E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur Kadri Hazbiu i shiste armë mafias italiane



Analizë/ Historia e furnizimit të Shqipërisë me municione, që nga Italia fashiste, Kina, Bashkimi Sovjetik

15 mars 2008. Një krismë dhe tronditje e tmerrshme, e shoqëruar me një kërpudhë flake dhe tymi, e ngjashme me kërpudhën e bombës atomike, që u hodh në Hiroshimë, më 6 gusht 1945, ndodhi në katundin Gërdec, 18 km lart Tiranës, në trekëndëshin Durrës – Tiranë – aeroporti i Rinasit (“Nënë Tereza”). Ku u gjetën ata mijëra tonë municione, që shpërthyen në ditën e 15 marsit 2008?! Shpesh në të kaluarën nga studiues të huaj dhe shqiptarë, Shqipëria ishte quajtur “fuçi baruti”. Në fakt, kjo shprehje e figurshme nuk i përgjigjet realitetit historik të kohës. Shqiptari që në kohën e pushtimit otoman ishte i armatosur edhe kur dilte jashtë shërbimit të gjatë ushtarak. Pas Luftës I Ballkanike (1912-1913) në Shqipëri mbetën mjaft armë dhe municione jo vetëm nga ushtria e shpartalluar turke, por dhe nga ushtria serbe e rraskapitur, që tërhiqej nëpërmjet territorit shqiptar drejt Korfuzit dhe Italisë në dimrin e vitit 1915. Qeveritë shqiptare të viteve 1920-1924 nuk bënë asgjë për çarmatimin e popullatës që mbante armë dhe municione pa leje. Me ardhjen e Ahmet Zogut në krye të shtetit shqiptar, në fillim si President dhe nga viti 1928 si Monark, u kryen disa operacione të suksesshme çarmatimi. Mund të themi me bindje se pas vitit 1932, në duart e popullatës nuk ekzistonin armë dhe municione pa lejen e organeve shtetërore. Pushtimi fashist dhe sidomos Lufta Italo-Greke (tetor 1940-maj 1941) lanë në territorin shqiptar armë dhe municione të konsiderueshme. Pas kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943, njëqind mijë ushtarë italianë braktisën armatimin e tyre dhe u arrit deri atje, sa një pushkë dhe një revolver shitej për një kokërr vezë. Me ato armatime u armatosën shumica e familjeve fshatare (në atë kohë fshatarësia përbënte 80% të popullatës shqiptare) dhe njësitë partizane, çetat e Ballit Kombëtar, të Legalitetit, pasuesit e bajraktarëve të veriut etj. Mbas vendosjes së diktaturës komuniste, më 29 nëntor 1944, u organizuan nga DMP (Divizioni i Mbrojtjes së Popullit) disa operacione çarmatimi të dhunshme. Mbas kontrollit në çdo shtëpi dhe kasolle, banorët e fshatrave i mblidhnin me dhunë në sheshin e katundit ku i rrihnin barbarisht, madje edhe i ekzekutonin pa gjyq, në qoftë se nuk dorëzonin sasinë e armëve dhe municioneve, që u kërkohej nga repartet ndëshkimore. Edhe sot e kësaj dite, në Mirditë, Kallmet dhe Zadrimë, kujtohen me llahtari gjëmat e komandantit të batalionit ndëshkimor të komanduar nga Toger Baba (alias Hodo Habibi) që kryente çarmatimin në ato krahina gjatë viteve 1945-1947. Kur Shqipëria komuniste aderoi në Traktatin e Varshavës në vitin 1955, në depot ushtarake nuk kishte më armë dhe municione të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ish-Bashkimi Sovjetik furnizoi ushtrinë shqiptare jo vetëm me armatime të lehta, por dhe me qindra tanke, aeroplanë, nëndetëse dhe mjete ushtarake lundrimi. U ndërtuan aeroporte dhe baza detare të vëna në shërbim të Traktatit të Varshavës, duke e kthyer Shqipërinë në një bazë të avancuar në Detin Mesdhe. Nga fundi i viteve pesëdhjetë drejt Shqipërisë i hodhi sytë edhe Kina maoiste. Në muajin maj të vitit 1959, kur Shqipërinë e vizitonte një delegacion sovjetik i kryesuar nga Nikita Hrushov, në Shqipëri ndodhej “inkonjito” ministri i Mbrojtjes së Kinës, marshalli Pi Den Huai, që përgatiste planet ushtarake për ta kthyer Shqipërinë në një depot ë madhe armatime, të paparë në rruzullin tokësor. Gjatë periudhës “të miqësisë” shqiptaro-kineze ( 1962-1978 ) Kina e furnizoi Shqipërinë me armatime që shkonin në vlerën e 18 miliardë dollarëve amerikanë. U ndërtuan disa uzina armatimi dhe municionesh, si ajo e Poliçanit në Berat e Mjeksit në Elbasan e Çekinit në Gramsh dhe një tjetër në periferinë e këtij qyteti. Përveç armatimeve dhe municioneve që prodhoheshin në Shqipëri, ushtria shqiptare u furnizua me qindra tanke kineze, me mjete ushtarake detare dhe me aeroplanë “Mig” difektozë, që shkaktuan