E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria avancon me 19 vende në renditjen e FIFA-s

Shqipëria ngjitet me 19 vende në renditjen e FIFA-s, duke u renditur në vendin e 83-të. Pas rezultateve pozitive në dy sfidat eliminatore të muajit shtator (barazim 0-0 me Suedinë dhe fitore 3-0 me Maltën), kuqezinjtë kanë fituar 64 pikë në klasifikimin botëror. Nga vendi i 102-të, ku renditej përpara fillimit të ndeshjeve për Botërorin 2010, tashmë skuadra e Ari Han e sheh veten e 83-a, me 416 pikë të grumbulluara në total. Renditja zyrtare e "qeverisë" botërore të futbollit nuk ka sjellë lajme të mira për kundërshtarët e radhës së kuqezinjve. Hungaria dhe Portugalia, me të cilat do të ndeshemi respektivisht më 11 dhe 15 tetor, kanë pësuar rënie. Pas barazimit 0-0 me Danimarkën dhe humbjes 2-1 me Suedinë, hungarezët e Ervin Kuman kanë humbur 12 pozicione, duke zbritur në vendin e 62-të. Një "hap" prapa edhe për luzitanët e Karlos Kueiroz, që pas fitores së thjeshtë me Maltën humbën 3-2 në shtëpi me Danimarkën: portugezët mbyllin "Top 10" vendet e para. Me klasifikimin në vendin e 83-të, Shqipëria është ende larg renditjes më të mirë për vitin 2008 (vendi i 73-të në muajin shkurt) dhe "rekordit" historik të gushtit të vitit 2006, kur e ka parë veten e 62-a. Ngjiten dy skuadrat e tjera të grupit, Suedia (+3, vendi i 28-të) dhe Danimarka (+5, vendi i 31-të). Në renditjen kontinentale, atë të UEFA-s, kuqezinjtë janë në vendin e 40-të.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›