Gërmimet arkeologjike, tani edhe nga subjekte private
Gërmimet arkeologjike në territorin e Shqipërisë tashmë nuk do të kryhen vetëm nga specialistë të institucioneve shtetërore, por edhe nga individë apo subjekte private. Kjo është një nga pikat në legjislacionin e hartuar nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, mbështetur mbi Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 725 dt. 21.05.2008 për "Përbërjen, funksionimin, kompetencat dhe mënyrën e shpërblimit të Anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë". Ky këshill, i ngritur vetëm 7 muaj pas krijimit të ASHA-s, ka miratuar gjithashtu edhe të parën rregullore për standardet e gërmimit arkeologjik dhe gërmimit të shpëtimit. Kjo rregullore përfshin edhe kriteret e ushtrimit të profesionit të arkeologut; kriteret e gërmimit, dokumentimit dhe arkivimit të të dhënave dhe materialeve arkeologjike; kriteret dhe procedurat administrative për marrjen e lejeve të ushtrimit të profesionit të arkeologut nga individë dhe subjekte private. "E hartuar nga një grup pune nën drejtimin e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA), kjo rregullore përbën bazën e mbarëvajtjes së kërkimit arkeologjik, si dhe synon standardizimin dhe unifikimin e dokumentacionit arkeologjik në territorin e Republikës së Shqipërisë", shprehet Roland Olli, drejtor i ASHA-s. Sipas tij, gjatë këtyre muajve, struktura më e re në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka kryer mbi 30 mbikëqyrje paraprake në qytete të ndryshme të vendit, duke përpiluar relacionet përkatëse dhe disa mbikëqyrje arkeologjike (gërmime arkeologjike). Ndërkohë, janë në proces për mbikëqyrje arkeologjike në terren edhe 2 sheshe gërmimi në qytetin e Durrësit. Gjatë kësaj pune, që ka të bëjë kryesisht me konstatimin dhe shpëtimin e materialit arkeologjik në vende që ndërtohen, ka pasur raste edhe të zbulimit të objekteve të rëndësishme arkeologjike. Ndërkohë që shtrirja gjeografike e mbikëqyrjeve apo gërmimeve arkeologjike tashmë shtohet me veprimtarinë që do të ushtrojnë individë apo subjekte private. Ata do të licencohen nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, kryetar i së cilit është ministri Ylli Pango, me përbërjen e 11 specialistëve të tjerë nga Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, specialistë të ASHA-s, zyrës së trashëgimisë së kulturës në MTKRS, përfaqësues të zyrës juridike dhe personalitete të tjera të fushës. Më parë, specialistët patën kundërshtuar ngritjen e ASHA-s si një strukturë më vete në MTKRS, duke e akuzuar ministrin Pango se po i përqendronte të gjitha vendimet në duart e tij. Sipas Surja Lelës, shef i sektorit të arkeologjisë së shpëtimit, licencat do të jepen vetëm kur individët apo shoqëritë të përmbushin kriteret e caktuara: një stazh pune 5-vjeçar, të kenë minimumi gradën master ose doktor shkencash, të jenë bashkautorë në të paktën tri projekte, dhe të kenë një staf të mirë për realizimin e projekteve të caktuara. Puna e tyre do të jetë e përqendruar në mbikëqyrjen dhe gërmimin arkeologjik gjatë projekteve të mëdha që ndërtohen nga financues privatë. Sipas Lelës, ASHA do të ndërmjetësojë nënshkrimin e kontratave të tyre me investuesit. Licencimin e këtyre subjekteve, drejtori Olli e quan në radhë të parë një përgjigje ndaj domosdoshmërisë për liberalizimin e këtij lloj "tregu". Ndërsa Lela shton se "në Republikën e Shqipërisë ka shumë projekte që janë vepra të mëdha. ASHA apo Instituti i Arkeologjisë e ka të pamundur të mbulojë të gjithë territorin. Ka shumë arkeologë me tituj e grada shkencore që kanë mbaruar studimet brenda dhe jashtë vendit, që mund ta bëjnë shumë mirë këtë punë". Por si do të përcaktohet materiali arkeologjik që do të nxjerrin nga nëntoka këto subjekte private? Çdo të bëhet me këtë material? "Këto subjekte do të mbikëqyren nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Të