Bajramaj, gol në fitoren rekorde 17-0

Ekipi i femrave i përfaqësueses gjermane në futboll ka regjistruar rekord të ri kombëtar me fitore 17-0 kundër Kazakistanit në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin evropian 2013, të shtunën.
Mesfushorja ofensive, kosovarja Fatmire Bajramaj ishte në mesin e golashënuesve duke realizuar në minutën e 51-të.
Gjermania theu rekordin e saj që e kishte vendosur kur mposhti Portugalinë 13-0 më 2003 dhe barazoi fitoren më të thellë në fushatën kualifikuese për Kampionatin evropian të femrave, kur Spanja mposhti Slloveninë 17-0 më 1994 dhe Norvegjia që me rezultat identik fitoi përballë Sllovakisë, një vit më vonë.
Trajnerja Silvia Neid është impresionuar nga paraqitja e skuadrës së saj.
“Ishte një paraqitje e mirë. Më kanë pëlqyer pasimet dhe lëvizjet pa top”, tha ajo për UEFA.com.
Gjermania vazhdoi rekordin e jashtëzakonshëm të fitoreve të çdo ndeshjeje kualifikuese nga 1999.