E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy vjet pa Kadri Roshin

Është konsideruar legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Kadri Roshi, kolosi i filmit dhe teatrit shqiptar, ndërroi jetë dy vjet më parë, më 6 shkurt të vitit 2007 në Tiranë. I gjithë komuniteti i artistëve shqiptarë, dy vite më parë, u përkul me nderim para trupit të pajetë të Kadri Roshit, kolegut dhe profesorit të tyre, gjatë homazheve të zhvilluara në Teatrin Kombëtar në Tiranë.

Aktorë të brezit të tij, por edhe të brezit më të ri, regjisorë, operatorë, njerëz të njohur të artit dhe të kulturës, nga spektri politik, miq dhe dashamirës, i dhanë lamtumirën e fundit njeriut, i cili u dallua gjatë të gjithë jetës për pasionin, përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e tij. Shumë fotografi nga rolet e tij më të spikatura shoqëronin këtë ceremoni. Të vendosura në hollin e Teatrit Kombëtar, shumë pak larg skenës ku Kadri Roshi interpretoi për herë të parë në vitin e largët 1945, ishin shoqërueset më fisnike të ceremonisë, ku për herë të parë nuk u dëgjua zëri dhe fjala e goditur e aktorit të madh. Kadri Roshi lindi më 4 janar 1924, në Mallakastër. Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951. E filloi karrierën si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë edhe ndër krijuesit e teatrit. Ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Në një nga ditët e shëndetit të përkeqësuar, ai do rrëfente se me interpretimin në filmin e regjisorit Viktor Gjika, "Njeriu me top", kishte realizuar rolin e karrierës: "Plaku Mere është kurora e roleve të mi. Atë e kam ndërtuar vetë nga e para, si kam ditur".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›