E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqezinjtë nisin rrugëtimin olimpik

Speciale nga Olgert Serani
Ekipi olimpik është nisur dje drejt aventurës olimpike në Lojërat "Pekin 2008". Mundja, qitja dhe noti kanë qenë të parët nga delegacioni kuqezi që kanë marrë rrugëtimin për në Kinë. Sportistët Sahit Prizreni, Elis Guri, Lindita Kodra, Sidni Hoxha, Rovena Marku dhe Klodiana Shala do të strehohen të parët në fshatin olimpik, i cili do të presë 16 mijë atletë dhe zyrtarë gjatë Lojërave Olimpike. Sot e ka radhën peshëngritja dhe xhudoja me kuartetin Romela Begaj, Gert Trasha, Erkand Qerimaj dhe Edmond Topalli. Pas grumbullimit dyjavor kuqezinjtë do t'i bashkohen homologëve të tyre nga e gjithë bota në kryeqytetin kinez. Shqipëria merr pjesë për herë të gjashtë në një Olimpiadë, pas Mynih 1972, Barcelonë 1992, Atlanta 1996, Sidnei 2000 dhe Athinë 2004. Në Lojërat e 29-ta Olimpike, Shqipëria do të përfaqësohet për herë të parë me 11 sportistë në 6 disiplina të ndryshme. Sportistët që do të garojnë me flamurin shqiptar në "Pekin 2008" janë Klodiana Shala dhe Dorian Collaku në atletikë, Sahit Prizreni dhe Elis Guri në mundje, Lindita Kodra në qitje, Romela Begaj, Erkand Qerimaj dhe Gerti Trasha në peshëngritje, Rovena Marku dhe Sidni Hoxha në not dhe Edmond Topalli në xhudo.
Edmond Topalli
Edmond Topalli është i vetmi sportist që do të përfaqësojë ekipin Olimpik Shqiptar në sportin e arteve marciale. Pas dy dekadash krijim si federatë, tashmë edhe xhudoja do të ketë njeriun e saj në arenën olimpike. "Padiskutim që Olimpiada është një eveniment i rrallë dhe emocion i vecantë për cdo sportist. Përsa i përket garave, mund të them se emocionet janë pothuajse zero, pra ndihem shumë komod. Gjatë gjithë kësaj kohe jemi munduar për të dhënë maksimumin tonë dhe shpresojmë të japim dicka, megjithëse të gjithë janë të përgatitur dhe dihet niveli i kundërshtarëve tanë në tapet dhe niveli ynë në të njëjtën kohë. Megjithatë, besojmë për një paraqitje dinjitoze në këto Lojëra Olimpike, sepse pikërisht për këtë eveniment kemi kohë që po përgatitemi". 28-vjecari ka një CV të pasur ndërkombëtare prej vitit 2005, ku ka qenë pjesëmarrës i rregullt i kampionateve ballkanike, evropiane dhe botërore.
Rovena Marku
Sportistët që do të garojnë në "Pekin 2008" për notin janë dy rekordmenët kuqezi Rovena Marku dhe Sidni Hoxha. 21-vjecarja shkodrane ka garuar për flamurin shqiptar edhe në Olimpiadën e Athinës. Pak minuta përpara nisjes për në Kinë, Marku ndihet edhe më e emocionuar, megjithëse nuk e ka për herë të parë këtë aventurë. "Momentalisht ndihem shumë e emocionuar. Më përpara, këtë ditë e kam pritur me shumë qetësi, por sot po e shikoj se paska qenë një ditë e madhe dhe shumë e vecantë për mua. Kjo pjesëmarrje do të thotë shumë për mua. Edhe pse këto Lojëra Olimpike janë të dytat si notare, sinqerisht jam më shumë e ngarkuar emocionalisht se sa në Athinë, ndoshta ngaqë në atë kohë kam qenë më e vogël në moshë. Në Pekin do të jap maksimumin dhe do të mundohem që të përmirësoj rezultatin tim dhe t'i afrohem edhe sa më shumë normës olimpike".
Sidni Hoxha
Është kandidati më i ri në moshë nga të gjithë kuqezinjtë. Vetëm 16-vjec, Sidni Hoxha tashmë ka fituar të drejtën për të marrë pjesë në Olimpiadë dhe të bëjë realitet ëndrrën e tij, konkurrimin mes më të mirëve në botë në eventin më gjigant sportiv. "Ndihem shumë i lumtur dhe më në fund ëndrra ime u bë realitet. Që kur kam nisur të merrem me këtë sport, Olimpiada ka qenë ëndrra ime. Falë një punë intensive dhe serioze që kam bërë prej kohësh, sidomos këtë vit, deklaroj se më në fund arrita ta finalizoj me sukses misionin tim. Objektivi? Në Lojërat Olimpike "Pekin 2008" si synim kam përmirësimin e rekordit kombëtar. Gjithashtu, do të bëj të pamundurën që t'i afrohem edhe më shumë normës olimpike. Ndërkohë nuk mund të lë pa falënderuar familjen time dhe këtë pjesëmarrje ia dedikoj pikërisht asaj, e cila në asnjë moment nuk më ka munguar në stërvitjet që unë kam zhvilluar gjatë gjithë kësaj periudhe".
