Kristiano Ronaldo: Sezonin tjetër dua të shënoj 50 gola
Lojtari më i mirë i sezonit të Mançester Junajted, Kristiano Ronaldo, ka deklaruar se sezonin e ardhshëm do të synojë të shënojë 50 gola. Me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme, 41 gola të realizuar në të gjitha kompeticionet, portugezi ka ndihmuar "Djajtë e Kuq" të fitojnë për të dytin vit radhazi titullin në Angli. Ronaldo ka fituar dy çmimet si "Lojtari i Vitit në Premiership" nga tifozët dhe futbollistët, ndërkohë që rrjeta e realizuar me goditje dënimi në janar kundër Portsmuth u cilësua "Goli më i Bukur". "Të shënoj 50 gola sezonin e ardhshëm? Nuk e di. Por, do të përpiqem. Nuk luaj për të shënuar, mendoj vetëm të luaj mirë dhe nëse golat vijnë, atëherë gjithçka shkon mirë", tha lojtari për "MUTV". I pyetur për festën e titullit pas fitores me Uigan, Ronaldo u përgjigj: "Ndonjëherë nuk ke fjalë për të përshkruar si ndihesh kur shpallesh kampion. është fantastike. Do të kisha preferuar që trofeun ta ngrinim në ‘Olld Traford‘, pasi atmosfera do të kishte qenë magjike, megjithatë jemi shumë të kënaqur për këtë arritje". Duke folur më tej, mesfushori i krahut pohoi se nuk e priste që gara për titullin të ishte kaq e fortë. "Për të qenë i sinqertë, jo", tha ai. "Ndjesia është se Premiershipi këtë vit ka qenë shumë më i fortë. Në momentin kur gjyqtari mbylli ndeshjen (me Uiganin) dhe ne u shpallëm kampionë ishte një kënaqësi shumë e madhe. Kishim punuar nëntë muaj që të fitonim këtë titull. Ndihem shumë krenar dhe shumë i lumtur". Rreth finales së Championsit më 21 maj: "Do të jetë fantastike nëse fitojmë Ligën e Kampioneve. Shkojmë me synimin për të triumfuar, edhe pse shanset janë 50 me 50. Është finalja ime e parë dhe jam shumë krenar. E gjithë skuadra kërkon të fitojë, kemi një shans ideal".
Ndërkohë, trajneri Sër Aleks Ferguson ka këmbëngulur se do vazhdojë të qëndrojë në krye të Mançesterit edhe sezonin e ardhshëm. Skocezi fitoi titullin e 10 me Junajted në Angli. Megjithatë, mediat kanë spekuluar se pas finales së Ligës së Kampioneve në Moskë, ai do të tërhiqej. "Të dal në pension? As që nuk e mendoj. Ju lutem, më thoni çfarë të bëj unë më pas? Jam krenar që kam qëndruar kaq gjatë, por e kam pasur më të thjeshtë se trajnerët e tjerë, pasi ndodhem në një klub të madh".