E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pret edhe dy javë

Majlinda Kelmendi do të bëjë kërkesë zyrtare në institucionet kosovare për mbështetje. Xhudistja kosovare do të presë dy javë dhe në rast se merr përgjigje negative, paralajmëron se do ta pranojë përfaqësuesen e Azerbajxhanit, e cila i ka bërë një ofertë të majme. Nga Moral Pozhegu më 24 shkurt 2011 në ora 10:44

Majlinda Kelmendi do të presë edhe dy javë, para se ta marrë vendimin përfundimtar se cilin vend ta përfaqësojë në Lojërat Olimpike Londra 2012. Xhudistja kosovare ka marrë një ofertë të majme nga Federata e Xhudos e Azerbajxhanit, por ajo prioritet e ka Kosovën.

Trajneri i saj, Driton Kuka, ka shpjeguar se Majlinda do ta bëjë fillimisht një kërkesë nga institucionet në vend, të cilat kanë kohë dy javë për ta dhënë një përgjigje nëse do ta ndihmojnë apo jo xhudisten pejane.

“Pasi tash veç janë formuar institucionet, kemi vendosur të presim më shumë, dy javë. Do ta bëjmë kërkesën së pari në Departamentin e Sportit, pastaj në Komitetin Olimpik, në Ministri të Sportit, në Kryeministri dhe në fund në Presidencë. Do të trokasim në të gjitha dyert”, ka njoftuar Kuka në një konferencë për shtyp të mbajtur të mërkurën.

Detajet e kësaj kërkese, përfaqësuesit e Kelmendit do t’i bëjnë të ditur javën e ardhshme. Xhudistja kosovare do të ishte e kënaqur nëse Kosova i ofron gjysmën e shumës që ka ofruar Azerbajxhani (5 mijë euro në muaj për Majlindën e 5 mijë për trajnerin e saj). Në të kundërtën, nëse merr përgjigje negative, ajo do të jetë e detyruar ta pranojë ofertën nga Azerbajxhani.

“Majlinda po joshet çdo ditë e më shumë nga ofertat. Do të luftojmë së bashku me Komitetin Olimpik që ta mbajmë këtë sportiste në Kosovë. Unë e kam zhvilluar këtë sportiste dhe është mëkat që Azerbajxhani ta marrë të gatshme. Mirëpo, nëse marrim përgjigje negative nga institucionet e vendit, nuk do ta pengojmë atë që të shkojë tutje, pra t’i mbrojë ngjyrat e Azerbajxhanit”, vazhdoi Kuka.

“Me këtë rast, më së shumti do të humbiste sporti i Kosovës, pasi që pas luftës nuk ka pasur sportistë apo sportiste më të suksesshme. A e dini ju se në vendet tjera evropiane, nëse institucionet nuk janë në gjendje ta financojnë një sportiste me potencial që të sjellë medalje, bie automatikisht qeveria”, shtoi ai.

Sipas Kukës, Azerbajxhani nuk po mendon që ta angazhojë Majlindën vetëm për Olimpiadën 2012, por për një periudhë afatgjate, sepse, shton ai, ajo ka përpara 3-4 olimpiada ku mund të marrë pjesë.

Ndërsa kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, është zotuar se do ta përkrahë me të gjitha fuqitë që ka xhudisten Majlinda Kelmendi. Sipas tij, Kosova nuk guxon dhe nuk do ta humb një xhudiste si ajo.

“Ka 10 muaj që mundohemi për një zgjidhje institucionale, ajo duhet të përkrahet financiarisht. Tash kemi Qeverinë e re dhe ministrin e ri. Duhet të vrapojmë sepse koha nuk premton më. Nuk ka vend në botë që nuk do ta donte Majlindën në gjirin e vetë. Do të mundohemi me çdo kusht që mos ta lëshojmë të na ikën nga duart. Një diamant i tillë nuk lëshohet lehtë. Besoj se ajo do ta përfaqësojë Kosovën”, theksoi Hasani.

Në anën tjetër, 20 vjeçarja shpreson që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt dhe ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadën 2012.

Majlinda, e pesta në ranglistën olimpike

Në garën Grand Prix Kupa Botërore, kategoria A, që u mbajt në Gjermani, xhudistja pejane fitoi medalje të argjendtë, me ç’rast fitoi 120 pikë olimpike, që e vendosin atë në pozitën e pestë në ranglistën olimpike.

“Pa dyshim ky është rezultati më i mirë në karrierën seniore për Majlindën. Në Gjermani ajo ka fituar ndaj xhudisteve të njohura botërore, ndërsa u mposht në finale nga japonezja Nishida, e cila është numër një në botë”, tha Kuka.

Majlinda deri tash ka grumbulluar 520 pikë olimpike. Nëse e mban këtë pozitë deri në fund, kjo do të jetë në favor të saj. “Majlinda është në rrethin e ngushtë të xhudisteve që kanë gjasa reale për të fituar medalje olimpike”, tha në fund Kuka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›