E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur Durrësi ishte sheshbetejë e Cezarit dhe e Pompeut

SHKRUAN: Garip Troci 21-01-2011 10:42

Libri i Luan Ramës “Kalorësit e stuhisë” zbulon një pjesë të fshehtë të botës shqiptare, kur Arbëria u bë vendi i luftës mes normandëve dhe bizantinasve,kur serbët u dyndën drejt trojeve shqiptare, ngjarje që e bënë botën iliro - shqiptare të hyjë në histori. Autori përmes këtyre ngjarjeve zbulon pikëtakimet franko - shqiptare

Cilat janë pikëtakimet franko-shqiptare gjatë historisë sonë të përbashkët?

Kjo çështje e ngacmonte Luan Ramën e Parisit që me ardhjen e tij në Francë, në fillim të viteve ‘90-të. Dhe pas hulumtimeve serioze në biblioteka dhe arkiva të Perëndimit, ai arriti t’i japë një përgjigje të plotë kësaj pyetjeje përmes një rrëfimi tërheqës. Mbështetur në dokumente autentike e dorëshkrime, shkrimtari, eseisti dhe studiuesi i zellshëm Luan Rama dha një pasqyrë shumëplanëshe të pikëtakimeve franko-shqiptare në librin «Kalorësitë e stuhisë». Përmes këtij libri ai zbulon të fshehtat e botës shqiptare, shkaqet që çuan në këto pikëtakime përmes kryqëzatave të ndryshme që donin të çlironin varrin e Krishtit në Jerusalem, por dhe shërbimet e kalorësve të shquar shqiptarë e princave të ndryshëm ndaj mbretërve të Francës. Një ndër portet ku u përplas furia e ushtrive të huaja me ato shqiptare, në këtë libër, evidentohet Durrësi, kështjella e tij. Dyndjet normande drejt brigjeve ilirike zënë një vend të rëndësishëm në faqet e librit të Luan Ramës «Kalorësit e stuhisë». Autori përmes ngjarjeve dhe argumenteve të forta jep edhe arsyen që i shtynte normandët, këta kalorës të tmerrshëm në tokën e vjetër të «Albanopolis», siç e kishte quajtur Shqipërinë Ptolemeu i Aleksandrisë në veprën e tij të njohur «Geographica». Ka qenë viti 1061, kur normandët e Puljes filluan të vështronin drejt brigjeve ilirike. Në fokus të sulmit të tyre në fillim do të ishte Durrësi. Kjo dhe për arsyen e fortë strategjike se nga ky qytet antik niste Via Egnatia, që të çonte drejt Konstantinopojës. Durrësi në atë kohë drejtohej nga guvernatori bizantin duka Perenos. Ushtria normande, sipas kronistes së njohur bizantine Ana Komnena, që zbarkoi në Durrës, arrinte deri në 30 mijë veta. Megjithëse një stuhi e fortë do t’i shpërndante anijet normande, ata që shpëtuan mbërritën në Durrës. Ndërkohë, ushtria e Bohemondit kishte filluar sulmin ndaj kështjellës së Durrësit që mbrohej nga ushtria bizantine dhe shqiptare, që komandohej nga Goerges Palelogu, kunati i Aleksis Komnena, siç do të quhej më vonë perandori bizantin Aleksis I. Përmes detajeve dhe personazheve interesant, që të ngërthejnë duke iu referuar dhe kronistes bizantine Ana Komnena, autori i librit «Kalorësit e stuhisë» sjell dhe përplasjen e madhe mes flotës normande të komanduar nga Bohemond dhe flotës bizantine e venedikase nën drejtimin e dozhit të Venedikut, Domeniko Silvio. Luftërat mes normandëve dhe venedikasve në librin e Luan Ramës «Kalorësit e stuhisë» nuk jepen përmes kronikave të thata, por mes ballafaqimeve të fakteve e ngjarjeve historike e ravijëzimit të personazheve e karakterit të tyre. Epoka historike kur Durrësi ishte dikur sheshbeteje e Cezarit dhe e Pompeut dukej se do të përsëritej sërish, nënvizon Luan Rama, në dyluftimin mes dy perandorive të mëdha. Autori jo vetëm që përshkruan deri në detaje fushëbetejën e këtyre dy perandorive, por jep dhe situatën e secilës ushtri, jo vetëm përmes statistikës së kontingjentit të tyre, por dhe anën morale, strategjinë që ndjek secila ushtri, madje dhe veçoritë e këtyre strategjive. Të njëjtën gjë bën autori dhe kur përshkruan kryqëzatat për çlirimin e Jerusalemit, që nga kryqëzata e parë e ndërmarrë nga Papa Urban II, e cila u shty nga Bohemond në nëntor të vitit 1096. Autori na zbulon dhe udhëtimet e prijësve të tjerë frankë, që merrnin rrugën drejt Adriatikut për t’u bashkuar pastaj me Via Egnatia-n, si Robert de Normandie, apo Rajmond de Saint - Gilles, kont i Toulouse e deri te prijësi fetar i kryqëzatës me vëllezërit e tij, peshkopi i Oranges etj. Në Durrës shkelnin e pikëtakoheshin personazhet e një historie botërore nga më në zë të njerëzimit, siç ishte perandori bizantin Aleksis, apo komandanti i fuqishëm normand Bohemond. Duket qartë se qëllimi kryesor i autorit nuk është të japë thjesht kronikat për kryqëzatat që sollën dhe rënien e Jerusalemit më 16 korrik 1099 në duart e kryqtarëve, as të përmendë njërin pas tjetrit emrat e kontëve të Francës që zbarkuan në brigjet shqiptare .

