionat gjërat janë mjaft të vështira.

“Mendoj se që nga janari ne jemi skuadra më në formë, - tha presidenti i Vllaznisë Valter Fushaj. – Tani duam të shkojmë në finale dhe ta fitojmë Kupën, sepse është objektivi i vetëm që na ka ngelur dhe ne duam të jemi në Kupat e Evropës vitin tjetër. Mendoj se ishim me fat që ndeshjen e dytë do ta luajmë në shtëpi”, shtoi ai. Gjithsesi edhe në kampin e Teutës nuk ndjehen inferiorë ndaj një skuadre eksperte si Vllaznia. “Në këtë fazë të gjitha skuadrat janë të forta, kështu që nuk kisha asnjë preferencë.

Ndoshta tek ata mund të ndikojë fakti se luajnë për mbijetesë në Superligë”, tha trajneri i Teutës Ylli Shehu. Ndërkohë, Besa e Kavajës do ta luajë ndeshjen e parë në shtëpi përballë Shkumbinit, një ekip që eliminoi Dinamon në turin çerekfinal. “Kishim shumë dëshirë që ta luanim ndeshjen e parë në Peqin, por gjithsesi jemi të kënaqur edhe kështu”, deklaroi presidenti i Shkumbinit Ali Dyrmishi. Ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen më 24 mars, ndërsa ato të kthimit më 7 prill. Ndërkohë finalja do të luhet më 9 maj.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›