E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Cu En Lai i refuzoi armatimet e rënda Shqipërisë

Pas mbërritjes në aeroportin e Pekinit ne na çuan në rezidencat qeveritare që kinezët kishin në dispozicion për pritjen e delegacioneve të huaja. Të nesërmen e mbërritjes sonë në kryeqytetin e vendit, Pekin, ne patëm një mbledhje plenare me delegacionet e dy vendeve, e cila u zhvillua në një nga sallat e Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës. Delegacioni kinez kryesohej nga vetë ministri i Mbrojtjes, marshalli Ji Çen Ji, i cili në atë kohë kishte zëvendësuar Lin Biaon dhe konsiderohej si një nga ushtarakët më të përgatitur të gjithë ushtrisë kineze. Po kështu, bashkë me të ishin dhe të gjithë ushtarakët e lartë me drejtorët përkatës të të gjitha llojeve të armëve që dispononte ushtria kineze. Në atë mbledhje, kryetari i delegacionit tonë, ministri i Mbrojtjes dhe njëherësh zv/kryeministri i parë i Shqipërisë, Beqir Balluku, bëri një ekspoze ku paraqiti të gjitha kërkesat tona lidhur me nevojat që kishte ushtria shqiptare. Ato kërkesa ishin shumë ambicioze, sepse bëhej fjalë për armatimet më të sofistikuara që prodhonte dhe dispononte vetë Kina. Veç armatimeve konvencionale që përmenda pak më lart, në kërkesat që ne u parashtruam atyre ishin dhe 18 uzina ushtarake nga më modernet që dispononte aso kohe Republika Popullore e Kinës. Këtë gjë ne e argumentonim me faktin se në një rast mbyllje të Kanalit të Suezit, transporti i tyre nga Kina do të ishte i pamundur dhe ato armatime ne t‘i prodhonim vetë në Shqipëri". Kështu e kujton koloneli në pension, 83-vjeçari Edip Ohri, ish-komandant i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë për 20 vjet me radhë dhe deputet i Kuvendit Popullor në disa legjislatura, në një prej seancave të bisedimeve të shumta të zhvilluara në Republikën Popullore të Kinës në vitin 1972, midis delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe palës kineze që kryesohej nga vetë Kryeministri Cu En Lai, ku sipas porosive të Enver Hoxhës dhe Kryeministrit Mehmet Shehu, që e përcolli delegacionin deri në aeroportin e Rinasit, ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku u kërkoi kinezëve edhe 18 uzina ushtarake. Lidhur me këto dhe ngjarje e fakte të tjera nga ajo periudhë kohe, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës vazhdonte të militarizonte vendin, duke i kërkuar qeverisë kineze armatime të rënda, na njeh intervista e zotit Edip Ohri, një prej ushtarakëve madhorë dhe mjaft të njohur të ushtrisë shqiptare, i cili në funksionin e komandantit të Përgjithshëm të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, ka marrë pjesë si anëtar delegacioni në bisedimet e zhvilluara me palën kineze.

Zoti Edip, kur dhe cila ka qenë ndihma më e madhe në fushën ushtarake që kinezët i dhanë Shqipërisë në periudhën e miqësisë së ngushtë midis dy vendeve?

Në parantezë të pyetjes suaj, desha të them se gjatë gjithë periudhës së miqësisë së ngushtë midis dy vendeve tona, pra që nga fillimi i viteve ‘60-të e deri në mesin e viteve ‘70-të, kur dhe filloi të ndjehej krisja e marrëdhënieve në mes Kinës dhe Shqipërisë, qeveria kineze i dhuroi vendit tonë pothuaj të gjithë arsenalin ushtarak. Dhe të gjitha ato ndihma ishin falas. Nga këto ndihma që ata i dhanë Shqipërisë, besoj se më e madhja ka qenë ajo për ndërtimin e kompletimit të aeroportit ushtarak të Gjadrit. Për ndërtimin e atij aeroporti, që për atë kohë ishte tepër modern dhe nuk i linte asgjë mangët as aeroporteve më të mirë që kishte asokohe në Ballkan, u punua nga viti 1971 deri në vitet 1975-‘76. Aeroporti i Gjadrit i plotësonte të gjitha parametrat e duhura dhe ishte i pajisur edhe me pistë rezervë, duke bërë të mundur që avionët të ngriheshin në fluturim duke u nisur që nga gryka e tunelit. Për ndërtimin e atij aerodromi, në periudha të ndryshme kohe erdhën disa grupe specialistësh kinezë, të cilët u akomoduan në Hotelin e Gjuetisë në Lezhë dhe në Gjadër. Veç të tjerash, ata sollën nga Kina dhe 200 automjete të mëdha vetëshkarkuese, si dhe të gjitha pajisjet e tjera të nevojshme. Nga Ministria e Mbrojtjes, si përfaqësues pranë specialistëve kinezë u caktua Josif Zegali, i cili shkoi deri në Suedi dhe disa shtete të tjera perëndimore për të blerë pajisjet e nevojshme që duheshin për hapjen e tuneleve. Po kështu, gjatë atyre viteve që punohej për ndërtimin e tij, aty shkonte shpesh për të ndjekur punimet edhe ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Në ndryshim nga aeroportet e tjerë që ishin ndërtuar deri në atë kohë në Shqipëri, në atë të Gjadrit nuk u dërguan për të punuar të burgosurit, por ai u ndërtua me forca ushtarake.

