Kuqezinjte e “humbur” nga Tirana në Bukuresht

Në fakt, ky mund të ishte titulli i një reportazhi sportiv. Por në fokus janë ndryshimet e listës së lojtarëve shqiptarë të "humbur" rrugës. Midis lojtarëve që trajneri Baric thirri për ndeshjen e parë kundër Rumanisë, të humbur 0-2 në Tiranë (më 6 shtator, gola të Dika dhe Mutu (11-m) dhe atyre të thirrur për ndeshjen së mërkurës (21 nëntor, në Bukuresht). Ndryshimet janë jo pak, por nga lista anti-Rumani, ajo e Tiranës, te ajo anti-Rumani e Bukureshtit mungojnë 9 lojtarë, ndërkohë që pesë prej tyre i kanë dhënë lamtumirën Kombëtares apo janë detyruar të mos jenë më pjesë e përfaqësueses. Emrat janë të shquar. Ish-kapiteni Igli Tare, i dyti për nga numri i ndeshjeve ndërkombëtare, me 68 të tilla, pas një tjetër ish-kapiteni si Foto Strakosha (73, rekord shqiptar i aktivizimeve), është mungesa e madhe e sfidës. Sulmuesi i Lacios nuk thirret për një ndeshje zyrtare pikërisht pas takimit me Rumaninë. E fundit për Taren ka qenë miqësorja kundër Maqedonisë. Në listën e "lojtarëve të humbur" është edhe Adrian Aliaj, Besnik Hasi (43 ndeshje), Edvin Murati (46 ndeshje), Blendi Shkëmbi, Bekim Kastrati. Jashtë listës së dytë anti-Rumani mungojnë për arsye dëmtimesh apo të tjera Devi Muka, Erion Xhafa, Elvin Beqiri.