Kuqezinjtë Under-19, disfatë 3-0 me Anglinë
Eliminatoret e Evropianit Under-19, në Irlandën e Veriut, kanë filluar me humbje për kombëtaren shqiptare, të drejtuar nga trajneri Ramadan Shehu. Kuqezinjtë janë dorëzuar lehtësisht përballë Anglisë, duke humbur me shifrat 3-0. Goli i parë është pësuar vetëm pas 6 minutave lojë dhe ai mbante firmën e lojtarit të Mançester Junajted, Deni Drinkuotër. Shifrat janë dyfishuar në të 39-ën nga Natan Delfuneso, i Aston Vilës, që vetëm pak metra larg portës nuk e kishte të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë. Goli i tretë, që vulosi edhe rezultatin final u realizua nga futbollisti i Arsenalit, Henri Lansbëri, kur mungonin edhe 11 minuta nga mbyllja e ndeshjes. Në takimin tjetër të grupit, Serbia fitoi 3-1 përballë vendasve të Irlandës së Veriut (gola të Milanoviç, Miliç e Alesksiç përpara golit të nderit të shënuar nga Kris Ramsi). Të premten, kuqezinjtë zbresin sërish në fushë, ku si kundërshtarë do të kenë bashkëmoshatarët e tyre serbë.