Pas aeroportit të Gjadrit, a kërkoi Shqipëria ndihma të tjera në fushën ushtarake nga kinezët?

Në fundin e vitit 1972, pas vizitës së Presidentit amerikan, Nikson, në Kinë dhe letrës që i kishte dërguar Partisë Komuniste të Kinës, Komiteti Qendror i PPSH-së, me vendim të Byrosë Politike dhe të Këshillit të Mbrojtjes, nisi për në Kinë një delegacion të madh nga Ministria e Mbrojtjes, i kryesuar prej ministrit Beqir Balluku. Ai delegacion, në të cilin ndodhesha edhe unë si komandant i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak, përbëhej prej 18 oficerësh madhorë (ish-gjeneralë e kolonelë), si: Hito Çako, Rrahman Parllaku, Abdi Mati, Vaskë Gjino, Halim Ramohito, Todi Naço, Mendu Backa, Abaz Fejzo, Alfred Moisiu etj., si dhe prej 22 ekspertësh të llojeve të ndryshmeve të armëve që dispononte ushtria jonë. Bashkë me delegacionin tonë, që ishte më i madhi që kishte shkuar ndonjëherë në Republikën Popullore të Kinës, ishin edhe dy radiotelegrafistë nga Ministria e Brendshme, gjë e cila nuk ishte e zakontë, pasi bisedimet që bëheshin jashtë, përcilleshin për në Tiranë me anë të shifrantëve të ambasadave tona përkatëse. Në parantezë desha të them se vajtjes së atij delegacioni në Kinë, i parapriu ardhja e një delegacioni të Drejtorisë Politike të Ushtrisë Kineze në Shqipëri në vitin 1971. Sa për kuriozitet, po ju them se delegacioni kinez në fillim donte të shkonte në Rumani, por Enveri u tha se po të shkonin më parë atje, ata nuk kishin pse vinin në Shqipëri, duke e argumentuar se kinezët na kishin ne miq më të ngushtë se rumunët.

Si vepruan kinezët pas pretendimeve të Enverit?

Ata erdhën më parë në Shqipëri dhe më pas shkuan edhe në Rumani e Jugosllavi. Ideja e delegacionit të Drejtorisë Politike të Ushtrisë Kineze në bisedimet me palën shqiptare në Tiranë ishte kjo: "Ne jemi larg dhe nuk ju ndihmojmë dot, prandaj afrohuni me Rumaninë e Jugosllavinë dhe krijoni një bllok të fortë.

Në çfarë itinerari udhëtuat për në Kinë dhe si ju pritën atje?

Për të udhëtuar për në Kinë, pala kineze na kishte dërguar një avion të posaçëm "Ill-64", të blerë nga rusët, i cili ishte më i madhi që ishte ulur ndonjëherë në aeroportin e Rinasit. Udhëtimi ynë u bë në itinerarin: Rinas-Bukuresht-Teheran-Urumçi (Kina perëndimore)- Pekin. Nisja e avionit nga Rinasi u bë me 30 minuta vonesë, pasi kur ne të gjithë kishim zënë vend dhe prisnim nisjen, Kryeministri Mehmet Shehu kishte ardhur aty dhe po bisedonte kokë më kokë me ministrin Beqir Balluku, në një nga sallat e aeroportit. Mehmeti i dha Beqirit porositë e fundit, duke i thënë se avioni do të ndalonte në Bukuresht dhe ai do të takohej me ministrin e Mbrojtjes së Rumanisë. Porosia e fundit e Mehmetit ishte ajo se çfarë qëndrimi do të mbante Beqir Balluku ndaj homologut rumun, pasi situata në të cilën ndodhej Shqipëria në atë kohë ishte tepër e vështirë.

