E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si i magjepsi britanikët Karla

Britanikët prisnin tjetër gjë nga bashkëshortja e re e Presidentit francez gjatë vizitës së këtyre ditëve. Karla ishte bërë e njohur për publikun britanik para pak vitesh, kur kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me këngëtaren Mik Xheker, nën hundën e gruas së tij, Xherrit. Në fillim të javës, shumë gazeta nxorën një foto ku Karla shfaqej lakuriq, gjatë karrierës si modele, e cila ishte padyshim e bukur, por jo tamam presidenciale. U rikujtua edhe fraza që kishte thënë gjatë vitit të shkuar: "Me raste jam monogame, por parapëlqej poligaminë dhe poliandrinë (ekuivalentin femëror)". Por ajo çfarë shfaqi Karla gjatë vizitës, duke luajtur për mrekulli rolin e bashkëshortes së dashur e të përkushtuar, duket se i ka bërë britanikët të kuptojnë se e kanë pasur shumë, shumë gabim.

Që në çastin kur vuri këmbë në truallin britanik, u pa qartë se gjërat do t‘i shkonin për së mbari: Bruni, pasanikja italiane, mund të ketë pasur çaste kontroversave në jetë, por diti ta luajë me gjithë madhështinë e mundshme rolin e Zonjës së Parë të Francës. Nuk përbënte asnjë të papritur që dinte më së miri të qëndronte përpara kamerave; është shumë e logjikshme për një grua që dikur ka qenë një ndër 20 modelet më të mira në botë.

Ajo që nuk mund të thuhej që atë çast ishte se si do të arrinte t‘i bënte të gjithë për vete. Në një drekë bamirësie, gratë e rangut të lartë sa nuk i ranë nën këmbë vetëm për të mundur ta takonin, duke e krahasuar të emocionuara me Xheki Kenedin. Nëpër gazeta u përshkrua si me pamje "prej vajze manastiri" dhe "si nuse e virgjër", ndërkohë që një reporter i "Daily Mail" vërejti se Karla do "kishte marrë notë maksimale në shkollën zvicerane ku ka studiuar për vite, për mirësjelljen që shfaqi...". Ndjesia e përgjithshme mbi të pasqyrohej më së miri te fotot që tregonin Princin Çarls teksa përkulej me delikatesë për t‘i puthur dorën.

Teksa sytë e të gjithëve qenë ngulur te trajtat dhe sjelljet e hijshme të Karlës, gjatë ditës së parë të vizitës, u harrua me lehtësi se të pranishëm ishin edhe njerëz të tjerë, përfshi mamanë e saj, Mariza Borini Tedeksi, si dhe Sarkozia bashkë me një zonjë të moshuar (vërente një e përditshme britanike). Si quhet? Ah, po, Mbretëresha. Gazetat u mbytën nga fotot e saj. "Daily Mail" nxori jo më pak se 17 foto të sajat, ku përfshihej ajo teksa shfaqej lakuriq (në faqe të parë) e më pas foto ku shfaqeshin vetëm duart apo këmbët e saj. "Daily Telegraph" kish mbetur mjaft pas, me vetëm 12 foto, përfshi njërën ku shfaqej duke vërejtur ngultazi Princin Filip. Por ky obsesioni ndaj saj vjen vetëm për shkak të paraqitjes së jashtme, apo ka edhe më shumë?

Biografia

39-vjeçarja italiane, Karla Bruni Tedeski, është trashëgimtare e një familjeje milionere, rrënjët borgjeze të së cilës janë ku e ku me ato modestet të Presidentit Sarkozi. U rrit duke besuar se qe bija e pasanikut dhe kompozitorit italian, Alberto Bruni Tedeski dhe e pianistes Mariza Borini. Vite më pas prindërit i treguan se ishte fryt i një dashurie jashtëmartesore të së ëmës me një violinist 13 vjet më të ri se ajo, por që gjithsesi, megjithëse e dinte mirë këtë, Alberto Bruni e kishte rritur si ta kishte bijën e vet. Kur Karla ishte vetëm pesë vjeçe, familja e saj u shpërngul nga Torino në Francë, për t‘i shpëtuar një dallge pengmarrjesh dhe atentatesh kundër politikanëve të djathtë italianë nga ana e ekstremistëve të majtë të Brigadave të Kuqe.

