E Diel, 1 Nëntor 2026

Napoli befason Europën, tabloidët të pamëshirshëm me Mançinin

Fitorja historike ndaj Mançester Sitit nuk është e rastësishme, por fryt i një organizimi të bërë nga Maxarri. Ndërkohë, në Angli Mançini përfundon në “syrin e ciklonit” mediatik

Do të doje që disa net të mos mbaronin kurrë, sepse një Napoli i tillë është edhe më mirë sesa “një grua e bukur”, sipas një thënie të vjetër të tifozëve napoletanë të dashuruar me fanellën e kaltër. Natë emocionesh dhe feste në qendër të qytetit, sepse kjo fitore 2-1 ndaj Mançester Sitit duhet festuar gjatë dhe do të mbetet e gdhendur në historinë e klubit që me Maradonën kishte përjetuar lavdinë e tij për të rrëshqitur më pas deri në kategorinë e tretë. I pari që flet për Napolin është njëfarë Xhixhi Bufon. “Napoli, për mënyrën e lojës që bën, është skuadra më europiane në Itali”. Jo se është më e fortë se Milani që ka individë të shkëlqyer, por është loja e organizuar nga skuadra që bazohet në kundërsulme të egra. Kjo tregon se skuadra e Maxarrit është e shkëlqyer dhe jo vetëm në aspektin mental, por edhe teknik e taktik sepse lojërat e Napolit janë rritur mjaft gjatë këtij dyvjeçari. Kjo “rritje thelbësore” që Maxarrit i pëlqen ta kujtojë shpesh, është e vulosur nga statistikat. Pas katër tureve të para, Napoli ishte skuadra me më pak goditje në kuadrat në të gjitha grupet, por me 7 gola të shënuar. Por në natën kundër Sitit, gjuajtjet në kuadrat kanë qenë 6, që tregon se po punohet shumë në këtë pikë. Në mendje kanë mbetur golat e Kavanit, përshpejtimet e pabesueshme të Lavecit, por kanë lëvizur të gjithë në sinkroni, duke u lënë shumë pak hapësire një baterie sulmuese e aftë të frikësojë të gjithë mbrojtjet e botës. Dhe për sa i përket mbrojtjes, mjafton të përmendim një që prej tre vjetësh po luan në nivele të shkëlqyera, Morgan te Sanktis, që me pritjet e tij mban Napoli në vijë.

Shtypi britanik kundër Mançinit

Tani vetëm një mrekulli, e thirrur në faqen sportive të “Daily Express”, mund t’i evitojë Mançester Sitit “rrëshqitjen e papritur në kanalin sportive numër 5”, siç shprehet me ironi e gjithë faqja e Times, që nënvizon eliminimin thuajse të sigurtë nga Champions League, dhe që do të thotë se ndeshjet e Sitit do të spostohen në një tjetër TV anglez, atë që transmeton ndeshjet e Europa League. E vërteta është se ndonëse klubi është në “humnerën europiane” sipas Guardian apo Star, është në valle gjithnjë historia e mrekullisë, ku duhet të fitohet ndaj Bajernit tashmë të kualifikuar dhe të shpresosh që Vilareal t’i shkëpusë Napolit të paktën një barazim. Megjithatë, në “Europë ka vetëm tym dhe fare rosto”, sipas gjykimit të gazetarit sportive Martin Samuel në “Daily Mail”, që ka përmenduar edhe njëherë se “nuk mjaftojnë paratë për të garantuar suksesin”, siç shkruan në titullin e saj Mirror.

Grupi A

Të martën

Napoli – Mançester Siti 2-1

Bajern Mynih – Vilareal 3-1

Renditja

Skuadra N F B H P

1.Bajern Mynih 5 4 1 0 13

2.Napoli 5 2 2 1 8

3.Mançester Siti 5 2 1 2 7

4.Vilareal 5 0 0 5 0

7 dhjetor

Mançester Siti – Bajern Mynih 20:45

Vilareal – Napoli 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›