E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupa, Tirana kërkon t'i japë një leksion Luzit

Kupa e Shqipërisë do të luajë sot ndeshjet e kthimit të turit të dytë, ku ajo që spikat është përballja mes Tiranës dhe Luzit. Fitorja 3-1 e skuadrës nga fshati Luz i Kavajës dy javë më parë ka krijuar në mënyrë të çuditshme paksa urrejtje në radhët e skuadrës kampione. Kjo, për shkak se edhe tifozët nuk e pritën aspak mirë atë disfatë, duke shpalosur pankarta kundër ekipit në ndeshjen e radhës me Teutën. Trajneri Alban Tafaj ka planifikuar të hedhë në fushë formacionin titullar për sfidën e sotme, duke kërkuar jo vetëm përmbysjen e rezultatit, por edhe t'u japë një leksion kavajasve. Duket çudi, por të gjithë në kampin bardheblu janë parë të uritur për të fituar ndaj Luzit. Tiranës gjithsesi i duhet të fitojë me dy gola diferencë për të kaluar në turin tjetër, gjë që për hir të së vërtetës nuk duket aq e vështirë duke parë diferencën mes dy ekipeve. Për më tepër që edhe ndeshja e fundjavës nuk duket aq e vështirë, pasi bardheblutë do të presin në fushën e tyre Shkumbinin, skuadër me të cilën kanë fituar tradicionalisht në vitet e fundit.
Sfidat
Kupa e Shqipërisë ka ende disa enigma për të zgjidhur në këtë tur, teksa në takimet e para jo të gjitha skuadrat pretendente arritën të siguronin kalimin e turit. Në grupin A, dilemat më të mëdha lidhen me përballjen ndërmend Lushnjës dhe Burrelit, dy skuadra të Kategorisë së Parë. Takimi i zhvilluar dy javë më parë në Burrel përfundoi në barazim pa gola, kështu që çdo gjë është e hapur. Ndërsa në grupin B, Apolonia është skuadra që duhet të ketë më shumë kujdes, pasi i duhet të përmbysë disavantazhin 3-1 ndaj Bilisht Sportit. Trajneri Karishik pritet të hedhë në fushë skuadrën më të mirë për këtë takim, për të mos lejuar surpriza që në këtë tur.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›