Sahit Prizreni
Sporti i mundjes është disiplina ku zona e medaljes ndihet edhe më afër për kuqezinjtë, ashtu si edhe peshëngritja dhe qitja. Por tashmë e gjithë vëmendja është e drejtuar te dyshja e suksesshme dhe e padiskutuar e tapetit shqiptar, Sahit Prizreni dhe Elis Guri. Medalisti i bronztë në stilin e lirë në kampionatin botëror në Baku të Azerbajxhanit do të shkojë në "Pekin 2008" si mbajtësi i flamurit kuqezi. Ashtu si edhe herët e tjera, edhe dje kampioni shtatshkurtër, Prizreni, nuk i fsheh emocionet e veta përpara kësaj olimpiade. "Jam shumë i emocionuar dhe normalisht ka një arsye të madhe për këtë. Në Lojërat Olimpike "Pekin 2008" shpresoj shumë për një rezultat pozitiv, shpresoj gjithashtu edhe për medalje. Sinqerisht e them se nuk ka rëndësi se cili nga ne 11 sportistët e ekipit olimpik do të marrë medalje, e rëndësishme është që flamuri shqiptar të ngrihet lart".
Elis Guri
I dyti nga kjo disiplinë dhe favoriti për medalje për kuqezinjtë është edhe mundësi shkodran Elis Guri, i cili e ka justifikuar jo pak herë veten në arenën ndërkombëtare. Shkodrani është një nga më të kuotuarit prej tanëve për t'u ngjitur në podiumin e fituesve. Pas medaljes së bronzit të marrë në kampionatin evropian të Tamperes në Finlandë në peshën 96 kg, mundësi Guri është shprehur optimist se edhe për në Lojërat Olimpike është nisur me synimin për të zhvilluar jo vetëm një paraqitje dinjitoze, por pse jo për të pretenduar edhe për ndonjë medalje. Guri nënvizon se në "Pekin 2008" do të japë maksimumin që të marrë një rezultat sa më të lartë.
Dorian Collaku
Rekordmeni në hedhjen e cekicit dhe një nga përfaqësuesit e "Mbretëreshës së Sporteve", Dorian Collaku, ka qenë i vetmi që i ka munguar ekipit olimpik në ceremoninë e djeshme. Megjithatë, trajneri i tij, Vaso Selenica, deklaron se olimpisti do t'i bashkohet delegacionit në fshatin olimpik. Tekniku Selenica e sheh pothuajse si të pamundur zonën e medaljes, por që ka vlerësuar formën e sportistit. "Tashmë teknika dhe forca e Dorian Collakut janë në pikun e vet. Pas rekordit që theu së fundmi, them se Dorian Collaku u afirmua edhe një herë që është një atlet i hedhjes së cekicit në nivelet ndërkombëtare. Ndërkohë, për medalje realisht është shumë e vështirë dhe ne jemi nuk jemi përgatitur për këtë zonë. Pas rekordit, puna e rekordmenit ka qenë shumë intensive dhe vlen për t'u përshëndetur. Gjithsesi, ne kemi edhe 10 ditë në dispozicion deri përpara fillimit të garës".
Lindita Kodra
Në grupin e favoritëve është edhe kampionia e Evropës në qitje, Lindita Kodra. Sportistja Kodra u klasifikua në vendin e katërt në Kupën e Botës që u zhvillua pikërisht në Kinë në prill. "Ndjehem shumë mirë dhe e tillë është dhe forma ime. Shpresoj që gjithcka të shkojë ashtu sic duhet. Normalisht që emocionet janë shumë të mëdha, pasi bëhet fjalë për një eveniment shumë të madh sic janë Lojërat Olimpike. Duke pasur mbi supe edhe ngjyrat e kombit, emocionet dhe përgjegjësia padyshim shtohen dhe më shumë". Ndërsa trajnerja Diana Mata shtoi: "Tani fillon një pjesë tjetër, sepse fillimisht na duhet të mendojmë për rrugën e gjatë. Parashikimi? Ashtu sic e kemi deklaruar gjithmonë, mendojmë se do të jemi në 8 më të mirat e finales", premtoi trajnerja Mata.
Klodiana Shala
Klodiana Shala është një ndër 11 sportistët shqiptarë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike "Pekin 2008", por edhe me një rekord të vecantë: është e vetmja sportiste shqiptare që ka në llogarinë e saj tri Olimpiada: "Sidnej 2000", "Athinë 2004" dhe tani "Pekin 2008". "Ekipit olimpik i uroj sa më shumë fat dhe rezultate sa më të mira në Olimpiadë, gjithashtu edhe sa më shumë medalje. Ndërsa për vete do të synoj të thyej rekordin tim personal", u shpreh rekordmenia Shala. Pjesëmarrësja e mëse 70 garave ndërkombëtare, së fundmi u rendit e katërta në Kupën e Evropës "Bruno Zauli" dhe e para në Cmimin e Madh të Greqisë në Kastoria. Atletja Shala u nis për në Lojërat Olimpike të Kinës, nën drejtimin e trajnerit personal të saj, Taulant Stërmasi, njëherësh edhe bashkëshorti i saj i ardhshëm.
