Kuponi tatimor, një dështim spektakolar
Dështim spektakolar i administrimit tatimor në rrethe. Turizmi jashtë kontrollit, por edhe njësitë e shitjes së përqëndruar nuk lëshonin asnjë dokument tatimor. Kasat fiskale dhe rritja qesharake e të ardhurave në buxhet. Të humburit: Qeveria dhe qytetarët
Nga Bardhi Sejdarasi
Kur është me pushime njeriu ka qejf të jetë sa më larg çështjeve të ditës, problemeve të punës, shifrave apo statitistikave. Sigurisht për të çlodhur trurin, për të hequr stresin e kështu me rradhë. Në fakt nuk është se iu shpëton gjitnjë këtyre andrallave.
Isha këtë vetë për rreth një muaj në Greqi e Jug të Shqipërisë, duke e ndarë në mënyrë joproporcionale kohën e pushimeve. Më shumë në vendin mik se sa në Shqipëri! Dhe kisha arsye! Në Vlorë më kërkuan 50 euro për një natë qira dhome, në Selanik vetëm 30 Euro. Në Sarandë më kërkuan 80 Euro për të ngarkuar vajtje-ardhje makinën në tragetin-turp të këtij qyteti Kaliopi si dhe 48 Euro për person vajtje-ardhje për në Korfuz, ndërsa në Igumenicë më kërkuan vetëm 20 Euro vajtje-ardhje për makinën e veten drejt Korfuzit, pra nëpërmjet portit të Igumenicës. E kështu mund të rradhisja shumë shifra, por në këtë shkrim nuk e kam fjalën për këto kosto, që në fund të fundit, janë disa zgjedhje personale dhe i shkojnë apo jo përshtat çdokujt që e bën hesapin për të kaluar pushimet si dhe ku dëshiron.
Në tjetër vend dua të dal!
Greqia, fytyra tjetër e shtetit të dikurshëm
Isha edhe vitin e kaluar në Greqi, tamam në Selanik, në Perea. Pushova, u ushqeva normalisht, bleva, pagova dhe mora faturat për gjithçka shpenzova. Madje, aty ku e kaloja blerjen prej më shumë se 120 Euro, mora edhe rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar, si në çdo vend normal europian. Sivjet!
Harroje! As që mund të mendoje se grekërit të mund të të jepnin apodhiks-kjo është fjala greke e faturës së blerjeve. Bënin sikur harronin, ose sikur nuk iu binte ndërment, por ta sillnin menjëherë sapo e kërkoje. Në të kundërt, nuk mund të merrje kurrë një faturë, ose mund të merrje, në rastin më të keq ndonjë të sharë të ndyrë grekshe
Shumë e lidhnin këtë me krizën greke, të tjerë me pafuqinë e qeverisë për të vendosur rregull në administrimin fiskal, të tjerë akoma me frikën që kishin grekët se çfarë mund tiu ndodhte në të ardhmen dhe që gjykonin se skishin pse të paguanin një qeveri që ua kishte bërë paratë e taksave rrush e kumbulla, sikundër themi ne. Por edhe lajmet ishin të hidhura kur bëhej fjalë për mbledhjen me forcë të këtyre detyrimeve ligjore. Në një prej ishujve të shumtë, kur policia shkoi të ndalonte një prej tregtarëve që tregtonte dhe shiste pa apodhiks-in faturë, banorët u përleshën me policinë tatimore dhe atë të rendit, duke krijuar një incident, që më shumë se kudo u komentua në media-n gjermane.
Ndërsa në dyqanet greke u vendosen disa postera, si këto që shihni këtu më poshtë:
Përkthimi 1: Merkel: Këtë lloj uljeje iu thashë!
Dhe ata më vunë nëpër xhamat e tyre!
Përkthimi 2: Merkel: Ulje!
