Brenda dhe përtej tekstit
Përsëri gjykoj se ka vend t’i rikthehem problemit të tekstit të historisë për të cilin debatohet së fundmi në hapësirën politike si edhe në atë mediatike. Them t’i rikthehem, sepse një javë më parë kisha marrë tashmë një qëndrim në faqet e po kësaj gazete dhe as më shkon ndërmend ta ndryshoj.
Qëndrimi im ishte i mbështetur në tri piketa kryesore:
Së pari, që në planin metodologjik dhe atë pedagogjik, teksti i historisë që po flasim, sipas pasazheve të gjera të relatuara nga shtypi, mund të ngjallte kundërshtime dhe debate; aty këtu u nxor në pah edhe ndonjë pasaktësi. Duke u marrë edhe me këtë periudhë të evoluimit të shoqërisë shqiptare, si autor, kam pasur mendimin se gjërat duhen marrë në relativitetin e tyre, pa pasione, pa gjykime vlerore dhe sidomos pa i etiketuar pa prova të gjera dokumentare, sidomos pa përdorur etiketa të një periudhe tjetër mbi procese historike që gjithmonë paraqesin risi dhe papërsëritshmëri, sikurse është vetë historia. Vetë unë për shumë gjëra nuk shfaqesha në një mendje me autorët, të cilët duhet të them se nuk i njoh fare personalisht.
Aq më shumë se duke marrë parasysh publikun e nxënësve dhe të mësuesve që do të punojnë me tekstet shkollore, autori është i detyruar që pa hequr dorë nga bindjet e veta shkencore, të përpiqet të jetë paksa «diplomat», pra të ecë në një pistë paksa të moderuar disi, në mënyrë që mësimi në klasë të mos ketë çarje të thella kuptimore, çka në fakt e bën shpjegimin e mësuesit të pamundur.
Por, kundërshtitë, kur ato nuk provojnë pasaktësi historike, por kanë të bëjnë më shumë me mënyra interpretimi të ngjarjeve historike dhe të proceseve shoqërore, nuk janë veçse bashkëshoqëruese të futjes në qarkullim të çdo teksti, shkruar ky edhe nga penat më të mprehta të kohës. Çdo fjali e shkruar nga dora e njeriut, çdo fjali e thënë mund të kritikohet, mund të ironizohet, mund të sillen argumente që e bëjnë atë të papranueshme. Nuk thuhet më kot sot në hermeneutikën e tekstit që kuptimësinë e një fjalie nuk e jep dot përfundimisht ai që e shkruan atë, por ai që e lexon. Kur me interpretimet e një teksti nuk janë dakord një, dy, tre, dhjetë, njëqind, një mijë vetë, që bëjnë pjesë në publikun që e lexon, kjo nuk është as çudi, as një gjë e rrallë.
Nisni diskutimin e të gjitha teksteve të historisë, filozofisë, sociologjisë, psikologjisë, ekonomisë, jo vetëm të shkollës shqiptare, por edhe të asaj perëndimore, dhe do të shihni se çfarë kaosi ndodh!
Së dyti, thosha se politika më shumë duhet të merret me politikat e ndërtimit të procedurave të hartimit të teksteve, me rregullat e vlerësimit të tyre profesional në procesin e bërjes dhe daljes në qarkullim, me formalizimin institucional të duhur të raportit mes autorëve dhe recensuesve të teksteve etj. Kjo është legjitime si kompetencë e saj, legjitime në debatin mes partive në pushtet dhe opozitës. Por, nuk mundet që politika të mos vetëpërmbahet për të evituar që ta thotë ajo të vërtetën historike në vend të historianëve. Komuniteti i historianëve ka mundësi të vetëprodhojë dije, ta korrigjojë atë, është kompetenca e tij në fund të fundit të hartojë tekste historie. Ne të tjerët, duke pasur të drejtën e diskutimit, të lirë, si publik, pa dyshim japim pëlqimin ose mospëlqimin tonë. Mirëpo, politika nuk mund ta zëvendësojë historianin.
