Kuptimi i jetës sipas Davidit

Premierë botërore e një opere shqiptare në Tiranë. David Tukiçi e tregon sonte veprën e tij, një operë lirike, bazuar në dramën spanjolle "La Vida Es Sueno" të Pedro Calderon De La Barca.
Dhe një intervistë me sopranon Klodiana Ibrahimi. Si mund të vijë deri këtu një vajzë që jeton larg shtjellës kaotike të kulturës që bëhet në Shqipëri?
Jeta është ëndërr. Po si ta lexosh këtë? Sikur kuptimi i jetës është tek gjërat e papërmbushura? Apo tek gjërat që s'u vihet vesh të cilat, ashtu si në ëndrrat e gjumit, ruajnë shenjat e fatit njerëzor?
Nuk e dimë se deri ku shkon kërkimi i David Tukiçit, pa parë sonte në mbrëmje punën që ka bërë për kompozimin dhe sjelljen në skenë të "Jeta është ëndërr".
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor e paraqet sonte premierë botërore këtë opera-balet, legjendë në tri akte. Libreti është shkruar nga Giacomo Carbone dhe David Tukiçi i cili siç tregoi dje është frymëzuar nga drama "La Vida Es Sueno" e Pedro Calderon De La Barca.
Kompozitori që prej vitesh jeton larg Shqipërisë, nuk foli gjatë dje për median, por u kërkoi këngëtarëve të jepnin nga pak ferment prej veprës, shoqëruar në piano nga Genc Tukiçi. Provoi me zë të plotë Sixhizmondon tenori Stephen Mullan, protagonist në të gjitha netët e shfaqjeve, Rozaurën sopranoja Emiljana Palushaj, Mbretin Bazilio Erlind Zeraliu, Klarinon Gilmond Myftari dhe Stelën sopranoja Klodiana Brahimi.
Maestro Tukiçi, siç thirret në rrethin e muzikës, sqaroi se libretin e ka konceptuar disi ndryshe nga drama e De La Barca-s. Ai ka shtuar një skenë ëndrre dhe një skenë parajse.
Calderon de la Barca një dramaturg i rëndësishëm spanjoll e shkroi veprën ndërmjet viteve 1532-1536. Ngjarjet zhvillohen në Poloni.
Një ëndërr e keqe për rrëzimin e fronit mbretëror, ka shkaktuar turbulli në oborr. Mbreti Bazil ashtu si Kroni i grekëve homerikë, mendon se i biri Sixhizmondo duhet burgosur sa s'ka ardhur dita që ta zëvendësojë me dorë tirani.
Thuhet që Tukiçi t'i ketë bërë një interpretim filozofik idesë së veprës për vështirësitë e lirisë njerëzore; një interpretim religjioz që tërheq vëmendjen ndaj dëmeve që mund të vijnë si rrjedhojë e sjelljeve të pakontrolluara; një interpretim moral që merr në analizë pasionin dhe arsyen përballë respektit për ligjet dhe përparimet morale; një interpretim politik për të treguar rrugën se ku mund të të çojë shpërdorimi i lirisë.
Tek e fundit "është një protestë kundër dhunës sociale e cila mbyt lirinë individuale, që mund të realizohet vetëm brenda dimensioneve ëndërrimtare".
Gjatë prezantimit për median, ambasadori i Spanjës në Tiranë Manuel Montobbio tha se sfida e David Tukiçit qëndron tek prodhimi i një shprehje të re të një vepre universale siç është opera. Ai shpreson që premiera e sotme në Tiranë të shënojë për veprën fillimin e një turi përtej Shqipërisë.
Pas parashikimeve që u hodhën aty, këngëtarët kaluan menjëherë në skenë ku ishte ndërtuar peizazhi i fillimit të aktit të parë: një kullë-burg ku është ndryrë dhe vërtitet duarlidhur Sixhizmondoja. Është natë.
Tenori Stephen Mullan që duhet të vajtojë për burgimin e padrejtë të personazhit të tij, këndon nën zë. Drejtori Zhani Ciko qetëson ata që nuk e dinë se këngëtarët nuk duhet ta konsumojnë zërin para premierës.
Në sallë këngëtarët me kostume presin rendin e ngjarjeve. Me këtë rast intervistuam sopranon Klodiana Ibrahimi.
Vjen nga Shkodra. Është 24 vjeç. Me rolin e dukeshës Stela ajo do të ketë daljen e parë skenike të rëndësishme. Si mund të vijë deri këtu një vajzë, pak kohë e diplomuar që jeton larg zemrës së informacionit dhe shtjellës kaotike të kulturës që bëhet në Shqipëri?
Intervista me sopranon e re Klodiana Ibrahimi
Klodiana na thua dy fjalë për vete?
Jam nga Shkodra. Kam mbaruar Akademinë e Arteve për Kanto, ka dy vjet. Tani vij këtu që të interpretoj në këtë opera. Davidi është edhe kushëriri im, jo kushëri i zakonshëm. Jemi, si të thuash, shumë të ngjitur me njëri-tjetrin. Më bëri një ftesë që nuk mund ta refuzoja. Për mua është një rast i artë.