Kur qe fëmijë, shoqërohej nga truproja dhe qe mësuar me pallatet e me miqtë e famshëm. Familja e ndante kohën mes Parisit dhe një prone gjigante në bregdet. Mamaja e Karlës, gjithnjë e kujdesshme që bijat të shoqëroheshin me njerëzit e duhur, kërkonte që të afroheshin me fëmijët e familjes Grimaldi: Albertin, Karolinën dhe Stefaninë e Montekarlos. Kur Karla ishte adoleshente, familja udhëtonte shpesh në kështjellën e saj në Torino, ku gjendet edhe koleksioni i tyre i veprave të artit.

Bruni, e cila u dërgua në një shkollë zvicerane, studioi art përpara se të hiqte dorë. Nuk kishte nevojë për para nga familja pas hyrjes në botën e modës, duke u kthyer në një prej modeleve më të paguara në botë gjatë viteve ‘90. Arrti të fitonte edhe 7.5 milionë dollarë në vit falë famës së saj në këtë industri. "Nuk ishte brilante, qe si të gjitha modelet e tjera", thotë një dizajnues i një shtëpie të njohur franceze të modës. Ndërkaq, Karla nisi të ushtronte një pushtet aq të fortë mbi meshkujt, sa u zhvendos nga faqet e para të revistave të modës, në ato të thashethemeve VIP. Në moshën 22-vjeçare u lidh me këngëtarin Mik Xheker, atëherë 48-vjeçar. Në atë kohë lexohej se Xheker nxitoi të udhëtonte për disa ditë pushime të zjarrta me Karlën vetëm 24 orë pasi e shoqja kishte sjellë në dritë fëmijën e tyre të tretë. Aventura do të ndizte një polemikë të fortë nëpër faqet e shtypit mes Karlës e bashkëshortes së këngëtarit, që u shoqërua me divorcin e këtij të fundit. "Qava me dënesë ku Miku u largua me Karla Brunin", i tha ish-bashkëshortja e muzikantit të njohur një gazetari gjatë një interviste pak kohë pas ngjarjes. "Rashë e sëmurë. Nuk arrija ta falja dhe t‘ia pranoja vetes".

Të tjerë burra të famshëm që nuk i rezistuan dot joshjes së Karlës qenë Erik Klepton, Donald Tramp, ish-kryeministri francez, Laurent Fabius, si edhe Arno Klarsfeld, një avokat i famshëm parisien, mik i ngushtë i Nikolas Sarkozi. La publicistin dhe novelistin Zhan Pol Entoheven për të birin, filozofin 26-vjeçar Rafaelin, me të cilin pati edhe një fëmijë, që është tani gjashtë vjeç. Pas kësaj u portretizua si një grua e ftohtë, kalkuluese e ngrënëse burrash nga ish-bashkëshortja e Rafaelit, shkrimtarja Zhustinë Levi (bija e filozofit Bernard Henri Levi).

"Në raport me meshkujt nuk shtyhet nga dashuria. Është diçka tjetër, por me siguri nuk është dashuri", thotë një personazh i njohur francez, i cili i njeh mirë aventurat e saj.

Klasi

Potenciali ka lindur bashkë me të. Mollëza të prera, siluetë prej supermodeleje, para me thasë. Por deri gjatë kësaj jave nuk i kishte shpalosur kurrë aftësitë prej "rrobaqepëse", që nuk do të thotë se është veshur ndonjëherë keq, përkundrazi, vetëm se ka ruajtur një stil të qetë, që nuk ka qenë kurrë në gjendje të meritojë vëmendje të tillë nga media.

