E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet kërkesa e avokatit për kalim të afateve të gjykimit

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka lënë në burg kreun e Bandës së Lushnjës, Aldo Baren. Disa ditë pasi e njëjta kërkesë e tij për lirim u rrëzua nga Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda, avokati i tij mbrojtës, Vladimir Meçi, iu drejtua Gjykatës së Apelit. Avokati i Bares i kërkoi Gjykatës së Apelit lirimin nga burgu të Aldo Bares me pretendimin se i kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Në kërkesën e tij për lirimin e Bares avokati Meçi kërkoi rrëzimin e vendimit të Krimeve të Rënda me arsyetimin se klientit të tij i kanë përfunduar afatet në kohën që mbahej në qelitë e Turqisë, pra që nga viti 2006 deri në 2009, kohë kur u ekstradua në Shqipëri.
Ai u ekstradua nga Turqia më 29 nëntor. Por, sipas Gjykatës së Apelit masa e sigurisë ndaj Aldo Bares duhet të mbetet në fuqi deri në përfundim të gjykimit të tij për akuzat e ngritura. Megjithatë, avokati i tij, Vladimir Meçi, thotë se do vazhdojë betejën edhe në Gjykatën e Lartë. “Nga data 10 korrik 2007, në të cilën çështja në ngarkim të Aldo Bares është regjistruar për gjykim, kanë filluar të ecin afatet e paraburgimit për të dhe deri në ditët e sotme kanë kaluar 2 vjet e 5 muaj. Duke iu referuar ligjit procedural penal dhe të së drejtës procedurale penale, jemi të detyruar të evidentojmë se afati i paraburgimit nuk mund ta kalojë afatin prej 12 muajsh”, deklaron avokati Meçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›