Kuqi, në pritje të Kalmarit

Njazi Kuqi do ta marrë përgjigjen përfundimtare nga Kalmari brenda fundit të kësaj jave. Sulmuesi kosovar stërviti së fundmi me ekipin suedez, ndërsa luajti 45 minuta për ekipin kuq e bardh në një ndeshje miqësore të zhvilluar të martën.
“Nuk dua të flas për përshtypjet dhe impresionimet e mia. Por, mund t’ju them se kah fundi i javës do të vendosim”, ka thënë menaxheri i Kalmarit, Nanne Bergstrand.
27 vjeçari e pranon se nuk është në formën e tij më të mirë, ngase i kishte rënë të pushonte një periudhë pasi ishte larguar nga Dundee. “Mund të them se momentalisht jam në 50-60 për qind të kapacitetit tim, kam vështirësi në aspektin fizik. Ndihem më mirë, por jo në maksimumin tim. Nuk është e lehtë të ambientohesh kur ke përpara lojtarë të rinj dhe kur has në një sistem të ri të lojës”, theksoi Kuqi për ueb faqen suedeze barometern.se.
Kuqi nuk la kushedi çfarë përshtypje në ndeshjen e tij të parë. Tash ai do ta presë përgjigjen e Kalmarit, nëse do të mbetet aty apo jo. “Nuk kam biseduar ende me klubin, të shohim se çka do të ndodhë”, përfundoi Kuqi.