"Zgjero horizontin tënd", fituesit në Berlin
Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin në Komisionin Evropian, në bashkëpunim me shoqatën "Shtypi Rinor Evropian" dhe "Café Babel", kanë çelur konkursin "Gazetarë të Rinj Evropianë" për vitin 2009, një konkurs panevropian për gazetarë të grupmoshave të reja. Këtë vit Evropa feston 20-vjetorin e rënies së Perdes së Hekurt dhe 5-vjetorin e hyrjes në Bashkimin Evropian të 8 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe të Maltës dhe Qipros. Këto përvjetorë ofrojnë një pikënisje speciale për aspirantë ose gazetarë profesionistë nga e gjithë Evropa për të reflektuar dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian. Pas suksesit të vitit të shkuar, Komisioni Evropian ofron mundësinë për shumë gazetarë të rinj të tjerë që të tregojnë talentin e tyre. Krahas artikujve në shtypin e shkruar dhe atë online, konkursi i sivjetshëm është i hapur edhe për gazetarët e radios. Konkursi është i hapur deri më 31 maj 2009. Temat e aplikimeve të të dy fushave duhet të bazohen te zgjerimi i BE-së dhe/ose tek e ardhmja e Evropës. Këtë vit është menduar që pjesëmarrësit t‘i përkasin moshës nga 17 deri në 35 vjeç dhe të jenë shtetas të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, vendeve kandidate ose të vendeve kandidate të mundshme (Ballkani Perëndimor dhe Turqia). Me rastin e hapjes së konkursit Olli Rehn, komisioneri për Zgjerimin përshëndeti edicionin e dytë të këtij konkursi, ndërsa uroi të lexojë dhe dëgjojë pikëpamjet e gazetarëve të rinj nga e gjithë Evropa. "Të rinjtë janë udhëheqës të rëndësishëm të opinionit të brezit që i përkasin dhe ky konkurs u jep atyre mundësinë të shkëmbejnë eksperienca dhe pikëpamje mbi ardhshmërinë evropiane", tha ai. 35 fituesit kombëtarë të Çmimit Gazetarë të Rinj Evropianë do të ftohen në një udhëtim kulturor dhe historik në Berlin. Kryeqyteti i Gjermanisë do të festojë këtë vit 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.