Fetë, Topi: Modeli ynë për t’u studiuar
Presidenti Bamir Topi tha dje se modeli shqiptar i harmonisë fetare duhet të merret në konsideratë nga të gjithë ata që kanë qenë refraktarë ndaj bashkëpunimit ndërfetar. “Studimi i arealit fetar shqiptar është një shans dhe zgjidhje njëkohësisht për bashkekzistencën fetare. Historia na ka vënë në krah apo përballë njëri-tjetrit, pra përjetësisht jemi të “dënuar” të rrimë kështu, dhe jam i bindur që të gjithë aspirojmë një jetë më të mirë në paqe e harmoni. Për këtë duhen mbështetur pa kushte punëtorët e dialogut, këta qytetarë të progresit”, tha kreu i shtetit. Sipas tij, “ne të gjithë jemi krenarë për harmoninë e shkëlqyer që ekziston ndërmjet bashkësive fetare në vendin tonë, vend në të cilin brenda një kohe të shkurtër janë realizuar disa takime që evidentojnë në mënyrë të qartë këtë frymë”.