Në ç‘drejtim ishte e vështirë?

Siç thashë më sipër, ne po niseshim për në Kinë, pas idesë që kishin hedhur kinezët në Tiranë për krijimin e boshtit: Bukuresht-Beograd-Tiranë dhe për realizimin e kësaj ideje kinezët kishin sjellë si ndërmjetës në Tiranë, Princin e Kamboxhias, Norodom Sihanuk, i cili qëndroi për disa muaj këtu dhe zhvilloi shumë bisedime me Enver Hoxhën. Por Enveri nuk e pranoi idenë e kinezëve, duke thënë se jugosllavët nuk mund të dilnin kurrë kundër sovjetikëve.

A u realizua takimi me ministrin e Mbrojtjes së Rumanisë në Bukuresht?

Po, takimi u realizua në aeroportin e Bukureshtit, ku kishte dalë për ta pritur delegacionin tonë vetë ministri i Mbrojtjes së Rumanisë, i cili kishte qenë shok klase me Beqir Ballukun në akademinë "Voroshillov" të Moskës dhe gjithashtu edhe zv/kryeministri rumun, Bondarosh. Ministri Beqir Balluku bisedoi rreth një orë kokë më kokë me dy personalitet e larta rumune që kishin dalë për ta pritur, gjë e cila për ne ishte krejt e papritur.

Ju, pjesëtarët e delegacionit, nuk kishit dijeni për atë takim?

Ne nuk kishim asnjë dijeni për zhvillimin e atij takimi dhe kur e mësuam atë gjë, menduam se situata ishte e keqe.

Pas Bukureshtit, në çfarë itinerari udhëtuat për në Kinë?

Nga Bukureshti ne udhëtuam për në Teheran dhe prej aty në drejtim të Kinës perëndimore, duke ndaluar në qytetin Urumçi të krahinës autonome Sin Kjang, ku na pritën autoritetet më të larta vendore. Pasi qëndruam dy ditë në atë vend, u nisëm përsëri po me atë avion dhe brenda ditës mbërritëm në Pekin.

Cili ishte qëllimi kryesor i vajtjes së delegacionit tuaj në Kinë?

Qëllimi kryesor i vajtjes sonë në Kinë ishte që të merrnim nga kinezët armatime nga më modernet, që dispononte asokohe ushtria e tyre, duke filluar nga tanket, avionët, raketat, anijet luftarake, artilerinë e rëndë, uzinat ushtarake, e çfarëdolloj tjetër arsenali ushtarak që kishin dhe dispononin ata. Sipas porosisë që kishim nga Tirana, ne duhet të kërkonim sa më shumë armatime të të gjitha llojeve.

Po përse pikërisht në atë kohë bëheshin këto kërkesa për gjithë atë arsenal armatimesh?

Në parantezë desha të them se vajtja e delegacionit tonë në Kinë bëhej pas vizitës që kishte bërë në atë vend Presidenti amerikan, Nikson, dhe pas letrës që i kishte dërguar Komiteti Qendror i PPSH-së, Partisë Komuniste të Kinës, letër në të cilën shprehej pakënaqësia e madhe për politikën afruese që po ndiqnin kinezët me amerikanët. Në atë situatë, siç duket Enver Hoxha mendonte që t‘i shkëpuste lidhjet me Kinën dhe përpara se ta bënte atë gjë, më përpara ai kërkonte të merrte sasi të mëdha armatimesh të cilat kinezët na i akordonin falas. Pra ky ishte qëllimi i vajtjes së delegacionit tonë në Kinë.

Kush ju priti në Pekin dhe ku ju akomoduan?