gjitha objektet që dalin nga këto gërmime arkeologjike do dokumentohen në vend dhe pas konservimit do të dorëzohen pranë drejtorive rajonale të monumenteve të kulturës dhe pranë muzeve arkeologjikë", thekson shefi i sektorit të arkeologjisë së shpëtimit. Në raste të shkeljes së rregullores së përcaktuar, parashikohen masa ndëshkuese për individët apo subjektet me përjashtim deri në 5 vjet nga projekte të ndryshme. Ndërkohë që Lela thekson se edhe para kësaj rregulloreje, ASHA ka gjobitur arkeologë apo subjekte ndërtimi që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Por shtrirja e mëtejshme e gërmimeve arkeologjike duket e pakuptueshme, në një kohë që vitet e fundit specialistët kanë ngritur gjithnjë e më shumë zërin për mungesë të fondeve për restaurimin e pasurisë që del nga nëntoka. Raste konkrete ka pasur mjaft. Edhe të shkatërrimit të këtij materiali. "Ky është një problem që ka ndodhur shumë shpesh dhe rëndom në Shqipëri. Këshilli Shkencor nuk do të miratojë asnjë projekt që nuk ka në përbërje stafin e tij konservues dhe restaurues. Për fatin tonë të keq, Instituti i Arkeologjisë për vitin 2008 ka pasur mbi 20 projekte dhe vetëm dy prej tyre, ekspedita në Bylis dhe Finiq, kanë përfshirë konservimin dhe restaurimin", thekson Lela. Ndërkohë që duket se kjo strukturë do të vazhdojë të merret më tej me plotësimin e legjislacionit. Sipas Ollit, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Trashëgimisë Kombëtare (MTKRS) ka filluar puna për hartimin e Rregullores për Administrimin e Zonave Arkeologjike "A" dhe "B" brenda qyteteve Shkodër, Lezhë, Krujë, Durrës, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Sarandë.
Bazuar në intensitetin e gjetjeve, aty ku është e nevojshme, do të propozojë edhe rishikim të kufijve. Ndonëse gjatë këtyre muajve puna e tyre në terren nuk ka qenë e bujshme, drejtori Olli shprehet se është punuar në një sërë projektesh. "Në kuadër të projekteve për ndërtimin e veprave madhore nga ASHA janë përgatitur rreth 20 oponenca për projektet si: Centralet me Erë dhe Biomasë në Lezhë, Studimi urbanistik dhe plani rregullues i qytetit të Peqinit, Plane Rregullues të disa qyteteve, Parqet eulik dhe linja e interkonjuksionit Vlorë-Brindisi, Heci Sasaj, Vlorë, Linja 400 kv në Qarkun Tiranë, Hidrocentrale të ndryshme, Porto-Romano/masterplani. Përgatitja e oponencave është shoqëruar me verifikime në terren dhe në raste të projekteve që prekin zonat me potencial arkeologjik, specialistët kanë kërkuar ndryshime". Olli citon rastin e projektit për linjën e tensionit të lartë 400 kV Tiranë-Podgoricë, duke e zhvendosur atë në një distancë prej 1000 m nga qyteti antik i Zgërdheshit (Krujë). Por pritet të shihet se sa funksionale do të jenë këto rregullore që hartohen e nënshkruhen në letra.
Bazuar në intensitetin e gjetjeve, aty ku është e nevojshme, do të propozojë edhe rishikim të kufijve. Ndonëse gjatë këtyre muajve puna e tyre në terren nuk ka qenë e bujshme, drejtori Olli shprehet se është punuar në një sërë projektesh. "Në kuadër të projekteve për ndërtimin e veprave madhore nga ASHA janë përgatitur rreth 20 oponenca për projektet si: Centralet me Erë dhe Biomasë në Lezhë, Studimi urbanistik dhe plani rregullues i qytetit të Peqinit, Plane Rregullues të disa qyteteve, Parqet eulik dhe linja e interkonjuksionit Vlorë-Brindisi, Heci Sasaj, Vlorë, Linja 400 kv në Qarkun Tiranë, Hidrocentrale të ndryshme, Porto-Romano/masterplani. Përgatitja e oponencave është shoqëruar me verifikime në terren dhe në raste të projekteve që prekin zonat me potencial arkeologjik, specialistët kanë kërkuar ndryshime". Olli citon rastin e projektit për linjën e tensionit të lartë 400 kV Tiranë-Podgoricë, duke e zhvendosur atë në një distancë prej 1000 m nga qyteti antik i Zgërdheshit (Krujë). Por pritet të shihet se sa funksionale do të jenë këto rregullore që hartohen e nënshkruhen në letra.