Së treti, shprehesha se duhet të ruhemi nga disa stereotipa që na vijnë nga larg dhe që kanë të bëjnë me mënyrën se si mendohet e rekomandohet të shkruhet historia, që, sipas meje, krijojnë probleme të vështira si në planin shkencor, ashtu edhe në planin pedagogjik. Këtu nuk është më problemi te një tekst i vetëm. Një tekst i vetëm, nëse duan autorët, mund të përmirësohet duke dëgjuar me kujdes vërejtjet e kolegëve, mësuesve, prindërve etj. Problemi më i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me atë se çfarë u kërkohet autorëve të teksteve, historianëve, sociologëve, psikologëve, pra intelektualëve në përgjithësi, që këta të fundit duhet të mbajnë parasysh kur shpalosin punën e tyre në të mirë të publikut.
Këtu dëshiroj të ndalem në disa argumente:
Më duket se po kërkohen të respektohen disa rregulla të ngurta që e «kastrojnë» veprimtarinë intelektuale, e kthejnë intelektualin një farë “eunuku” që duhet t’i sillet dhe përsillet së vërtetës së tij, por gjithmonë duke u përmbajtur, për të mos e prekur, sikurse ka dëshirë, atë të vërtetë që i beson si autor e që jo medoemos e ndan dhe nuk ka nevojë ta ndajë me të tjerët, duke ia mposhtur njëherë e mirë lirinë e të shprehurit shkencor, energjinë intuitive të intelektit që e pranuar ose jo nga opinioni ka vend të thuhet, të shprehet, të dalë në pah.
Fakti i shokimit të opinionit publik nuk është një argument i vlefshëm që e rrëzon apo e lartëson një rezultat të caktuar të një veprimtarie intelektuale. Kjo duhet mbajtur parasysh duke pasur në mendje historinë e largët dhe të afërt. Këtë e theksoj jashtë dhe pavarësisht rastit konkret të librit të historisë për të cilin është debatuar. E thashë edhe një herë, nuk është ai libër që më intereson në këto radhë.
Cilët janë këta stereotipa, sipas meje të dëmshëm, që rrezikojnë ta kthejnë intelektualin në një mekanizëm konjitiv shterpë?
Së pari, po i kërkohet historianit qe ai të mos merret me historinë e kohës së tij, por me të kaluarën e largët, në mënyrë që historia të ketë precipituar gjoja mirë dhe të shihet me gjakftohtësi, si histori e vërtetë. Nuk ka gjë më të padrejtë dhe censuruese. Kjo është e padrejtë në planin pedagogjik. Nëse historia, ekonomia, sociologjia etj. nuk do të trajtojnë proceset aktuale që has një brez, atëherë më thoni ju lutem si do të arrijë shoqëria ta edukojë rininë e saj, si mund të mendohet një shkollë pa kulturën e aktualitetit? Por, edhe në planin etik kemi një shqetësim serioz, nëse u kërkojmë intelektualëve të mos merren me aktualitetin. Thjesht i censurojmë. U themi merruni me të shkuarën e largët sepse të sotmen nuk jeni në gjendje ta trajtoni. Në këtë mënyrë ne do të kemi një opinion publik, i cili pranon vetëm përqasjen politike, mediatike, për aktualitetin, por në asnjë mënyrë atë të intelektualit, të shkencëtarit, të dijetarit. Platoni përzinte nga qyteti artistët, një kategori artistësh, së paku, kurse tani te ne, me këta stereotipa po kërkohet të përzihet tërthorazi intelektuali nga qyteti. Në planin e logjikave të komunikimit përsëri krijohet shqetësim. Historia nuk është vetëm përshkrimi dhe kuptimi i fenomeneve historike, por edhe mënyra se si një brez i caktuar i kupton ato. Po ta shkruajnë historinë tonë të sotme, brezat e ardhshëm, pra pas nja njëqind vjetësh, atëherë ne do të kemi sigurisht një histori, por jo historinë e kuptuar sipas nesh, njerëzve të gjallë të sotëm, por si histori e kuptuar nga ata që do të vijnë, nga ata që do të jenë zotërit