E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli vlerëson progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë që do të sjellë ftesën për në NATO

Në kuadër të një vizite zyrtare në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e ambasadorëve të NATO-s, se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të bëhet pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, gjatë Samitit të Bukureshtit, prill 2008. Temat e trajtuara në diskutimet mes ministrit Basha dhe ambasadorëve të vendeve të NATO-s, si me ambasadoren e SHBA-së, Victoria Nuland, Ambasadorin e Kanadasë, Robert McRae, Ambasadorin e Holandës, Herman Schaper, Ambasadorin e Portugalisë, Manuel Pereira dhe Ambasadorin e Danimarkës, Per Poulsen-Hansen, ishin ecuria e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, progresi i reformave në Shqipëri, situata aktuale në rajon dhe veçanërisht në Kosovë. Burime nga Ministria e Jashtme bënë të ditur, se ambasadorët nga ana e tyre, vlerësuan progresin e qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria, veçanërisht gjatë ciklit të 9-të të MAP-it, kontributin e saj në zhvillimet në rajon dhe qëndrimin e matur dhe konstruktiv në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në këtë drejtim ata shprehën besimin se me realizimin e objektivave të programuara, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Ndërkohë, duke u ndalur në zhvillimet më të fundit në Shqipëri në planin politik, ekonomik dhe situatën e brendshme, ministri Basha i informoi ambasadorët mbi masat e marra në kuadër të Plan Veprimit të Anëtarësimit. Ai theksoi se vëmendja e qeverisë shqiptare është fokusuar në drejtim të reformës zgjedhore dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Nga ana e tij, ministri Basha i njohu ambasadorët me veprimet konkrete që qeveria shqiptare po ndërmerr deri në Samitin e Bukureshtit dhe më tej, për të konsoliduar dhe çuar përpara reformat edhe pas marrjes së ftesës. Një vend të veçantë në diskutim ka zënë edhe situata në rajon, në veçanti Kosova dhe sfidat e përbashkëta të aleatëve, para dhe pas shpalljes së statusit. Ministri Basha theksoi angazhimin konstruktiv të Qeverisë shqiptare në këtë fazë përmbyllëse të statusit të Kosovës. Duke diskutuar masat e marra nga NATO për t’iu përgjigjur çdo sfide para dhe pas përcaktimit të statusit, bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë vendimtare që ka angazhimi i plotë dhe i vendosur i trupave të NATO-s në Kosovë për parandalimin dhe frenimin e çdo akti që synon destabilizimin e situatës në Kosovë dhe me gjerë. Gjatë vizitës në Bruksel, ministri Basha mori pjesë edhe në hapjen e foto-ekspozitës promovuese “Shqipëria e parë nga ajri” në selinë e NATO-s. Hapja e kësaj foto-ekspozite është një nga aktivitetet e organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme, në kuadër të promovimit të imazhit të Shqipërisë në NATO dhe BE. Në pritjen e organizuar me këtë rast morën pjesë ambasadorë të vendeve anëtare të NATO-s si dhe zyrtarë të lartë të Aleancës. Në fjalën e tij, përshëndetëse ministri Basha theksoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit dhe vuri në pah vlerat kulturore, historike dhe bukuritë natyrore të vendit tonë. Ai i ftoi të pranishmit të vizitojnë Shqipërinë për t’i prekur këto vlera së afërmi. Ekspozita, e cila zgjoi një interes të madh tek të pranishmit, do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë javës në vijim.
Lamassoure-Bregu: Shqipëria po ecën me hap të sigurtë drejt marrjes së ftesës për në NATO/Ministria e Interimit Euvropian Majlinda Bregu zhvilloi një vizitë pune në Paris, ku është takuar me euro-parlamentari Alain Lamassoure. Euro parlamentari francez ka vlerësuar arritjet e deritanishme në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik të Shqipërisë duke shprehur me bindje të plotë për marrjen e ftesës për anëtarësim të Shqipërisë në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit. Gjithashtu euro parlamentari Lamassoure rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e Francës në të dyja proceset. Gjatë takimit, ai gjithashtu vlerësoi maksimalisht rolin e Shqipërisë si faktor konstruktiv në rajon dhe sidomos në procesin e përcaktimit të statusit final të Kosovës duke qëndruar në koherencë të plotë me atë francez dhe të Unionit. Nga ana e saj, ministrja Bregu theksoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit përbën udhërrëfyesin bazë të procesit të reformave në Shqipëri. Ajo vuri në dukje se ratifikimi i shpejtë i saj konsiderohet si detyrë primare për qeverinë dhe të gjitha institucionet shqiptare, për ta afruar edhe më shumë e më shpejt vendin me BE-në. Njëkohësisht, ministrja Bregu shprehu besimin në mbështetjen franceze për ratifikimin e përshpejtuar të MSA-së në nivelin e Asamblesë Kombëtare. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim në lidhje me perspektivën e anëtarësimit të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke u ndalur në nevojën që kanë vendet e këtij rajoni për një perspektive europiane të prekshme që do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe paqes. Në takim u theksua se arritja e këtij objektivi do të përkthehet, nga ana tjetër, edhe në stabilitet e paqe të qëndrueshme në të gjithë territorin e Bashkimit Europian. Europarlamentari Lamassoure është anëtar i Bashkimit të Lëvizjeve Popullore në Parlamentin Evropian, si dhe anëtar i Zyrës Drejtuese të Partive Popullore Evropiane dhe anëtar i komisioneve të Buxhetit dhe Kushtetutës Evropiane Karriera e z. Lamassoure në Francë ka shënuar kulmet ne vitet 1993-1995 si Ministër për Çështjet Evropiane dhe 1995-1997, si Mbikëqyrës i Përgjithshëm i buxhetit francez dhe njëkohësisht zëdhënës i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›