Pas mbërritjes në aeroportin e Pekinit ne na çuan në rezidencat qeveritare që kinezët kishin për pritjen e delegacioneve të huaja. Të nesërmen e mbërritjes sonë në Pekin, ne patëm një mbledhje plenare me delegacionet e dy vendeve, e cila u zhvillua në Ministrinë e Mbrojtjes së Kinës. Delegacioni kinez kryesohej nga vetë ministri i Mbrojtjes, marshalli Ji Çen Ji, i cili kishte zëvendësuar Lin Biaon dhe konsiderohej si një nga ushtarakët më të përgatitur të ushtrisë kineze. Po kështu, bashkë me të ishin dhe të gjithë ushtarakët e lartë me drejtorët përkatës të të gjitha llojeve të armëve. Në atë mbledhje, Beqir Balluku bëri një ekspoze, ku paraqiti të gjitha kërkesat tona lidhur me nevojat që kishte ushtria shqiptare. Ato kërkesa ishin shumë ambicioze, sepse bëhej fjalë për armatimet më të sofistikuara që prodhonte dhe dispononte vetë Kina. Veç armatimeve konvencionale që përmenda pak më lart, në kërkesat që u parashtruam ne atyre ishin dhe 18 uzina ushtarake. Këtë gjë ne e argumentonim me faktin se në një rast mbyllje të Kanalit të Suezit, armatimet t‘i prodhonim vetë në Shqipëri.

Cila ishte përgjigjja e kinezëve kur ju kërkuat 18 uzina ushtarake?

Pas asaj kërkese që bëmë ne, kinezët avancuan dhe thanë se do të na jepnin 24 uzina ushtarake dhe pas përgjigjes së tyre, Beqir Balluku lajmëroi menjëherë Tiranën. Por nga Tirana na thanë që të mos i pranonim 24 uzina, pasi Shqipëria do të kthehej në një vend militarist, duke e pasur buxhetin e ushtrisë më të madh se atë të ekonomisë.

Si vazhduan më tej bisedimet?

E gjithë biseda zgjati rreth gjashtë orë, pasi gjysmën e kohës e merrte përkthimi i fjalës së Beqir Ballukut nga përkthyesi kinez. Duke qenë se biseda zgjati shumë, sipas rregullave që kishin, kinezët na vunë përpara pjatat me kos duke ngrënë edhe vetë.

Cila ishte përgjigjja që dhanë kinezët pas fjalës së Beqir Ballukut?

Pas fjalës së Beqirit, e mori fjalën ministri kinez i Mbrojtjes, i cili aty për aty mbajti disa shënime të vogla në një copë letër. Në fjalën e tij, që nuk zgjati më shumë se një gjysmë ore, në mes të tjerash ministri kinez u shpreh: "Përpara dy vjetësh, Shqipëria rrezikohej dhe ne u ndihmuam duke u dhënë armatime jashtë planit që kishim. (E kishte fjalën për kohën kur në Greqi erdhi në fuqi junta e kolonelëve). Por tani situata politike në Shqipëri dhe në rajonin tuaj është krejt ndryshe, bile ne së shpejti do të dërgojmë edhe një delegacion qeveritar në Greqi. Situata atje nuk është më e acaruar, por megjithatë ne do t‘i studiojmë me kujdes kërkesat tuaja". Kjo ishte përgjigjja që na dha ministri i Mbrojtjes i Kinës, me të cilën pak a shumë ai na i rrëzoi të gjitha kërkesat tona.

Pas takimit me ministrin e Mbrojtjes, kush ju priti?

Një ditë pas atij takimi, delegacionin tonë e priti vetë Kryeministri i Kinës, Çu En Lai. Në atë takim ne ishim 18 anëtarë të delegacionit, pasi ekspertët e armëve të ndryshme nuk merrnin pjesë. Bashkë me ne ishte dhe ministri i Tregtisë, Kiço Ngjela, i cili kishte një muaj që na priste atje. Në fillim të fjalës së tij, Çu En Lai na pyeti se me çfarë avioni kishim ardhur në Kinë dhe kur mësoi se ne kishim udhëtuar me avionin që kinezët e kishin blerë në Rusi, ai u shpreh: "Avionët sovjetikë, si ai me të cilin erdhët ju, janë shumë defektozë. Por mos u mërzisni se tani do t‘ju dërgojmë avionë amerikanë ‘Boing‘, si ata që i pëlqejnë shumë edhe Kryeministrit tuaj". Këto fjalë të Çu En Lait ne na ranë si bombë, por më shumë na bëri përshtypje fakti që ai nuk ia përmendi fare emrin Mehmet Shehut, por u mjaftua duke thënë: Kryeministri juaj.

