Kuqi s’fluturoi, për respekt

Shefki Kuqi ka realizuar golin e parë në fanellën e klubit të ri Swansea City. Sulmuesi kosovar, këtë e bëri kundër ish skuadrës së tij, Crystale Palace.
Ish sulmuesi i klubit gjerman Tus Koblenz ka shënuar gol në minutën e 14-të, duke ia siguruar një fitore shumë të vlefshme Swanseas, që po lufton të inkuadrohet në Premierligë.
Edhe pse nuk pati tretman të mirë gjatë qëndrimit në stadiumin “Selhurst Park”, reprezentuesi i Finlandës nuk fluturoi në stilin e tij të zakonshëm nga respekti për ish klubin e tij.
Ndërsa trajneri i Palaces, Neil Warnock, me të cilin Kuqi pati disa herë mosmarrëveshje, është bërë burrë duke e uruar sulmuesin kosovar për golin dhe lojën e mirë që e zhvilloi.
“Jo, nuk e kam festuar golin, pasi Palace ka qenë klubi im. Ndërsa trajneri Neil Warnock, pas ndeshjes erdh me përshëndeti dhe ma zgjati dorën, dhe më tha se ke luajtur shumë mirë”, ka thënë Kuqi për Express, të mërkurën.
“Kam kaluar momente të mira në Palace, por tash jam në klub tjetër dhe duhet të luftoj për ta. Në Selhurst Park kam takuar disa ish bashkëlojtarë dhe ka qenë moment i mirë”, ka theksuar Kuqi.
Në anën tjetër, vushtrriasi është i lumtur që gjeti golin e parë në fanellën e klubit të ri, Swansea City. Ai shpreson të vazhdojë të shënojë edhe në ndeshjet e ardhshme
“Është me rëndësi që shënova golin e parë për klubin e ri. Kur kam shkuar në fillim e kam pasur vështirë të shënoj golin e parë, por tash akullin e kam thyer dhe besoj që edhe në ndeshje tjera do të shënoj”, u shpreh 32 vjeçari.
Kuqi mendon se rezultati i arritur të mërkurën në “Selhurst Park”është shumë i rëndësishëm për Swansean, që po synon të ngjitet në elitën e futbollit anglez.
Pas 30 xhirove të kaluara ne Championship, Swansea (me një ndeshje më pak të zhvilluar) zë pozitën e pestë në tabelë me 48 pikë të tubuara, 11 më pak se kryesuesi Newcastle.
“Të shtunën e kemi ndeshjen me Newcastle. Ata kanë 11 pikë më shumë, nëse i mposhtim, atëherë do ta zvogëlojmë epërsinë në 8 pikë. I kemi gjasat të arrijmë qëllimin për inkuadrim në Premierligë”, deklaroi Kuqi.
Ish sulmuesi i Fulhamit dhe Blackburnit në fund ka thënë se Swansea City është njëri ndër ekipet që luan futboll më së miri në Championship (ligën e dytë angleze).
Sousa, i lumtur me Kuqin
Trajneri i Swansea City, Paulo Sousa, është i ngazëllyer me sulmuesin Shefki Kuqi, pasi ai shënoi golin e fitores në ndeshjen kundër Crystal Palace.
"Jam shumë i lumtur. Kam dashur ta transferoj atë në fillim të sezonit, më pas kam provuar për një muaj para se ta transferoj. Ai është një futbollist që mund të na ndihmojë me një futboll ndryshe dhe karakteristika të ndryshme”, ka thënë Sousa për mediet angleze.
Warnock: Nuk kam pasur problem me Kuqin
Trajneri i Crystal Palaces, pas ndeshjes me Swansea Cityn, ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur mosmarrëveshje me Shefki Kuqin gjatë kohës kur ai mbronte ngjyrat e skuadrës nga stadiumi “Selhurst Park”.
“ Kurrë nuk kam pasur problem me Shefki Kuqin. Nuk është faji i tij që dikush ka paguar shumë para për të. Kuqi gjithmonë e fillon mirë në klubin e ri dhe jam i sigurt se do t'ia dalë mirë për disa muaj”, ka thënë Warnock për mediet angleze.