Kupa UEFA: Besa “peshkon” Liteksin

Besa e Kavajës, skuadra e vetme shqiptare që vazhdon aventurën e saj në kupat e Europës në edicionin 2007-2008, në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA do të luajë kundër ekipit të njohur bullgar, Liteks i Lovecit, një nga tre skuadrat bullgare që ndodheshin në shortin e hedhur dje në Nion të Zvicrës, së bashku me CSKA e Sofjes dhe Lokomotivën e Sofjes. Sidoqoftë, Liteksi, ku më parë kanë luajtur edhe dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Alban Bushi (1999-2000) dhe Altin Haxhi (1998-2000), është një kundërshtar më pak i frikshëm se skuadra tjetër bullgare, CSKA e Sofjes, që gjatë dy sezoneve të fundit eliminoi Tiranën (në turin e dytë Ligës së Kampioneve) dhe Dinamon (në turin e parë të Kupës UEFA). Liteksi kaloi në turin e parë të Kupës UEFA ekipin maltez Sliema me dy fitore të thellë: 3-0 në Maltë dhe 4-0 në Bullgari.
Liteksi
Liteksi i Lovecit, i themeluar në vitin 1921 me ermin Hisarya,
ka fituar dy herë kampionatin bullgar (1998, 1999) dhe dy herë Kupën e Bullgarisë (200, 2004), ndërkohë që ka humbur pesë herë në finale të kupës. Liteks i Lovecit është një kundërshtar me përvojë të madhe ndërkombëtare në raport me Besën, që ka vetëm katër ndeshje në arenën europiane. Skuadra bullgare ka zhvilluar në total 46 ndeshje ndërkombëtare dhe ka një bilanc pozitiv: 21 fitore, 9 barazime dhe 16 humbje. Golat: 72-55. Në Kupën UEFA Liteksi ka zhvilluar 38 takime: 17 fitore, 9 barazime dhe 12 humbje. Ngjyrat zyrtare të Liteksit janë: bluza portokalli dhe mbathje të bardha. Stadiumi me një kapacitet 7000 vende është ndërtuar në vitin 1962 dhe i rikonstruktuar në vitin 1999.