Për çfarë aludonte Çu En Lai me ato fjalë që tha për Kryeministrin shqiptar?

Në parantezë desha të them se që pas viteve ‘60-të, kur ne u prishëm me sovjetikët, ishin hapur fjalë se në udhëheqjen e lartë shqiptare ishte një njeri i amerikanëve dhe fjala ishte për Mehmet Shehun. Por kjo gjë ishte shumë konspirative dhe diskutohej në rrethe shumë të ngushta. Ato fjalë që atëherë kishin dalë prej Hrushovit, tashti ne po i dëgjonim nga goja e Kryeministrit të Kinës dhe habia më e madhe e jona ishte se në atë kohë për atë problem ziente kudo në Tiranë, por ne nuk i diskutonim dot me njëri-tjetrin ato gjëra.

(vijon nesër)

Paranoja e diktatorit Hoxha për të luftuar NATO-n e Traktatin e Varshavës

Artileria zinte 32% të buxhetit të ushtrisë shqiptare

Kërkesat e vazhdueshme të delegacionit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për të marrë armatime të rënda nga Republika Popullore e Kinës, të bëra gjatë bisedimeve dypalëshe zhvilluar në vitin 1972 në Pekin, ishin në vazhdën e kërkesave që kishte bërë pala shqiptare që në fillimin e viteve ‘60-të, kur Shqipëria kishte prishur e ndërprerë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe kishte filluar miqësinë e re me shtetin e madh komunist aziatik të udhëhequr nga Mao Ce Duni. Pas prishjes me sovjetikët dhe tentativës së Nikita Hrushovit për të rrëzuar Enver Hoxhën nga pushteti, ashtu siç ata bënë me pjesën më të madhe të vendeve komuniste të Lindjes, diktatori komunist Enver Hoxha i druhej ndonjë sulmi eventual ushtarak nga jashtë. Dhe për këtë gjë, që nga ajo e kohë e më pas, ai kishte shtruar si detyrë imperative armatosjen e ushtrisë shqiptare, madje duke hedhur parullën: I gjithë populli ushtar. Nisur nga ky fakt, sipas dëshmive të disa ish-ushtarakëve të lartë madhorë, Komandanti i Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Enver Hoxha, dha orientime që fuqia mbrojtëse e vendit të bazohej kryesisht në artilerinë e rëndë. Dhe për këtë gjë u hartuan plane të reja, si ato për sjelljen e atyre armëve nga Republika Popullore e Kinës, ashtu dhe për vendosjen e instalimeve të artilerisë në të gjitha zonat e vijës kufitare ku pritej ndonjë sulm eventual. Madje duke mos kursyer as gjithë vijën bregdetare (nga derdhja e lumit Buna, deri në pikën më jugore në Butrint të Sarandës), deri në thellësi të vendit e rreth qendrave të banuara. Ish-ushtarakët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dëshmojnë se aq shumë vëmendje iu kushtua instalimeve të artilerisë, sa që shpenzimet për këtë lloj arme kapnin deri në 32% të gjithë buxhetit të ushtrisë shqiptare. Në këto shpenzime që kapnin miliona dollarë, nuk hynin fare ato për blerjen e instalimeve të kësaj arme, pasi gjatë gjithë periudhës së miqësisë së ngushtë midis dy vendeve, Republika Popullore e Kinës ia akordonte falas të gjithë arsenalin ushtarak që i jepte Shqipërisë. Pas gjithë kësaj gare të ethshme armatimesh, e cila vazhdoi deri në mesin e viteve ‘70-të, kur filluan të ndjeheshin dhe krisjet e para në marrëdhëniet e miqësisë në mes Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës, gjë e cila si rezultat solli edhe ndërprerjen e furnizimeve me arsenal ushtarak nga pala kineze, Enver Hoxha do të deklaronte me solemnitet të plotë se Shqipëria ishte e aftë që të përballonte një sulm eventual armik, apo koalicion armiqsh nga jashtë, qofshin këta të NATO-s apo Traktatit të Varshavës. Dhe kjo gjë ishte e shkruar në të gjitha rregulloret dhe literaturën ushtarake që mësohej asokohe nga nxënësit e studentët ushtarakë të të gjitha niveleve, deri në fundin e viteve ‘80-të.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›