Jo të gjithë qenë dakord me veshjen ngjyrë gri. Shumë prej murgeshe, ngjyrë për asistentet e fluturimeve, e përshtatshme për vajzat e shkollave private. Por Bruni po tregon se di të luajë për mrekulli me gardërobën, mjafton të shohësh fotot në rolin e autores së këngëve. Edhe rolin e parisienes po e luan pikërisht përmes veshjes. Veshjet italiane nuk kanë qenë kurrë të parapëlqyerat e saj. Në vend të tyre ka treguar prirje të forta ndaj klasikes. Të gjithë bien dakord se Zonja e Parë e Francës i përshtatet për mrekulli stilit klasik.

Disa maniakë gardërobash mund të thonë se Bruni mund të vishet në mënyrë të mërzitshme. Dhe po ashtu, si supermodele kurrë nuk ka pasur ndonjë gardërobë të veçantë për të shfaqur. Por në rolin e gruas së Presidentit, hyjnë në lojë rregulla të tjera. Dhe Karla diti të zgjedhë për mrekulli: veshje klasike me dozën e duhur të modernes, që i shtyn përtej të mërzitshmes. Verdikti? Zgjedhjet e përsosura stilistike.

Këndvështrimi francez

Në rast se doni të mësoni ç‘mendojnë francezët mbi Karla Brunin - na falni, Madame Nikolas Sarkozi - mos lexoni shtypin mbi VIP-at, apo ndonjë prej organeve në pronë të miqve të shumtë të Presidentit (mes tyre "Paris Match", "Le Journal du Dimanche", "Le Figaro"),që janë kthyer në pasqyrues të dëshirave dhe vullnetit të shefit të Elizesë. Që pas humbjes së partisë së tij në zgjedhjet lokale të mbajtura përpara dy javëve, është thënë pambarimisht se Karla do ndryshojë Presidentin. Së fundmi ka shkurtuar flokët dhe po shfaqet gjithnjë e më shumë në rolin e vajzës së thjeshtë, të veshur me bluza të bardha e pallto ngjyrë gri. Gruaja që deri pak muaj më parë shprehej me bindje në favor të poligamisë, tani ka përqafuar idenë e monogamisë. Verën e shkuar, Sesilia Sarkozi prezantohej si Xheki Kenedi e Nikolasit; ndërsa Karla mendohet të jetë Ledi Di. Vetëm në Elize mund të arrihet në përfundime kaq pakuptim. Si do ta pagëzojnë Zonjën e katërt Sarkozi, Lara Kroft?

Përse duhen krijuar paralelizma të tilla në një çast kur francezët e thjeshtë e duan Karla Bruni-Sarkozinë për atë që është: një femër e lirë, e sigurt në vetvete, me pamje e sjellje të hijshme, e bukur dhe seksi. Xhekin lëreni te familja Kenedi e Dianën tek ajo Uindsor. Ajo që duan francezët është një Karla sa më e natyrshme të jetë e mundur. Tani dinë se mund të kenë besim tek ajo për mënyrën si do i përfaqësojë përpara Mbretëreshës së Anglisë apo Papës. Për shembull, në të kundërt me të shoqin, ajo e di me saktësi se të dërgosh sms me celular gjatë një audience në Vatikan, apo t‘i rrahësh supet Vladimir Putinit, nuk lë shije të mirë. Francezët mund të mbështeten tek ajo edhe për të përhapur kulturën franceze jashtë kufijve, në të kundërt të Sesilias, e cila vishte vetëm "Prada" dhe "Versaçe".

Historia e dashurisë mes Karlës dhe francezëve ka nisur shumë kohë përpara se të njihte bashkëshortin. Karla, apo Kalita, siç e quan Sarkozi gruan e tretë, i bëri për vete francezët në fillim të viteve ‘90, fillimisht si modele e më pas si artiste. Ndoshta një artiste me pamje më të mirë nga e përgjithshmja, por me një zë krejt të veçantë. Francezët e pëlqejnë lirinë e saj dhe gjithçka të bukur që ajo përfaqëson.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›