E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri beteja të mëdha për vendin e katërt ne grupin G

Dash Frashëri
Shqipëria, Sllovenia dhe Bjellorusia luftojnë me "kuajt e mëdhenj" për të ndarë midis tyre vendin e katërt. Kur u hodh shorti për Grupin G, u pa qartë se vetëm tre nga shtatë ekipet do të luftonin për dy vendet që të conin në Kampionatin Europian 2008: Holanda, Rumania dhe Bullgaria, ndërsa tri të tjerat Shqipëria, Sllovenia dhe Bjellorusia, do të luftonin për të ndarë midis tyre vendin e katërt, duke parë dhe faktin se Luksemburgu modest natyrshëm që do të luante thjesht për statistikë. Për 15 muaj, "kuajt e mëdhenj" ishin në një garë të ethshme për dy vendet e para, por pas Rumanisë (e para në grup), edhe Holanda e Marko Van Bastenit me fitoren 1-0 kundër Luksemburgut siguroi një vend në Euro 2008. Holandezët dhe rumunët bashkëkryesojnë grupin me nga 26 pikë përpara se të dyja skuadrat të luajnë ndeshjet e fundit respektivisht kundër Bjellorusisë dhe Shqipërisë. Të dy ekipet do të bëjnë përpjekjen e fundit për të fituar takimet me kundërshtarët për të vendosur edhe fituesin e grupit. Djemtë e Viktor Picurkës duket se e kanë më të lehtë se rivalët e tyre, pasi luajnë në shtëpi kundër Shqipërisë, ndërkohë që "portokallinjtë" vizitojnë Bjellorusinë. Të dy kryesuesit kanë të njëjtat rezultate: me tetë fitore, dy barazime dhe nga një humbje secili. Në rast se Rumania dhe Holanda marrin të njëjtin rezultat ndaj kundërshtarëve të tyre (fitore, barazim apo humbje), Rumania do të jetë kryesuesja e grupit falë rezultateve kokë më kokë: ajo barazoi në Roterdam 0-0 dhe fitoi 1-0 në Konstanca. Dimitar Penev do ta lërë Bullgarinë në vendin e tretë, cilido që të jetë rezultati kundër Sllovenisë në Celje, kurse Luksemburgu, që i ka mbyllur ndeshjet e tij me 11 humbje në 12 takime (të paktën fitoi një), mbetet përjetësisht i fundit. Faqja e njohur sportive britanike goal.com ka marrë në analizë të trija ndeshjet e fundit të grupit tonë. Rumani-Shqipëri Pasi arritën deri në cerekfinalet e Euro 2000, performanca më e mirë në një Kampionat Europian, Rumania dështoi të merrte pjesë në finalet e Portugalisë pasi përfundoi e treta në grupin e saj kualifikues, në të cilin bën pjesë mes të tjerash edhe Danimarka me Norvegjinë. Kësaj radhe, gjërat janë ndryshe. Edhe pse barazoi në shtëpi 2-2 me Bullgarinë në ndeshjen e parë, ajo bëri një ecje të bukur me tetë fitore dhe një barazim me Holandën, duke mbërritur në finale për herë të katërt në historinë së saj. "Tricolorii" pësuan humbje për herë të parë gjatë kësaj fushate ditën e shtunë kundër Bullgarisë (1-0). Megjithatë, Rumania ka sulmin më të mirë në grup me 20 gola, pavarësisht se të mërkurën do të luajnë kundër Shqipërisë pa Adrian Mutunë, Kozmin Kontrën, Laurentiu Rosunë dhe Mirel Radoin. Me trajnerin austriako-kroat, Oto Baric, i ndëshkuar me tri ndeshje për të mos e drejtuar në bankinë, Shqipëria pësoi humbjen më të rëndë gjatë këtyre kualifikueseve, duke u mundur 2-4 kundër Bjellorusisë në Tiranë. Është e qartë se me vetëm dy