Maqedoni: Gjithçka gati për fillimin e kampionatit

Gjatë kësaj fundjave fillon kampionati i 16-të i Maqedonisë në futboll. Të gjitha skuadrat që bëjnë gara në elitën e futbollit, në edicionin e ri do të hyjnë me ambicie të ndryshme, kush për të luftuar për titull dhe kush për ekzistencë. Sipas trajnerit të Shkëndijës nga Tetova Qatip Osmani skuadrat që kanë luftuar viteve të kaluara për titull kampioni do të luftojnë edhe në edicionin e ri.
"Edhe sivjet për titull kampioni do të luftojnë skuadrat që kanë luftuar edhe sezoneve të shkuara. Për mua Rabotnicki është klubi më i organizuar, por nuk do të thotë se do të bëhet kampion. Aty janë edhe Pobeda e Vardari, ndërsa Makedonija është dobësuar dhe nuk e shoh si ekip që do të luftojë për kreun e tabelës. Sa i përket Shkëndijës dëshiroj që të jemi në krye të tabelës, sepse ambiciet tona janë të tilla, ndonëse kemi ekip relativisht ekip të re. Ndërkohë për ekzistencë do të luftojnë Cementarnica, Pelisteri dhe Sileksi", thotë trajneri kuqezi, Osmani. Erkan Jusufi i Bashkimit nga Kumanova thotë se pesë skuadra do të luftojnë për kreun e tabelës, ndërsa të tjerat do të luftojnë për të siguruar ekzistencën. "Rabotnicki, Pobeda, Vardari, Renova dhe Milano janë skuadrat që gjatë merkatos verore kanë investuar më së shumti dhe prej këtyre do të kërkohet kampioni i ri. Sa i përket ekipeve që do të luftojnë për ekzistencë mendoj se ata janë: Napredoku, Pelisteri, Cementarnica dhe Sileksi. Bashkimi kujtoj se do të gjejë forcë për t'i ikur barazhit", është i mendimit Jusufi.
Për ndihmëtrajnerin e Milanos Xhemal Zeqiri janë tri skuadra që do të luftojnë për të rrëmbyer kampionitin. "Rabotnicki, Vardari dhe Renova do të luftojnë për titullin e kampionit. Rabotnicki është skuadra kryesore për titull. Është ndoshta e tepërt të thuhet, por edhe ne si skuadër e re në Ligën e Parë pretendojmë kreun e tabelës. Ndërsa për mendimin tim për ekzistencë do të luftojnë Napredoku, Cementarnica, Pelisteri dhe Sileksi", është shprehur Zeqiri. Ndërkohë trajneri i Renovës Vllatko Kostov thotë se Rabotnicki dhe Vardari janë kandidatët kryesorë për titullin e kampionit. "Si në cdo kampionat edhe sivjet për titull kampioni do të luftojnë Rabotnicki dhe Vardari. Renova gjithashtu është aty për t'ua prishur planet ekipeve konkurrente. Edhe ne kemi ambicie për të dal në Evropë dhe gjatë këtij edicioni ose vitin e ardhshëm do ta kërkojmë daljen në Evropë. Kurse sa i përket ekipeve që do të luftojnë për ekzistencë është jofalënderuese të flitet që tani. Duhet të kalojë një kohë, pra të fillojë kampionati e pastaj të shihet, sepse nuk dihet asgjë. Disa skuadra kanë probleme në aspektin financiarë dhe atë të lojtarëve, por pas disa javëve mund të dal ndonjë sponsor dhe pastaj ato ekipe mund të befasojnë", deklaroi trajneri i Renovës, Kostov.
Ismail Ismaili në Renovë
Futbollisti tetovar Ismail Ismaili, i cili u largua nga radhët e Shkëndija'79", para dy sezoneve dhe kaloi te skuadra e Makedonia GJP, këtë sezon do të luan për skuadrën e Renovës. Këtë lajm e konfirmoi drejtori i klubit Lirim Saiti. Ai tha se është arritur marrëveshje me kryesin e klubit nga "Gjorce Petrovi" që sulmuesi shqiptar sezonin e ri të luajë për "gipspunuesit"
"Kemi rënë dakord me kryesin e Makedonia GJP që Ismail Ismaili në sezonin e ri të jetë pjesë e skuadrës sonë për tre sezone. Të martën Ismaili është paraqitur në seancën stërvitore dhe po përgatitet për ndeshjen e parë kundër Milanos," deklaroi Saiti. Ndërkohë, skuadra e Renovës me seancat stërvitore vazhdon të stërvitet në stadiumin në fshatin Tearc. Pas shumë futbollistëve të ardhur, transferimi i Ismail Ismailit ka qenë një goditje e madhe në qytetin e Tetovës.
Shtatë futbollistë shqiptarë në U-17
Reprezentacioni i Maqedonisë U-17 që udhëhiqet nga seleksionuesi Borce Hristov të premten (sot) do të udhëton në Dojran, ku do të zhvillojë përgatitje për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet në Poloni. Maqedonia në grup është me nikoqirin Poloninë, Austrinë dhe Norvegjinë.
Për këto ndeshje kualifikuese seleksionuesi Hristov ka ftuar 7-të futbollistë shqiptar. Elmaz Sinai, Albert Topojani (Slloga J), Bunjamin Shabani, Bunjamin Fazliu (Bashkimi), Samir Fazliu (Makedonia GJP), Muhamet Dauti (Renova) dhe Jasir Selmani (Shkëndija'79).
"Të premten (sot) në mëngjes do të udhëtojmë për në Mavrovë ku do të zhvillojmë përgatitjet për ndeshjet kualifikuese për KE në Poloni. Në Dojran do të qëndrojmë deri më 10-të korrik. Jam i kënaqur që do t`i mbroj ngjyrat e reprezentacionit dhe nga fakti se gjithsej jemi grumbulluar shtatë futbollist shqiptar", deklaroi mbrojtësi i juniorëve të Slloga J dhe tani anëtar i reprezentacionit të Maqedonisë U-17 Elmaz Sinani.
Elmaz Sinani së bashku me Albert Topojanin në kampionatin e sivjetshëm për juniorë me ekipin e Slloga J fituan dy tituj, kampionatin shtetëror dhe Kupën e Maqedonisë.