e Shqipërisë së asaj kohe. Historia jonë e kuptuar prej nesh do të ketë ikur e pashkruar dhe e humbur në jetë të jetëve. Kur ne lexojmë Homerin, më shumë sesa mësojmë për kohën e tij, marrim dijeni se si njerëzit e asaj kohe e kuptonin dhe e shprehnin historinë që bënin. Ndarja përfundimtare midis aktorëve dhe autorëve të historisë do të kishte pasoja fatale në këtë drejtim. Në filozofinë bashkëkohore të historisë është argumentuar dhe pranuar gjerësisht ideja se një histori e bërë nga larg, pas shumë kohe, është ndofta më e pranueshme prej opinionit të kohës kur shkruhet sesa dija historike që prodhohet njëkohësisht me ngjarjet që ajo përshkruan sepse ajo kthehet kështu në një lloj konsensusi që brezat e vendosin me anë të proceseve edukative. Nuk ka kush ta kundërshtojë një version që e ndërtojnë vetëm historianët pas një shekulli lidhur me historinë e shkuar, ndërkohë që vetë aktorët e historisë, ata që mbartin dëshmitë personale, nuk janë më mes të gjallëve. Ne kështu do të kemi vetëm “historinë e ftohtë”, sikurse thuhet, por jo “historinë e ngrohtë”. Sot kundërshtitë nuk lidhen vetëm me interpretimin e ngjarjeve bashkëkohore, por edhe me ato të shekujve të kaluar. Në fakt, debatit, kur një shoqëri është e çarë në opinionet e saj, nuk i shpëton as versioni institucional për një histori të ndodhur dekada a shekuj më parë. Nuk mund të rekomandoj për të lexuar veprën e fenomenologut të shquar Husserl, i cili shkruante veprën e tij të paharrueshme për krizën në shkencat evropiane, duke thënë se kur opinioni i një shoqërie është i thyer, atëherë nuk mund të ketë konsensus as në shkencat sociale, bile as edhe në ato natyrore. Të mos harrojmë se ishim në kontekstin e viteve ’30. Kur historia shkruhet vite e dekada, shekuj më pas, sigurisht që ka disa avantazhe, por edhe pengesa që i krijon vetë koha.
Stereotipi i dytë lidhet me kërkesën që historiani të shkruajë vetëm faktet, por i rekomandohet të ruhet nga interpretimi dhe nga vendosja e tyre në një horizont kuptimor të caktuar. Kjo nuk do të ishte më pastaj fare histori. Tjetër është kërkesa që faktet të lidhen saktë dhe pa asnjë pasaktësi. Tjetër është që ato të jepen pa u interpretuar. Si mund të jetë e mundur kjo gjë? Historia nuk mund të shkruhet pa e interpretuar, pra pa vendosur një lidhje mes fakteve historike. Përndryshe, nuk do të ishte veçse një magazinim të dhënash kaotike. Pastaj, duhet kuptuar se sipas filozofisë bashkëkohore, çdo fakt është një «fakt institucional», pra merr kuptim brenda vetëm një kuptimi të caktuar për botën dhe përtej tij nuk më ka vlerë. Një koleksionues fluturash në stadium shkon për të ndjekur fluturën e tij, kurse tifozët për të ndjekur ndeshjen. Secili i vendos faktet brenda një horizonti kuptimor, një «loje fjalësh» që lind dhe strukturohet nga niveli i subjektivitetit të tij. Koleksionuesi shpjegon faktet - flutura, kurse tifozi përshkruan faktet - gola. Nuk ka fakte në vetvete. Pastaj duhet shpjeguar edhe rrjedha historike, lidhja shkak-pasojë, rrjedha e kohës shoqërore apo natyrore (nëse ka të tillë) dhe këtu askush nuk shpëton dot pa vendosur një lidhje mes shkakut dhe pasojës. Por, gjetja e shkaqeve nuk është thjesht konstatim faktesh, por medoemos një interpretim i tyre, i rrënjëve, burimeve dhe pasojave të tyre. Kush mendon se jep vetëm fakte, në fakt është hipokrit, sepse e bën këtë pa qenë i ndërgjegjshëm apo me qëllim, duke e kaluar interpretimin e tij si pa u vënë re dhe si diçka e natyrshme.