fitore, të dyja në kurriz të Luksemburgut të pashpresë, Shqipëria nuk mund të pretedonte më shumë, pavarësisht se ajo ka arritur rezultate më të mira jashtë. Kjo do të jetë përballja e gjashtë në takimet zyrtare të njohura nga FIFA, ndërkohë që Rumania i ka fituar të pesë takimet e mëparshme duke shënuar 14 gola dhe pësuar vetëm dy. Bjellorusi-Holandë Të shtunën e kaluar, trajneri gjerman Bernd Shtange shijoi fitoren e parë të tij qysh kur mori drejtimin e skuadrës së Bjellorusisë, kur arriti të përmbysë rezultatin 2-1 në një fitore sensacionale 4-2 në transfertë, që ishte edhe e shtata në kampionatet europiane, në raport me 24 humbjet. Për Bjellorusinë, në dyshim janë mbrojtësi i majtë Dimitri Molosh dhe mesfushori Igor Stasevic. Edhe pse arriti ta cojë Holandën për herë të tetë në finalet e një Europiani, reputacioni i Marko van Bastenit midis bashkatdhetarëve të tij është në rënie e sipër. Ekipi i tij, edhe pse ishte pritës dhe krijoi raste të shumta, fitoi me vështirësi me Luksemburgun (1-0) falë edhe pritjeve të portierit Van der Sar. Rud van Nistelroi dhe Klarens Sedorf nuk udhëtuan për në Minsk, ndërkohë që Arjen Roben dhe Robin van Persi janë të dëmtuar. Fituesi i Kampionatit Europian 1988 tashmë e ka një vend në finalet e Austrisë dhe Zvicrës, por është formacioni i "tulipanëve" formacioni që ka shënuar më pak gola midis ekipeve të kualifikuara. Nga ana tjetër, ata kanë pësuar vetëm 3 gola, më pak se kushdo tjetër në këtë turne, duke ndarë së bashku me Francën edhe mbrojtjen më të mirë në kualifikuese. Në ndeshjen e fundit Holanda fitoi 1-0 me Bjellorusinë. Slloveni-Bullgari Pas deklarimit të pavarësisë nga Jugosllavia në qershor të vitit 1991, Sllovenia ia doli të merrte pjesë në finalet e Kampionatit Europian nëntë vjet më vonë, në vitin 2000, por ajo ka dështuar dy herë me radhë për ta përsëritur këtë sukses. Ashtu si Shqipëria edhe Bjellorusia, formacioni i Matjaxh Kek do të përpiqet t'i përfundojë kualifikueset në vendin e katërt, pas rivalëve të tyre të ditës së mërkurë. Megjithatë, ata dështuan të shënonin në gjashtë prej 11 ndeshjeve të tyre, duke shënuar vetëm 9 gola në këto takime. Trajneri 46-vjecar vendosi të mos ndryshojë listën e lojtarëve, duke thirrur vetëm portierin 24-vjecar Saso Fortuzi që luan me Austrinë e Vienës, si të vetmin lojtar që nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje. Edhe pse dështoi të kualifikohej, Bullgaria dëshiron ta mbyllë me nder fushatën. Fitorja kundër Rumanisë në shtëpi, e para në 100 ndeshjet e zhvilluara në historinë e kampionatave europiane. Penev, trajneri i tretë gjatë fushatës, do të jetë për herë të fundit në drejtimin e Bullgarisë, pavarësisht se ai personalisht pohoi se ka bërë një punë të mirë. Dy barazimet me Shqipërinë i kushtuan edhe kualifikimin Bullgarisë. Valeri Bozhinov, Svetoslav Todorov, Georgi Petkov, Martcho Davtchev, Lucio Vagner dhe Stanislav Angelov janë jashtë formacionit të vizitorëve. Bullgaria fitoi takimin e parë kundër Sllovenisë 3-0.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›