Rikthehen reshjet e shiut, pritet ulje e temperaturave
Reshje të dendura shiu parashikojnë meteorologët për ditët në vijim. Sipas meteorologëve, reshjet pritet të fillojnë mesnatën e së enjtes, ndërkohë që ditën e premte intensiteti i tyre do të jetë i lartë, në të gjithë territorin e vendit, kryesisht në zonën veriperëndimore. Reshjet do të jenë prezente përgjatë gjithë fundjavës. “Në ditët në vijim presim të kemi fuqizim të vranësirave dhe të reshjeve të shiut, në të gjithë territorin shqiptar, dhe do të zgjasin 4-5 ditë. Do të thosha që sasia e reshjeve, që pritet të marrë Veriperëndimi, ku do të jenë dhe më të përqendruara, do të jenë rreth 70 milimetra”, - pohon meteorolgia, Drinalda Shaholli. Por, krahas reshjeve të shiut, edhe termometri do të shënojë vlera të ulëta, të cilat pritet të shkojnë deri në -9 gradë celcius, në zonat malore. “Rënia më e madhe që pritet do të jetë ditën e shtunë dhe ditët në vijim. Në fakt, rënia pritet të jetë me 3 apo 4 gradë, ku parashikohet se vlera minimale të shkojë deri në -8 apo -9 gradë celcius. Ndërsa vlerat maksimale do të pësojnë një rënie të lehtë dhe graduale në ditët në vijim”, - përfundon meteorolgia.