E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqezinjtë, sot me valixhe drejt Gjermanisë

Jorgis MEMO
Avioni që niset sot më 06:15 nga aeroporti "Nënë Tereza" i Tiranës drejt Shtutgartit, ka në bord 21 futbollistët e kombëtares shqiptare, të cilët janë gati për të filluar grumbullimin e parë nën drejtimin e Ari Hanit. Sic ishte planifikuar më parë, kuqezinjtë do të zhvillojnë nga 20 deri më 28 maj, një "zbor" stërvitor në kampingun "Kirken Hausen" të Reutlingenit, që ndodhet pak kilometra afër qytetit të Shtutgartit.
Ekipi, i shoqëruar nga shefi i ekipeve kombëtare, Hito Hitaj, dhe zyrtarë të FSHF-së, do të mbërrijë në Shtutgart rreth orës 10:15, aty ku i pret trajneri Ari Han, ndihmësi i tij Jakob De Jong, si dhe përgatitësi i portierëve, Nikolas De Bre. Stafit teknik i shtohet edhe holandezi Stijn Van De Bruke, i cili bashkë me Ylli Mihalin, do të jenë fizioterapistët e kombëtares.
Akomodimi i ekipit do të bëhet në hotelin "Sternen" (Ylli), i cili është vendi i preferuar i Hanit. Ky i fundit banon në Shtutgart dhe e njeh mirë këtë zonë, madje edhe kur ka drejtuar Paokun e Selanikut, e ka kryer fazën përgatitore me ekipin helene po në këtë vend. Sipas programit që ka bërë holandezi, sot do të jetë një ditë pushimi, e cila më shumë do të shërbej si një prezantim i tij me lojtarët. Duhet thënë se ky është grumbullimi i parë që Ari Han bën me lojtarët e vërtetë të ekipit kombëtar, pasi në "zborin" e Antalias, të zhvilluar gjatë muajit janar, ka pasur në dispozicion vetëm kandidatë për t'u bërë pjesë e kuqezinjve.
Ndërkohë, edhe nesër kuqezinjtë përsëri do të udhëtojnë, sepse sipas planifikimit, në 18:00 do të luhet testi i parë në prag të miqësores zyrtare me Poloninë. Bëhet fjalë për një ndeshje kontrolli me ekipin e kategorisë së dytë zviceriane, Shafhauzen. Nga vendqëndrimi i kombëtares drejt qytetit të Shafhazuenit, është vetëm pak kilometra, dhe udhëtimi do të bëhet me autobus. Pas këtij testi, programi është i ngjeshur, teksa stazhi stërvitor do të vazhdojë me nga dy seanca në ditë.
Ndërkohë, miqësorja me Poloninë do të luhet më 27 maj, në stadiumin e Reutlingenit, në orën 20:00.

Thirret Mërgim Mavraj, Cana mungesa e vetme
Përvec Lorik Canës, që do t'i bashkohet ekipit më 24 maj, të gjithë lojtarët e tjerë do të jenë të gatshëm për trajnerin Ari Han. Ndërkohë, në castet e fundit, listës i është shtuar edhe mbrojtësi kosovar që luan me Bokumin në Bundesligë, Mërgim Mavraj, duke e cuar kështu në 23 numrin e lojtarëve që do të grumbullohen.
Këtë e konfirmon për "Sportin shqiptar", vetë përgjegjësi i ekipeve kombëtare, Hito Hitaj. "Trajneri, duke qenë se jeton në Gjermani, ka vëzhguar me kujdes paraqitjen e Mërgim Mavrajt te skuadra e Bokumit. Ai i ka bërë një ftesë lojtarit për të qenë pjesë e kombëtares në këtë grumbullim. Mavraj nuk ka asnjë pengesë për të luajtur me Shqipërinë, pasi në vitin e kaluar ka marrë pasaportën shqiptare. Ndërsa për sa i përket lojtarëve të tjerë, me përjashtim të Lorik Canës, i cili i ka marrë leje trajnerit, pasi është i angazhuar në një turne miqësor me Olimpikun e Marsejës, të gjithë të tjerët janë të gatshëm,"- tha Hitaj.
Kujtojmë që mbrojtësi 20-vjecar Mërgim Mavraj ka rënë në sy të ish-trajnerit kuqezi, Oto Baric, madje është grumbulluar disa herë në seleksionimet që kroati ka zhvilluar. Në ndeshjen e fundit të Bundesligës, ai shënoi golin e vetëm për Bokumin, në humbjen 2-1 me Hansën e Rostokut. Duket se Hani ia ka mbushur mendjen të riut, për t'u bërë pjesë e kuqezinjve, pasi pak kohë më parë ai ka dashur kombëtaren gjermane, madje trajneri i U-21 të kësaj të fundit, e ka grumbulluar në një nga seleksionimet.
Lista e kuqezinjve
Portierë
Arjan Beqaj (Anorthosis)
Isli Hidi (Krivbas)
Mbrojtësa
Debatik Curri (Vorskla)
Armend Dallku (Vorskla)
Kristi Vangjeli (Aris)
Endri Vrapi (Tirana)
Andi Lila (Besa)
Mërgim Mavraj (Bokum)
Mesfushorë
Lorik Cana (Marsejë)
Ervin Skela (Kotbus)
Altin Lala (Hanover 96)
Altin Haxhi (Apoel)
Ervin Bulku (Krivbas)
Elis Bakaj (Partizani)
Blendi Shkëmbi (Partizani)
Paulin Dhëmbi (Partizani)
Klodian Duro (Omonia)
Gilman Lika (Vllaznia)
Sulmues
Erjon Bogdani (Livorno)
Edmond Kapllani (Karlsruhe)
Hamdi Salihi (Ried)
Dorian Bylykbashi (Krivbas)
Jahmir Hyka (Tirana)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›