Le të supozojnë se një tekst historie do të jepte vetëm fakte. Pa shpjegime, pa interpretime. Çfarë do të ndodhte? Nxënësit në klasë do t’i kërkonin mësuesit apo mësueses së tyre që t’i bënte këto interpretime hapur dhe qartë, sepse nuk do të kuptonin asgjë nga teksti. Mësuesi do të ishte i detyruar t’i bënte sipas hamendjes së vet, bindjeve të veta. Në këtë rast do të privoheshin nga interpretimet e autorëve të teksteve, do t’i mbanin ata në një gjendje mosprodhimi intelektual, por do t’u jepnin dorë të lirë të gjitha interpretimeve të mundshme nga ana e mësuesve në klasë. Problemi nuk do të evitohej, por do të shumëzohej dhe do të merrte pamje të tjera.
Stereotipi i tretë që po del në pah, është ai, i cili kërkon që historia të jetë absolutisht “e paanshme”, “objektive”. Gati-gati që autorët e teksteve të jenë pa bindje, mekanizma kompjuterikë. Sa mirë do të ishte, por është gati e pamundur që të zhvishet një autor, një intelektual nga subjektiviteti i tij, nga mënyra subjektive si e përjeton botën, nga shkalla e formimit të tij, nga kujtesa e tij. Asnjë tekst nuk është objektiv, kur është fjala për shkencat humane dhe sociale. Sigurisht, nuk ka vend të merret në mbrojtje një njëanshmëri, partishmëri e hapur, e theksuar, mbidoza ekskluzive subjektiviteti politik apo ideologjik. Por, kjo është tjetër gjë. Po ashtu ka vend që të respektohet me një rigorozitet të vërtetë moral dhe shkencor objektiviteti i të dhënave materiale, ngjarjeve, datave, emrave, institucioneve etj. Mirëpo sado që të realizohet kjo, kuptimësia e tyre, interpretimi dhe shpjegimi i tyre, mund të bëhen vetëm mbështetur në teori, në koncepte, në tipologji hipotezash dhe aksiomash ideologjike, të cilat shpesh janë jo vetëm të paverifikueshme, por edhe subjektive, të ardhura nga thellësia e kohëve apo të huazuara nga kultura të tjera.
Teoritë dhe përqasjet e mëdha teorike në shkencat sociale janë të gjitha të shenjuara me këtë vulë subjektivizmi dhe anshmërie. Gjysmaku, i painformuari, i sipërfaqshmi, ai që gjendet përherë në mes të rrugës së dijes, pa arritur kurrë në një breg relativisht të qëndrueshëm, meqë nuk e di se teoritë e mëdha bazë të interpretimit të ngjarjeve shoqërore kanë në rrënjë një subjektivizëm dhe anshmëri, karakteristikë e kohës së tyre, e tensioneve dhe konflikteve të kohës kur janë ngjizur, ka iluzionin se ato përbëjnë një «shkencë objektive», krejt të paanshme.
Kujton se filozofia e Sokratit që themeloi filozofinë e arsyes në botën helene dhe më gjerë, nuk është një përqasje që megjithatë drejtohej kundër formave kulturore të lidhura me politeizmin, ruralitetin, mitologjinë, në emër të një bote tekniciene, me prirje homogjenizimi ligjor dhe kulturor. Kush nuk e di midis të mirinformuarve se teoritë e Makiavelit janë shprehje e një konflikti të ashpër mes demokratëve republikanë dhe satrapëve të Firences së kohës! Kush nuk e di se Luteri dhe Kalvini përpunojnë një përqasje të përcaktuar për faljen dhe mëkatin që shpreh ndërgjegjen fetare të shtresave urbane në pasurim e sipër dhe të prira drejt industrializimit kundër një kleri që t’i qëndronte besnik dogmës tradicionale! Kush nuk e di se filozofia e historisë së Dekartit, Rusoit, Volterit nuk përmban konfliktin dhe tensionin mes këtyre përfaqësuesve të një shtrese të re borgjeze që po lindte dhe autokratizmit ruajalist të kohëve! Nuk kanë fund këta shembuj.
Cilëndo përqasje dhe hipotezë të përzgjedhësh nga metodologjia e shkencave historike, sociale, humane për të shpjeguar historinë e kaluar apo atë të ditëve të tona, ndodhesh përherë brenda edhe një universi konceptual të fuqishëm, por edhe i përfshirë medoemos brenda një subjektivizmi dhe njëanshmërie të trashëguar përtej të cilëve është e pamundur të dalësh.