vdekjen e disa dhjetëra aviatorëve shqiptarë. U ndërtuan me qindra tunele, për të depozituar mijëra tonë municione që prodhoheshin në uzinat e armatimit. Gjatë hapjes së tuneleve, janë vrarë mbi 500 ushtarakë, kufomat e të cilëve u dërgoheshin familjeve natën, duke i porositur që t’i varrosnin pa zhurmë dhe pa bujë. Në depot e municioneve u vendosën mbi 500 mijë tonë municione që i binte çdo shqiptari të mbante mbi shpinën e tij 2 ½ kv barrë e papërballueshme për shpinat e kërrusura të shqiptarëve mjeranë. Sa qytetarë shqiptarë janë vrarë dhe plagosur nga shpërthimet e municionet gjatë sistemimit nëpër depo, gjatë transportit nga një vend në tjetrin dhe gjatë zboreve ushtarake?! Flitet se janë disa mijëra, por askush nuk e thotë këtë gjë me zë të lartë edhe sot e kësaj dite. Në arkivat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Brendshme (në qoftë se ekzistojnë) duhet të jenë emrat e atyre fatkeqëve që ranë viktima nga marrëzitë e klikës vrastare komuniste të asaj kohe. Përse nuk publikohen emrat e atyre fatzinjve që u vranë nga shpërthimet e municioneve dhe emrat e përgjegjësve për vdekjen e atyre qytetarëve që zbatuan verbërisht urdhrat e pushtetarëve vrasës?! Shqipëria pas vitit 1962 u shndërrua në një depo gjigande baruti dhe u bë e frikshme jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për popujt e Evropës, Afrikës dhe Azisë. Pranë kabinetit të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut, ndodhej zyra e një përfaqësuesi të mafias italiane, që kontraktonte për armët dhe municionet që do të blinte nga qeveria komuniste shqiptare për të furnizuar grupet terroriste në Itali, Korsikë, Spanjë, Irlandë, Greqi etj. Qindra mijëra kallashnikovë të modelit kinez dhe dhjetëra mijëra tonë municionesh të prodhuara në Shqipëri u shitën në Ruanda, Kongo, Angola, me të cilat u vranë një milion e gjysmë tuci dhe hutu. Edhe sot e kësaj dite problemi i gjenocidit afrikan nuk është mbyllur. Një komision i OKB-së, me përfaqësues të vendeve afrikane, kërkojnë dënimin nga një gjykatë speciale në Hagë, të shkaktarëve të atij gjenocidi të përgjakshëm, që u ka marrë jetën qindra mijëra fëmijëve dhe grave të pafajshme afrikane. Shpresojmë se në aktakuzën e prokurorit të Hagës për gjenocidin afrikan nuk do të përmenden vetëm emrat e Çombes, Mobutus, Mengisit etj., por dhe të klikës vrastare të Enver Hoxhës që furnizoi grupet terroriste afrikane me dhjetëra mijëra tonë municione dhe armatime të prodhuara në Shqipëri. Armët dhe municionet shqiptare u dërguan edhe në Liban, Afganistan, Palestinë dhe në të tjera vende aziatike për të vrarë qindra dhe mijëra të pafajshëm. Për krimet e kryera në shumë vende të botës nga armët dhe municionet e dërguara nga Shqipëria komuniste, askush nuk ka folur dhe s’është përgjigjur penalisht. Askush nuk u dënua në Shqipëri nga ushtarakët e papërgjegjshëm që braktisën dhe hapën depot e armatimeve në vitin e mbrapshtë 1997. Nga armatimi i grabitur në ato depo nga bandat kriminale dhe mafioze u vranë mbi 3.000 shqiptarë të pafajshëm dhe u shkaktua një dëm i pallogaritshëm ekonomik. Një pjesë jo e vogël e atyre armatimeve ka mbetur në duart e popullatës civile, të cilat vazhdojnë të përdoren edhe sot, duke marrë jetën e qindra njerëzve. Shteti shqiptar pas vitit 1991 nuk mund të menaxhonte një sasi aq të madhe armatimesh dhe municionesh, prandaj ndodhën dhe katastrofa si ato në depot e armatimit të Qafështamës, në Dhembland të Tepelenës dhe në të tjera vende që nuk janë publikuar dhe janë mbajtur sekret. Gërdeci ishte akti i fundit i asaj drame që ka vazhduar në Shqipëri për gjysmë shekulli. Viktimat e Gërdecit u dëmshpërblyen, por sigurisht, dhimbja që shkaktoi ajo katastrofë, nuk do të harrohet për shumë kohë. Vendimi i gjykatës që do të gjykojë katastrofën e Gërdecit duhet të pasqyrojë me saktësi shkakun dhe pasojat. T’i jepet Romës ajo që i takon Romës dhe Cezarit atë që i takon Cezarit. Vetëm kështu do të mbyllet kjo faqe e përgjakur e historisë të armëve dhe municioneve shqiptare, të mallkuara nga mijëra nëna, gra dhe motra, për humbjen e njerëzve të tyre më të dashur.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›