Do të ndryshojë mandati i anëtarëve të KLD-së
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka rikonfirmuar domosdoshmërinë e ndërmarrjes së një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë. Gjatë një interviste dhënë për emisionin “60 minuta”, në Tv Koha, Alibeaj tha se piketa kryesore të kësaj reforme do të vendosen nga Ministria e Drejtësisë ndërsa do të konsistojë në reformimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një reformim të pushtetit gjyqësor në tërësi, që do të thotë sistemi i karrierës së gjyqtarëve, mënyra e rekrutimit të tyre, mënyra e shkarkimit të tyre, specializimi i gjykatave. “Ne kemi një mangësi të madhe të specializimit të gjyqtarëve, që gjykojnë një larmi çështjes dhe nuk janë të specializuar në asnjërën prej tyre. Një çështje që është e rëndësishme që unë do të desha ta theksoj është krijimi i kapaciteteve përsa i përket gjykatës administrative kaq e domosdoshme dhe kaq e munguar në sistemin gjyqësor sot. Çdo lloj çështje që ka palë të paditur ose jo shtetin është çështje administrative. Prioritet, përveç kësaj që kam thënë, duke qenë se është një ministri që ka problematika të mëdha, do të ishte procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave, i cili ka njohur ritme përshpejtimi kohët e fundit, procesi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme, këto janë më të rëndësishmet dhe ministria e Drejtësisë nuk ka shfajësim nëse nuk do të arrijë të kryejë gjithçka në favor të qytetarëve” - deklaroi Alibeaj. Sipas ministrit të Drejtësisë sistemi gjyqësor ka vuajtur për shumë kohë dhe kjo për shkak se për shumë kohë politika nuk i ka kushtuar rëndësinë, vëmendjen dhe seriozitetin e duhur për ta rikuperuar këtë sistem. “Problemet në fushën e drejtësisë, në sistemin e gjyqësorit bëhen më të dukshme, bëhen më të prekshme për një fakt të thjeshtë dhe të vetëm. Sistemi gjyqësor është ai që do të zgjidhë të gjitha konfliktet midis individëve. Problemi është që ai i zgjidh i fundit. Që do të thotë që mbas një vendimi gjykate nuk ka më
se ku mund të shkohet dhe kjo e bën prekshme problematikën që prek ky sistem. Kjo e bën më të hapur sistemin, më të prekshme dhe më ndjeshme karshi qytetarëve. Në 17 vjet duhet të ndodheshim në një situatë shumë
më të ndryshme se kjo, më pozitive se kjo. Ritmi i reformimit i kuptuar
në sensin pozitiv të tij nuk ka qenë ai më i lavdërueshmi, por kemi pasur
dhe besoj se ende kemi fatin të mos ndjekim të gjitha etapat dhe hapat procedural të reformës një nga një por të shkojmë në nivele që janë mjaftueshmërisht të pranueshme të themi, duke parë se si funksionon
ky sistem në perëndim apo në vendet më të përparuara” - deklaroi ai. I
pyetur se nga do të fillojë më së pari reforma, Alibeaj tha se gjithçka
do të bazohet tek parimi “shteti mbi të gjitha është edhe ligj edhe besim”.
Sipas tij gjithë ngrehina e shtetit duhet të ngrihet mbi besimin që duhet të ofrojnë institucionet. ”Është kjo çështje besimi që në sistemin gjyqësor, në ngrehinën e tyre vetërregulluese mungon. Sistemi gjyqësor në kushtetutë por edhe në ligjet më periferike është ngritur në mënyrë vetërregulluese, që do
të thotë gjyqtarët janë të pavarur nga ekzekutivi, të pavarur nga legjislativi,
dhe vetë rregullohen nga Këshilli i Lartë Drejtësisë, cili në shumicën e tij përbëhet nga gjyqtarë. Gjyqtarë të cilët duhet të jenë përfaqësuesit realë
dhe të vërtetë të komunitetit të gjyqtarëve. Me keqardhje konstatoj se ky përfaqësim dhe mandatim i anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë
të jetë në performancën më të madhe të kërkuar të këtij komunitetit. Kërkohet një ndërhyrje pozitive për të rregulluar më mirë këtë mandat,
këtë kontratë midis anëtarëve të KLD-së dhe komunitetit që i përzgjedh ata” - deklaroi ministri duke shtuar se politika ka një rol kryesor është
ajo që bën ligjet është vatra ku rrihen dhe prodhohen ligjet, kur themi politika këtu nënkuptohet legjislativi” - konkludoi ai.