Ai do të zbulojë mjaft të fshehta të panjohura deri më tani, që e bënë botën iliro - shqiptare të hyjë në histori. E këtë zbulim ai e bën përmes argumenteve historike e kishtare, duke ndriçuar njëkohësisht dhe personalitete historike të kohës. Për autorin, shqiptarët autoktonë ishin jo vetëm një pikë strategjike që lidhte Perëndimin me Orientin, por dhe me një Kishë të krishterë me traditë që në shekujt e parë të krishterimit në Iliri.

Dhe për të arritur në këtë përfundim, ai mbështetet në ngjarjet kulmore të kohës, në dokumente shprehëse autentike, të zbuluara në arkivat e bibliotekat e Perëndimit.

Me këtë ai njëson mendimin me kronikanët e kohës, se «Arbëria në atë kohë ishte një shesh betejash midis normandëve dhe bizantinasve, ku shqiptarët, si gjithnjë, kanë mbajtur peshën e betejave të para dhe kishin qenë gjithnjë në krahun e bizantinasve».

Më 1147 ishte Roger II, mbreti normand i Sicilisë, që zbarkoi në Shqipëri, duke djegur e plaçkitur gjithçka gjer në Korint. Por në Durrës ai gjeti rezistencë, ndaj u detyrua të kthehej në Sicili bashkë me flotën e tij. Një tjetër furi sulmi do të nisej drejt Durrësit më 1185, nën drejtimin e Guillaume le Bon, mbret i Sicilisë, me një shpurë prej 80 mijë ushtarësh. Këtë radhë Durrësi u plaçkit dhe u dogj plotësisht. Shumë vite më vonë bizantinët do të rikthehen në Konstantinopojë. Krahas kësaj periudhe, ku autori nuk harron ta rrokë dhe krijimin e Principatës së Arbërit, nga viti 1190 deri në 1216, ku si mbret ishte Progonini, që si kryeqytet do të preferonte Krujën. Luan Rama përmes shumë dëshmish ndalet në rolin e anzhuinëve dhe pinjollit franko - shqiptar Karl Topiasi dhe te figura komplekse e Ali Pashë Tepelenës, që kishte si idhull Napoleon Bonapartin, te lidhjet e Skënderbeut me Dukën e Madh të Perëndimit, Philipp-le-Bon (Filipi i mirë) i Bourgognes. Edhe për Pal Engjëllin, aleatin kryesor të Skënderbeut, aleanca me frankët ishte e vetmja shpresë, siç nënvizon dhe autori, e Shqipërisë përballë furisë osmane. Madje, për të shprehur pikëtakimet e forta franko – shqiptare, autori te libri «Kalorësit e stuhisë» ndalet dhe te gjurmët e botës shqiptare që ndodhen në epikën legjendare, apo romanet kalorësiake të frankëve.