Një rast i artë?
Është një rast shumë i mirë sepse është një opera për herë të parë mbas 50-viteve, pothuajse kaq kohë ka rrjedhur që nuk janë krijuar opera në Shqipëri.
Me çfarë merresh në Shkodër?
Në Shkodër përveçse jap mësim në një shkollë 9-vjeçare, praktikoj edhe kanton, individualisht. Merrem edhe me aktivitete të ndryshme që qëllojnë në qytet.
Kjo është hera e parë në Opera?
Kam dy vjet që kam mbaruar dhe më ka takuar të bëj Suor Gjinovefën tek opera "Suor Angjelika". Kam një rol tani në dorë tek Përrallat e Ofenbahut, rolin e Kukullës të cilën shpresoj ta realizoj sa më mirë.
Është e vështirë nga Shkodra deri këtu?
E vështirë sepse gjithmonë do të jem pak më mbrapa se të tjerët. Nuk më takon të jem prezente në të gjitha provat dhe kam pasur edhe vështirësi në këtë opera që të përshtatem.
Si mund të konkurrosh dhe të hysh në "qendër"?
Duhet të gjesh rrugën. Është një rrugë që njeriu duhet ta gjej patjetër. Unë kështu mendoj se po e gjej rrugën time. Këtë mundësi ta japin njerëzit e tu normalisht. Njeriu që ka ambicie e gjen, sakrifikon.
Tek "Jeta është ëndërr" ke rolin e një dukeshe, apo jo?
Siç e tha edhe Davidi, unë jam dukeshë e cila në bashkëpunim me një djalë që e dashuron, që në vërtetë është një duk, duhet të marrë mbretërinë. Por fatkeqësisht, mua më martojnë me djalin e mbretit, me Sixhismondon, dhe detyrohem ta lë dashurinë e jetës sime. Por prapë se prapë e arrij qëllimin tim final.
Si të duket ky personazh?
Është një personazh i dashuruar si fillim, por që shfaq ambicie. Unë mundohem t'i përshtatem. Është një rol që i përshtatet shumë edhe vokalit tim.
Çfarë ngjyrash ka?
Lirico-leggero. Edhe personazhi i Stelës duhet të jetë një soprano lirico-leggero, ashtu si jam unë.
Çfarë është opera për ty?
Jeta ime, për atë kam sakrifikuar shumë dhe s'kam ndër mend të mos sakrifikoj.
Si do t'ia bësh në të ardhmen? Ti jeton në Shkodër dhe kush rri larg "qendrës", rri jashtë "loje". Sot ishte Davidi, po nesër?
Kam ndër mend të bëj një specializim po se sa do të më realizohet këtë nuk e di. Unë do përpiqem.
Çfarë mund të thuash për operën shqiptare, meqë e përmende pak më lart mungesën gjysmëshekullore të saj?
Opera shqiptare është bërë nga një brez i artë i kompozitorëve. Sot mund të them se operës "Jeta është ëndërr", po të vihej në skenë në ndonjë vend tjetër, do t'i kishin bërë jehonë edhe më gjigante se sa po i bëhet.
Është një mrekulli të krijosh opera pas disa viteve pauzë. Rëndësinë e kësaj do ta kuptojmë kur të kalojnë vitet.
Puna me Davidin si është?
Ah, puna me Davidin është shumë strikte. Ne njihemi jashtë, por aty brenda nuk njihemi, absolutisht.Ai ka të gjitha të drejtat e botës të kërkoj llogari tek unë.
Shpeshherë kemi pasur shqetësim për këtë rol sepse unë kam qenë jo asistente në prova, kam qenë pak pasive në krahasim me të tjerët. Por udhëtimet e mia prej Shkodrës, sakrifica ime, shpresoj të më shpërblehen: Të dalë sa më mirë dhe Davidin ta bëjë të ndihet krenar.
Çfarë çmon tek kjo operë?
Muzikën. Është e mrekullueshme, edhe arien e Rozaurës në veçanti. Skena e parajsës të bën të ndihesh si në parajsë. Muzika ka shumë elemente shqiptare, po ashtu edhe koreografia e Agron Aliajt.
Jeta është ëndërr?
Ka shumë gjëra në jetë që të mbajnë zgjuar, ka dhe shumë të tjera që janë ëndrra.
Por, ohu, unë nuk e besoj që jeta është ëndërr.
Sa vjeç je?
24, i mbush sot (dje).
Gëzuar ditëlindjen!
Falemnderit!
Të dhëna
"Jeta është ëndërr" shfaqet në datat 28-30 prill dhe 2 maj, ora 19.00. Koreografia: Agron Aliaj (Artist i Popullit); dirigjent i korit: Dritan Lumshi; mjeshtër special i përgatitjes: Genc Tukiçi; skenografia: Genc Shkodrani; regjisor: Alfred Trebicka; dirigjent David Tukiçi. Në role interpretojnë dhe Rezarta Qevani, Rudina Delia, Elson Braha, Luan Sula, balerinët Erisa Gina, Greta Hushi, Dion Gjinika, Julind Dervishi