Kuqezinjtë humbasin 4 vende
Kuqezinjtë vijojnë rënien e lirë në listën e përmuajshme të kombëtareve që publikon FIFA. Për muajin nëntor, krahasuar me një muaj më parë, pra tetorin, Shqipëria ka zbritur katër vende, duke e parë veten e 75-ta (në tetor ishte në vendin e 71-të). Mesa duket, humbja 1-0 në ndeshjen miqësore me Azerbajxhanin në Tiranë dhe barazimi i bardhë 0-0 me Maqedoninë, në Prilep, kanë kondicionuar edhe këtë rezultat negativ klasifikues të kombëtares sonë. Tri skuadrat, që janë të parat në këtë lloj klasifikimi mujor, Spanja, kampionia e botës dhe e Europës në fuqi, Holanda dhe Gjermania, kanë ruajtur vendet dhe pikët që kishin muajin e shkuar, pa bërë asnjë ndryshim.