Grekët: Po, me simpati! Bizhutë 20 %
Më këtë anë të kufirit
Në Sarandë nuk shkohet më për pushime (!?) Mua më vinte keq kur e dëgjoja! E thoshin shumë, e pashë edhe në disa komente mediatike të kolegve të mij në media-n e shkruar, edhe gjatë ditëve që qëndrova në Sarandë. Por Saranda ishte plot: shqiptarë jo sarandiotë, por sidomos shqiptarë-kosovarë, maqedonas, sërbë (me shumicë), polakë, hollandezë, gjermanë e lloj lloj kombësish të tjera. Por edhe unë u pajtova me konstatimet e mësipërme. Dita e parë e pushimeve shqiptare me iku kot: Në Sarandë, tek plazhi publik, nuk mund të laheshe se derdheshin fekalet e Bashkisë së Sarandës, te Afrikani kishte ca të fortë që ta bënin hesapin që tek dera e kompleksit, te Era nuk kishte vende Epo, mirë atëhere, ikim tek Manastiri, te Pisha e Thatë, te Pasqyrat. Ishte një skandal të mos gjeje një mundësi për të bërë plazh!
Dita e parë iku! E nesërmja do të projektohej nga vendasit, miqtë e mij gazetarë të vjetër të Sarandës: Shkoni më mirë në Lukovë ose, ose më mirë në Borsh! Pra bëni 20-38 kilometra (vetëm vajtje) nga Saranda për të gjetur vend për të parkuar makinën dhe për të bërë plazh. OK! Kështu bëmë, duke harxhuar ca para më shumë për karburantin që rritej përditë nëpër pikat e tregtimit me pakicë. Por që nuk na bënte përshtypje, sepse matanë kufirit nuk ishte 190-195 lekë/ litri, sa në Sarandë, por 1.855-1.900 Euro/litri ! Çështje konvertimi valutash!
Po ndërsa plazhin bëmë sikur e gjetëm, duhet të blinim e të hanim. Mbasdite e freskët? Po, nisemi për në Kalanë e Lëkursit. Natë, rrugë me gropa e pa drita, por qejfi ha kumbulla të tharta!. Tek dera e Kalasë dy trima prisnin bileta: Pesë mijë lekë hyrja, famijët falas!. Po pse? Do të hysh apo jo? Hape rrugën për të tjerët!
Zbritëm poshtë për në Sarandë, duke mërmëritur historinë: Kalaja e Lëkurësit është ndërtim i shekullit të XVI. Mendohet nga historianët të jetë ndërtuar rreth viteve 1537, në kohën kur Sulltan Sulejmani sulmoi Korfuzin dhe i lindi si domosdoshmëri kontrolli i Skelës së Sarandës dhe rrugës që kalon Sarandë-Butrint. Kalaja ndodhet midis rrënojave të fshatit Lëkurës mbi majën e një kodre të lartë që ngrihet sipër qytetit të Sarandës. Ka një pozicion të vecantë strategjik nga ku mund të shikoni gjithë qytetin e Sarandës dhe rrugën që shkon në Butrint, gjithashtu mund të shijoni dhe një panoramë të ishujve të Ksamilit. Eshtë kthyer në një nga pikat më të bukura turistike dhe nga më të frekuentuarat për çdo turist që viziton Sarandën.
E tërci, e vërci!
Qyteti, shërbimi dhe tatimet
Në Greqi i rrahën policët tatimore që kërkuam lëshimin e apodhiksit-faturës!
Në Sarandë nuk kishin çfarë të rrihnin! Nuk kishte tatimorë! Supermarketet nuk lëshinin fatura dhe as kupona tatimore. Mua mu kujtua Tiranë në vitin 2010! Kur u vendosën kasat fiskale. Viti 2010 do të mbahet mend për shkak të aksioneve të mëdha në sektorin e hidrokarbureve, ku tatimet vendosën gati 3 miliardë lekë gjoba për shkak të evazionit dhe mosvendosjses së kasave fiskale.
Në Sarandë nuk kishte kasa. Shitësi i supermarketit afër shtëpisë që kisha marrë me qira i mbante shënim artikujt që unë bleva në një fletore me kutia katrore. Si i mban mend çmimet?- i them. Unë kam blerë gjithë këta artikuj. Pse nuk i kalon në kasë?
Poshtë Hotelit Butrinti ishte një piceri. Bënte pica në furrë druri. I kërkova faturën për shpenzimet që bëra. Prita më shumë se 30 minuta. Erdhi. Më solli një letër ngjyrë jeshile të zhubrosur.