Erkand Qerimaj
Shanse më të mëdha për rezultate të larta në Pekin i ka trioja e shtangës shqiptare. Në këtë eveniment peshëngritja do të përfaqësohet me sportistët Romela Begaj, Erkand Qerimaj e Gerti Trasha, të cilët e kanë dhënë edhe më parë sinjalin kërcënues në pedanat evropiane dhe botërore. Erkand Qerimaj ka fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rinj (i 34-ti) e të reja (i 14-ti) që u zhvillua në Kali të Kolumbisë.
Ja se cfarë parashikon shkodrani Qerimaj: "Shpresoj të arrij sërish rekordet e mia dhe sigurisht dhe më kryesorja është që të hyj në dhjetë më të mirët e Olimpiadës. Pesha ku unë do të konkurroj mbetet më e vështira dhe parashikohet një garë e fortë dhe me shumë rivalitet".
Romela Begaj
Pretendente do të jetë edhe Romela Begaj, e cila ka ngritur flamurin shqiptar në Ligniano të Italisë, kur ngriti 101 kg në stilin e shkëputjes si askush tjetër. Begaj vendosi edhe një rekord kombëtar, duke kapur edhe normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". "Edhe pse është herët për të bërë një parashikim do të thosha se në peshën time ka shumë konkurrencë dhe se kjo peshë cilësohet si një nga më të fortat. Jo më larg se dje kam mësuar se në pedanë do të ngjiten për konkurrim për këtë peshë 12 shtangiste. Megjithatë, unë do të bëj maksimumin që të dal sa më mirë në këtë kompeticion, pse jo edhe më mirë se në kampionatin evropian. Në fakt, nisja ime për në Pekin po shoqërohet me shumë emocion. Gjysma e ëndrrës u realizua, tashmë uroj të më plotësohet e gjitha".
Gert Trasha
Shtanga dhe përfaqësuesja shqiptare olimpike beson për medalje edhe te elbasanasi i suksesshëm Gert Trasha. Në Kampionatin evropian të peshëngritjes në Linjano të Italisë, Trasha bëri një prezantim dinjitoz në peshën 69 kg. 20-vjecari ngriti 306 kg në dygarësh. Mes shumë konkurrentëve shtangisti i kategorisë 69 kg premton se edhe atje nuk ka për të zhgënjyer, edhe pse pohon se përballë do të ketë jo pak, por plot 40 garues nga e gjithë bota. Trasha do të dëshironte shumë të hynte në baterinë A, pasi atje do të kishte shansin për të matur më tej forcat me 10 më të mirët në Olimpiadë. "Nëse do të arrij të futem në baterinë A, atëherë më pas do të pretendoj për një vend nga i 6-të deri te i 8-ti", bëri me dije Trasha. Tashmë aventura kineze nuk mund të quhet si mision i pamundur për Trashën, pretendent edhe ky për medalje.
Stavri Bello
Nota optimiste nga pjesëtarët e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, për pjesëmarrjen e 11-të sportistëve, sic janë Lojërat Olimpike të "Pekin 2008". Sekretari i përgjithshëm i KOKSH-it, Stavri Bello, u shpreh se këtë edicion Shqipëria do të ketë pjesëmarrjen e saj më të madhe dhe kjo tregon për një ecuri pozitive të sportit në vend. "Sot organizohet ceremonia e nisjes të delegacionit olimpik. Sic e shikoni ambienti është festiv. Fillimisht të gjithë sportistëve u urojmë rrugë të mbarë dhe së dyti gjatë kësaj periudhe të përgatiten sa mirë, në mënyrë që të jenë të gatshëm për të arritur rezultate maksimale në garat sipas datave të caktuara që i kanë në programin sportiv. Ne jemi të kënaqur që këtë radhë kemi 11 sportistë. Kjo tregon për një ecuri të sportit, por dëshirojmë të shoqërohet dhe me rezultatet konkrete. Medalje? Pse jo. Sporti i njeh surprizat. Ne kemi sportistë që kanë treguar edhe më përpara, sic është qitja, peshëngritja, mundja dhe atletika, më konkretisht Dorian Collaku që mund të na ofrojnë ndonjë surprizë të këndshme dhe realisht do të ishim shumë të kënaqur nëse do ta arrinin. Kjo do të ishte dicka shumë e bukur pikësëpari për veten e tyre dhe së dyti edhe për sportin shqiptar.
Skedat
Emri: Rovena
Mbiemri: Marku
Datëlindja: 21/05/1987
Vendlindja: Shkodër
Gjatësia: 172 cm
Pesha: 58 kg
Sporti: Not (50 m stil i lirë)