Së katërti, kërkohet një gjuhë e moderuar, e lëmuar, koncepte «pa maja», pa etiketa, një stil i qetë. Sigurisht. Aq më tepër kur është fjala për një tekst. Por, edhe këtu, intelektuali i ka mundësitë e tija të kufizuara. Imagjinoni një shoqëri si jona, ku politikanët i vendosin etiketat më të pamendueshme njëri-tjetrit, ku mediat kanë një gjuhë tepër të ashpër, ku në jetën e përditshme individi ndeshet me një dhunë gjuhësore dhe psikologjike të përditshme, dikush, intelektuali pra, të shkruajë dhe flasë me një ton neutral, me një gjuhë të stolisur me nota të buta. Mirë do të bënte. Me këtë kulturë duhet të paraqitet. Nuk mundet që arsyeja shkencore të shprehet me të njëjtën gjuhë sikurse bëjnë pasionet.
Menjëherë do të ndodhej, i shkreti, përpara disa të papriturave krejt të pakëndshme. Fjala e tij nuk do të tërhiqte vëmendjen e askujt. Do të akuzohej si oportunist. Do t’i thoshin me egërsi: Na thuaj të vërtetën! A thua se e vërteta mund të thuhet vetëm me gjuhën e rrugës. Më duket e tepruar që t’i kërkohet me ngulm intelektualit të jetë i shprehur me një gjuhë të butë, pa ngjyresa, pa shprehur asnjë bindje në një shoqëri ku mbisundon një i folur që është krejt i kundërt. Kush ia kërkon? Politika? A thua se gjuha e politikës është në ato standarde që do ta kërkonte një kulturë demokratike e civilizuar! Kush ka të drejtë t’i kërkojë intelektualit të përdorë një gjuhë gati hermafrodite, pa asnjë nuancë, pa asnjë subjektivit, pa asnjë hije etikete? Duhet dhënë shembulli më parë. Intelektuali nga njëra anë duhet ta emancipojë gjuhën e shoqërisë së vet, por nga ana tjetër nuk mund të shkëputet prej saj.
Problemi i teksteve shkollore në shkencat humane dhe sociale është shumë më i gjerë sesa ai i njërit prej tyre që u gjet, me ose pa të drejtë, për t’u bërë «kokë turku». Nuk është fjala për ta «kastruar» intelektualin, për ta censuruar atë. Zgjidhja është në demokratizimin dhe pluralizimin e shkollës. Që instancat shkencore dhe institucionale që janë ngarkuar me prodhimin e teksteve shkollore të funksionojnë si duhet, se një tekst, pasi del, askush nuk besoj se ka më të drejtë ta censurojë apo t[a heqë nga qarkullimi veç atyre që ligji i konsideron shprehimisht kompetentë për këtë punë. Prandaj janë tekstet alternative. Për lëndë të tilla «delikate» si historia jonë bashkëkohore, zgjidhja nuk është që të kemi një tekst «të qethur» prej politikës, pa ngjyrë, pa erë, që të ketë marrë aprovimin e nxënësve, të cilët përndryshe rrezikojnë të hidhen në revolta dhe demonstrata, tekste që do të ishin pasoja e ndrydhjes së intelektualit, që i kërkojnë të lutet për falje publike për gabimet që ka bërë, që e censurojnë dhe e heqin nga qarkullimi pa menduar një grimë se ai ka të drejtat e autorit.
Zgjidhja do të ishte demokratike. Jo duke kërkuar një tekst “të vërtetë” që të pranohej unanimisht. Asnjë tekst i shkollës sonë nuk është i tillë. As më gjerë se bota jonë e vogël. Por, do të kishim një zgjidhje kur të vendoseshin në qarkullim disa tekste, së paku tre, për këto lëndë më delikate nga pikëpamja interpretuese, dhe pastaj drejtoritë rajonale, drejtoritë e shkollave, mësuesit, vetë nxënësit të zgjidhnin atë që do t’u dukej më i përshtatshmi. Kjo është zgjidhje. Demokratizim nëpërmjet pluralizimit dhe demokracisë institucionale dhe të shkollës, dhe jo te një tekst unanim, pa shije, pa erë, pa ngjyrë, me një fjalë, “i kastruar”.