Shkrimtari përballë lexuesit
Instituti i librit dhe i promocionit, "Toena", në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, organizojnë mesditën e sotme në sallën e Akademisë së Shkencave, paraqitjen e romanit të ri të shkrimtarit Fatos Kongoli, "Bolero në vilën e pleqve". Romani më i ri i Fatos Kongolit, romancierit të spikatur dhe padyshim më të rëndësishëm të dy dekadave të fundit në letërsinë shqipe, sapo është hedhur në qarkullim. "Bolero në vilën e pleqve" është cilësuar si vepra më e mirë e shkruar nga Kongoli në korpusin e tij prej 10 romanësh në më pak se 20 vjet. Kongoli, i cili ka qenë jashtë Shqipërisë prej disa muajsh, i ftuar në një tur të gjatë takimesh në Francë dhe vendet e Evropës Veriore, do të vijë posaçërisht nga Amerika me rastin e përurimit të romanit të tij, ku është menduar të realizohet edhe një takim me lexuesit, të cilëve u ka munguar prej kohësh. Romani i ri është një përpjekje e mundimshme e autorit për të depërtuar në skutat më të errëta të psikikës njerëzore, një tablo e errët, me ngjyra të rreme të një jete vanitoze dhe të trishtueshme të shoqërisë sonë që sapo është çliruar nga kthetrat e një shoqërie të mbyllur, por që hapjen ndaj botës e përjetoi si shqyerje të portave dhe lirinë si anarki, ku pasiguria e jetës së njeriut, sidomos e femrës, rrezikoi të fusë me përmasa të frikshme gjithë shoqërinë shqiptare në rrugën e deformimeve të ndjeshme të karakterit dhe të vetë qenies. Në këtë situatë gri veprojnë personazhet në romanin e Kongolit. Dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t‘i shtjerë në dorë. Botën e mbyllur të vilës e trazojnë kohë më kohë doktori i familjes, njeri qejfli, hokatar dhe i paparashikueshëm; djali i pleqve, bos i një firme të fuqishme ndërtimi, me gruan e tij të re e të bukur; vajza e madhe e pleqve, gjyqtare e rreptë; një femër enigmatike, po aq e bukur, veshur gjithmonë me të zeza etj. Duke na sjellë me këtë libër prozën e tij më të përkryer, Kongoli, përmes rrëfimit të infermieres, zbulon misteret e saj, dramat e personazheve, me ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura.
"Bolero në vilën e pleqve" është një qasje ndaj ekzistencës njerëzore, që nuk e kemi hasur më parë në letrat shqipe.
"Bolero në vilën e pleqve" është një qasje ndaj ekzistencës njerëzore, që nuk e kemi hasur më parë në letrat shqipe.