Islami: Futem në Kuvend për liberalizimin e vizave
Deputeti i PS-së, Kastriot Islami, shprehet se do të hyjë në parlament vetëm në rast se do të votohet për çështje madhore që kanë të bëjnë për liberalizimin e vizave. I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në TV Alsat, Islami deklaroi se “e kam thënë personalisht, se në qoftë se vota ime do ishte e dobishme në Parlament, do ta djeg edhe karrierën politike, në mënyrë figurative, sepse natyrisht s’kam pse ta djeg atë”. “E dyta kam përmendur një thënie të një anëtari të partisë naziste, se kur duhet të ndiqte Hitlerin në ndonjë vendim tha: Më mirë të jem tradhtar i partisë, se sa tradhtar i ndërgjegjes sime. Nuk e them për demagogji, por çështja e liberalizimit është e rëndësishme. Nëse do të duhet vota ime dhe është e dobishme, do të jem në Parlament”, tha Islami. Sipas tij, ky është një qëndrim personal i tij dhe s’ka të bëjë me Lëvizjen Për Mendimin Ndryshe. “Është shumë e rëndësishme për të parë se nëse unë do të isha i 84 deputet, ose me votën time bëhen 84 deputetë, praktikisht unë do hyja në parlament. Por nëse vota ime shkon në 75 vota, nuk do shkoja pasi nuk do të bëhesha qesharak. Do të hyja dhe do të jepja votën pro dhe për ndonjë marrëdhënie shumë të rëndësishme mes Shqipërisë dhe SHBA-së, për shembull për dërgimin e trupave të përbashkëta në Afganistan, vota ime do të ishte pro”, theksoi Islami. Deputeti socialist u shpreh se bojkotoi i ndërmarrë dhe protesta nuk është zgjidhja për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. “Mendoj se PS-ja duhet të ndjekë edhe skemën e PDK-së, e cila ka dërguar disa kallëzime penal në prokurori për të hapur kutitë e votimit”, theksoi Islami. Sipas tij, “PS-ja rrezikon të mos jetë një parti e socialistëve, çdo gjë mund të jetë por e socialistëve jo”. “Kam pasur takime me ndërkombëtarët dhe ato janë absolutisht kundër bojkotit të Parlamentit. Këto qëndrime ato i kanë bërë publike edhe më parë dhe janë të shqetësuar për bojkotin”, theksoi Islami. Ai bëri të ditur se PS-ja ka gabuar në tre faza, çka do ta dëmtojë si parti. E para lidhet me zgjedhjet në kundërshtim me statutin të kreut të PS-së, e dyta lidhet me bojkotin e Kuvendit që është sipas tij, vetëvrasës dhe me mungesën e analizës së thellë për humbjen e zgjedhjeve... “PS është kthyer në një parti që drejtohet me anë të sms-ve telefonike, ku i jepet urdhër që të dalin në konferenca dhe të japin qëndrimet e tyre”, theksoi Islami.