E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, plagoset me plumb në kraharor 29-vjeçari

Misteri Policia nuk arrin të zbulojë vendngjarjen edhe pas pyetjes së viktimës

Një 29-vjeçar nga Fieri është plagosur me armë zjarri paraditen e së martës, në rrethana ende të paqarta për policinë lokale. Burime spitalore bëjnë të ditur se në orën 10:00 të paradites së martë pranë urgjencës së spitalit rajonal ka mbërritur pa ndjenja 29-vjeçari Henerik Hoxha me plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Ai i është nënshtruar menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale. “Plaga ka qenë e thellë dhe ndërhyrja kirurgjikale ka qenë e vështirë. Ndërkohë që gjendja e tij mbetet kritike, pasi plumbi ka prekur një nga damarët kryesorë”, thanë për “Shqip” mjekët e urgjencës. Ndërkaq, policia është njoftuar për ngjarjen nga mjekët e spitalit dhe drejt tij janë nisur krerët më të lartë të komisariatit. Pasi i ka dalë nga narkoza ai ka thënë për policinë se ndodhej në një lokal në lagjen “15 Tetori” të qytetit dhe aty ka hyrë një person i panjohur që ka shtënë me armë dhe është larguar. Ashtu i përgjakur, Hoxha ka dalë pranë kryqëzimit te stacioni i trenit dhe ka kërkuar ndihmën nga kalimtarët për ta çuar në spital. Lokali për të cilin kishte thënë se ishte plagosur ishte i mbyllur, ndërkohë që asnjë nga banorët përqark lokalit nuk ka dhënë informacion në lidhje me ngjarjen. Ndërkohë, mësohet se në vendin ku thuhet se është plagosur 29-vjeçari ndodhen banesa dhe dy lokale të Henerik Hoxhës. Një prej lokaleve ai e ka dhënë me qira, ndërkohë që një tjetër e administron me familjen. Sipas burimeve policore Hoxha është plagosur edhe një herë më parë me armë zjarri. “Dyshohet se ndonjë konflikt personal, ndoshta për motive pronësie mund të jetë edhe shkaku i kësaj plagosjeje. Megjithatë, hetimet e mëtejshme do të zbardhin rrethanat e të gjithë kësaj ngjarjeje të veshur me mister”, kanë thënë burimet zyrtare të policisë Fier.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›