E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Shqipërisë, surpriza, Bylis mund Dinamon

Autori i Lajmit: Redaksia
Ndeshjet e para të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë kanë dhuruar mjaft rezultate surprizë. Në grupin e parë spikat takimi që u zhvillua në Ballsh midis Bylisit dhe Dinamos. Vendasit (militojnë në Kategorinë e Parë) kanë arritur që të mundin ekipin që po dominon në Superiore, Dinamon, 1-0. Gjithashtu, në këtë grup rezultate mjaft të mira kanë marrë edhe Tirana dhe Besa. Bardheblutë kanë mundur të barazojnë 2-2 me Lushnjën, ndërsa ekipi kavajas ka mundur minimalisht ekipin e Laçit. Në barazim 1-1 ka mbaruar edhe takimi midis Kastriotit dhe Shkumbinit. Ndërsa në Grupin B “favoritja”, Vllaznia ka arritur të mposhtë jashtë fushe ekipin e Kamzës. Fitore brenda fushe kanë marrë edhe ekipi i Gramozit dhe ai i Skënderbeut. Këto dy ekipe kanë mundur respektivisht skuadrën e Flamurtarit dhe atë të Apolonisë (të dy këto takime janë mbyllur më rezultatin minimal, 1-0.

Grupi A

Kastrioti i Krujës dhe Shkumbini i Peqinit u ndanë në barazim 1-1 në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Kastrioti shënoi qysh në minutën e parë me anë të Isufit. Shkumbini barazoi me penalltinë e realizuar nga Ilirjan Çaushaj në minutën e 16-të. Ndërsa Bylisi i Kategorisë së Parë ia doli të ndalë Dinamon, liderin e Superligës, duke fituar 1-0 në “Adush Muça” në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Golin e vetëm e shënoi Armando Gega në minutën e 27-të. Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, hodhi në fushë disa lojtarë me më pak minuta të aktivizuar në kampionat, por nuk ia doli të shmangte humbjen e parë sezonale në të dyja kompeticionet. Ndërsa Lushnja, falë një goli të realizuar nga kapiteni Gentian Çela në minutën e 94-t, ia doli ta mbyllë në barazim 2-2 sfidën me Tiranën, në takimin e vlefshëm për ndeshjen e parë të turit të dytë të edicionit të 58-të të Kupës së Shqipërisë. Tirana, 13-herë fituese e Kupës dhe finaliste e sezonit të kaluar, e mbylli pjesën e parë në avantazh të dy golave, të realizuar nga Migen Memelli (27) dhe Arbër Abilaliaj (35). Lushnja shënoi golin e parë në minutën e 46-të me anë të Alban Bizhutit dhe barazoi rezultatin me anë të Gentian Çelës në minutën e katërt shtesë. Besa fitoi 1-0 me Laçin në takimin e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Takimi u luajt në stadiumin e qytetit të Lezhës në orën 13:00. Golin e vetëm të takimit e realizoi mesfushori Artion Poçi në minutën e 30-të me një goditje të lirë. Hasalla doli me karton të kuq për Besën. Besa, 52 herë pjesëmarrëse në Kupën e Shqipërisë, hodhi një gjysmëhapi drejt çerekfinaleve, në të cilat ka marrë pjesë deri tani 21 herë. Besa e ka fituar një herë Kupën e Shqipërisë.

Grupi B

Pretendentja e Grupit B, Vllaznia, ka mundur të marrë një fitore të lehtë përballë Kamzës. Në kryeqytet ekipi shkodran dominoi takimin pasi e mbylli ndeshjen me rezulton e thellë, 3-1. Ndërsa Partizani nuk arriti që të marrë më shumë se një barazim, 1-1 ndaj ekipit të Teutës. Ndërkaq fitore minimale ka arritur që të marrin ekipi i Gramozit dhe ai i Skënderbeut. Këto ekipe kanë mundur respektivisht skuadrën e Flamurtarit dhe atë të Apolonisë.

Ndeshjet

Grupi A

Lushnja 2-2 Tirana
Bylis 1-0 Dinamo
Kastrioti 1-1 Shkumbini
Laçi 0-1 Besa

Grupi B

Kamza 1-3 Vllaznia
Partizani 1-1 Teuta
Gramozi 1-0 Flamurtari
Skënderbeu 1-0 Apolonia

Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›