Kuper qëndron, ekipi në "heshtje për shtyp"
Hektor Kuper do të drejtojë Parmën edhe në javën e fundit të kampionatit kundër Interit, duke pasur kështu mundësinë të përballet me të kaluarën e tij. Trajneri i zikaltërve në 5 majin e famshëm, do të përgatitë skuadrën e Parmës për t‘i shkaktuar një hidhërim të njëjtë ish-lojtarëve të tij, me sigurinë se nuk do të shkarkohet nga puna. Megjithatë, fakti se trajneri argjentinas do të përballet me të kaluarën e tij ka vënë në lëvizje drejtuesit e Parmës, të cilët kanë urdhëruar që i gjithë ekipi do të qëndrojë në heshtje për shtyp deri pas përfundimit të ndeshjes me Interin. "Parma bën të ditur se deri në përfundimin e ndeshjes me Interin, skuadra e parë (drejtuesit, stafi teknik, lojtarët) do të jetë në "heshtje për shtyp" dhe për këtë arsye nuk do të lejohet as hyrja në Qendrën Sportive të Kolekios. Vendimi është marrë për t‘i mundësuar skuadrës të përgatitet sa më mirë për një ndeshje vendimtare që përcakton kampionatin", shkruhej në komunikatën e shpërndarë dje nga drejtuesit e skuadrës, të cilët nuk kanë preferuar të bëjnë komente të tjera.