Në këtë libër Luan Rama ndalet më së shumti dhe tek aleatët e shqiptarëve, në veçanti të atyre frankë. Këtu ai veçon rolin e spikatur që pati kalorësi i madh frank Charles de Anjou. Ai do të ndikonte kundër dominimit të Bizantit të Mihal Paleologut dhe dyndjeve të mbretërisë serbe, që kërcënonin nga Veriu. Kur serbët më 1319 u dyndën drejt trojeve shqiptare, atëherë Arianitët; Blinishtët, Jonimajt apo dhe Matarangët lidhën aleancë me anzhuinët. Autori, duke i mëshuar fort idesë së lidhjeve të anzhuinëve me shqiptarët, tregon gjer në detaje historinë interesante të njohjes së Tanush Topisë me Helenën franceze, bijën e familjes mbretërore D’Anjou. Tanushi e kishte parë Helenën në kështjellën e Durrësit, kur ajo kishte ardhur me një anije vetëm për të kaluar një mbrëmje e pastaj për të ikur tek i fejuari i saj frëng, princi i ishujve të Moresë, por Tanush Topia e rrëmbeu francezen me pasionin e tij. Dhe më pas ai shpalli dasmën, ku thirri gjithë prijësit shqiptarë. Një vit më vonë u lindi një djalë, që Helena e quajti Karl (Charles) në kujtim të gjyshit të tij. Kur u rrit dhe u bë zot i Durrësit dhe i krahinës përreth, në stemën e tij ai vazhdoi të mbajë zambakët heraldikë, duke shtuar dhe luanin e stemës së hershme të anzhuinëve. Më 1374, duke parë forcën e princit Karl Topija dhe Papa Gregoire XI i dha atij titullin Grande conte d’Albanieal (Kont i madh i Shqipërisë). Është koha kur sundimi i Topijave ndodhet në një trysni të dyfishtë; asaj të osmanëve dhe të Balshajve. Konkurrenca dhe luftërat mes Topijave e Balshajve ishte shumë e fortë. Për këtë ishte shqetësuar dhe Venediku, pasi përplasja mes princave shqiptarë dëmtonte dhe tregtinë e tyre. Por autori i librit «Kalorësit e stuhisë» nuk ndalet vetëm në rolin protagonist të prijësve shqiptarë brenda vendit të tyre. Ai sheh dhe anën tjetër të medaljes, rolin e këtyre prijësve shqiptarë, të luftëtarëve të tyre me emër, si protagonistë të rëndësishëm dhe jashtë territoreve shqiptare. Kjo anë natyrisht është më pak e njohur për lexuesit shqiptar. Por Luan Rama, si kërkues i zellshëm i arkivave të bibliotekave të Perëndimit, e sjell atë të plotë, duke e parë në tërë dimensionet e saj me plot kolorit e dritë. Por në këtë libër tejet interesant autori e kthen vëmendjen dhe te historia e kurorës së Napolit dhe anzhuinëve. Kjo është, sipas tij, një histori luftërash të vazhdueshme midis anzhuinëve dhe aragonasve për dominimin e Napolit dhe të Sicilisë, ku jo rrallë kjo luftë lidhet me Arbërinë. Gjithsesi ky libër, si shumë të tjerë të Luan Ramës, që merren me tema të mëdha historike, zbulon një pjesë të fshehtë të botës shqiptare, ndonëse i takon një epoke të kahershme, por ajo vjen e afërt te lexuesi në sajë të sistemimit mjeshtëror të lëndës së pasur historike, duke sjellë mesazhe aktuale përmes saj .

Paris, janar 2011

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›