E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pozicioni i ri i partive të vogla



Në politologji është i njohur fakti se lloji i sistemit elektoral i një vendi ndikon drejtpërdrejt në përkthimin e ndarjeve social-politike si dhe në përfaqësimet partiake në Parlament. Ky raport ndërmjet sistemit dhe nivelit të përfaqësimit ilustrohet deri diku edhe në rastin e Shqipërisë. Themi deri diku, për shkak se ndarjet social politike në Shqipëri akoma nuk janë shumë të kristalizuara dhe në këto kushte është e vështirë të japim një gjykim objektiv për shkallën e përfaqësimit të tyre nga ana e partive politike.

Ndërsa, për sa i përket nivelit të përfaqësimit të partive politike në Parlament, sot kemi një konfigurim të ri si pasojë e ndryshimit të sistemit elektoral. Ajo çfarë të bie në sy, është prania e partive të vogla dhe rëndësia e peshës se tyre në jetën parlamentare dhe ekzekutive. Kjo rëndësi nuk lidhet me faktin e vendeve nga pikëpamja sasiore që kanë arritur të sigurojnë në parlament dhe në qeverisje, pasi këtë privilegj e kanë pasur edhe më përpara pavarësisht llojit të sistemit, por lidhet me aspektin cilësor që kanë këto vende për fatet e Parlamentit dhe qeverisjes. Në këtë këndvështrim, vlen të ndalemi për të analizuar influencat e partive të vogla kryesisht në ekzekutiv dhe më pak në Parlament.

Së pari, partitë e vogla duke u analizuar në një plan krahasimor, vërejmë se kanë kaluar nga niveli i përfaqësimin “de jure” në Parlament, në atë “de facto” në elektoral. Le ta shpjegojmë këtë zhvendosje. Siç dihet, partitë e vogla si PR, PSD, PAD, PSD, PDK, PBDNJ në zgjedhjet parlamentare të 2005-s arritën të siguronin një nivel të kënaqshëm përfaqësimi në Parlament. Ky sukses elektoral nën “optiken” e analistëve u argumentua jo shumë me nivelin e komunikimit me elektoratin dhe strategjitë për ta afruar atë, por më shumë me mënyrën se si u negociua me drejtuesit e partive kryesore, PS – PD, si dhe lehtësirat që krijonte sistemi zgjedhor, në adresë të deformimit të votës. Këto arsye sollën, rritjen e numrit të deputetëve në Parlament, në përpjesëtim të zhdrejtë me mbështetjen e dhënë nga votuesit.

Ndërsa sot, këto fenomene deri diku janë eliminuar, për faktin se rritja e standardeve të zgjedhjeve ka ulur mundësinë për manipulim, si dhe natyra e sistemit (i cili minimizon ndjeshëm fenomenin dushk) i ka detyruar partitë të kuptojnë realisht peshën e tyre elektorale. Këto rrethana kanë krijuar një konfigurim tjetër në Parlament, krahasuar me atë të 2005-s dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, një peshë reale të këtyre partive në tregun elektoral. Pra, për herë të parë këto parti kanë aq vende në Parlament sa numër votash kanë siguruar në zgjedhje.

Së dyti, numri i reduktuar i mandateve nuk ka zbehur influencën e tyre në drejtim të pretendimeve për të qenë pjesë e ekzekutivit, por përkundrazi, ka krijuar mundësitë për të maksimizuar këto pretendime. Aktualisht, në kabinetin qeveritar dhe në Parlament kemi përfaqësues të LSI-së dhe PR-së, që kanë kushtëzuar si ndërtimin e kabinetit qeveritar dhe ndoshta më vonë mund të influencojnë edhe në ecurinë e jetës parlamentare. Ky kushtëzim vjen si rrjedhim i numrave të kufizuara që ka siguruar PD në këto zgjedhje dhe ky moment po shfrytëzohet nga partitë e vogla, të cilat ndryshe nga herët e tjera kanë rritur pretendimet, duke e konvertuar një deputet me një ministër dhe disa zëvendësministra, prefektë, drejtues të niveleve të larta administrative. Sigurisht, kjo arrogancë e partive të vogla në të ardhmen e afërt do të ketë ndikimet e saj qoftë në eficencën e qeverisë, ashtu edhe në luhatjen e ekuilibrave brenda PD-së.

Së treti, përfshirja e partive të vogla në qeverisje ka ndikuar edhe më shumë në stilin e drejtimit të qeverisë. Më konkretisht, në këtë aleancë qeverisëse, Kryeministrit i lind nevoja që ta kushtëzojë vendimmarrjen e tij si nga fraksionet brenda partisë, ashtu dhe me koalicionin me të cilin qeveris. Kjo situatë detyron lidershipin që para çdo iniciative të kalkulojë interesat brenda koalicionit si dhe të parashikojë kostot e këtyre nismave. I gjithë ky proces, deri diku çmitizon “stilin autoritar” si mënyrë drejtimi dhe krijon premisat e një stili drejtimi me natyrë “kolegjiale”, ku sigurisht, menaxhimi i interesave dhe forcave përcaktohen si vendimtare dhe eficente.

Së katërti, partitë e vogla, nisur nga pesha e tyre elektorale, janë të interesuara të analizojnë kostot e qëndrimeve të tyre. Kjo për faktin se çdo teprim në sjellje mund të vështirësojë në njëfarë mënyre ushtrimin e mandatit të kësaj qeverisjeje, si dhe të komprometojë pozicionin e tyre në raport me elektoratin. Në këto rrethana, përllogaritja e numrave dhe lëvizjet pragmatiste, do të shoqërohet edhe me tendenca për të diktuar në axhendën e qeverisë çështje të natyrës ideologjike të premtuara gjatë fushatës nga këto parti. Pra, këto parti do të detyrohen të racionalizojnë jo vetëm veprimet e tyre në funksion të përfaqësimit në Parlament, por edhe të bëjnë pjesë të programit qeverisës kazuse të përfshira në programet e tyre.

Nisur nga çfarë thamë më lart, mund të themi se partitë e vogla kanë minimizuar vendet në Parlament, por në anën tjetër kanë maksimalizuar si nivelin e përfaqësimit të tyre në ekzekutiv, ashtu dhe devijimin e axhendës së qeverisë. Mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim efektet e tjera që mund të sjellë ky pozicion i ri i partive të vogla.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›