Emri: Sidni
Mbiemri: Hoxha
Datëlindja: 06/01/1992
Vendlindja: Shkodër
Gjatësia: 188 cm
Pesha: 63 kg
Sporti: Not(50 m stil i lirë)

Emri: Klodiana
Mbiemri: Shala
Datëlindja: 22/08/1979
Vendlindja: Tiranë
Gjatësia: 163 cm
Pesha: 51 kg
Sporti: Atletikë(400M)

Emri: Dorian
Mbiemri: Collaku
Datëlindja: 02/06/1977
Vendlindja: Tiranë
Gjatësia: 184 cm
Pesha: 115 kg
Sporti: Atletikë(Hedhje cekici)

Emri: Sahit
Mbiemri: Prizreni
Datëlindja: 23/02/1983
Vendlindja: Kukës
Gjatësia: 165 cm
Pesha: 65 kg
Sporti: Mundje

Emri: Elis
Mbiemri: Guri
Datëlindja: 06/07/1983
Vendlindja: Shkodër
Gjatësia: 188 cm
Pesha: 96 kg
Sporti: Mundje

Emri: Romela
Mbiemri: Begaj
Datëlindja: 02/11/1986
Vendlindja: Tiranë
Gjatësia: 163 cm
Pesha: 58 kg
Sporti: Peshëngritje

Emri: Erkand
Mbiemri: Qerimaj
Datëlindja: 10/08/1988
Vendlindja: Shkodër
Gjatësia: 165 cm
Pesha: 77 kg
Sporti: Peshëngritje

Emri: Gert
Mbiemri: Trasha
Datëlindja: 31/01/1988
Vendlindja: Elbasan
Gjatësia: 165 cm
Pesha: 69 kg
Sporti: Peshëngritje

Emri: Lindita
Mbiemri: Kodra
Datëlindja: 11/05/1962
Vendlindja: Kukës
Gjatësia: 160 cm
Sporti: Qitje

Emri: Edmond
Mbiemri: Topalli
Datëlindja: 22/01/1980
Vendlindja: Shkodër
Gjatësia: 175 cm
Pesha: 81 kg
Sporti: Xhudo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›