Parada e sopranove në skenën e TKOB
Sezoni artistik në Teatrin e Operas çelet sot në mbrëmje me një shfaqjen “Parada e Arieve”, që do të përcjellë te publiku disa nga ariet më të bukura të muzikës operistike botërore. Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, e udhëhequr nga mjeshtri Zhani Ciko, do të shoqërojë interpretimin e disa prej veprave më të njohura botërore, disa prej tyre janë vënë dhe në skenën e TKOB-së. Mbrëmja Gala do t’i paraprijë një sezoni të ngjeshur operistik në Teatrin e Operas, ku sipas kalendarit janë parashikuar të vihen dhe rivihen disa prej operave shqiptare, por dhe të huaja. Një prej tyre është dhe Opera “Borana” e Avni Mulës, e cila është parashikuar të ringjitet në skenën e TKOB-së gjatë muajit shkurt. Kjo gala jo vetëm që do të ekspozojë ariet më të bukura, por mbi të gjitha është konceptuar si një paradë interpretimi e sopranove të operas. Një nga koncertet më të veçantë pritet të jetë ai i orkestrës së Operës shqiptare me Operën e Sarajevës, i cili do të zërë vend në të dyja skenat. Nё datёn 23 janar do tё mbahet njё koncert i organizuar me rastin e 200-vjetorit tё lindjes sё kompozitorit tё njohur hungarez Frenc Lisz, ku do tё vijё enkas nga Hungaria pianisti Benedek Harvath.