E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX “gërmon” bagazhet e Thaçit e të 5 ministrave



Kryeministri Hashim Thaçi dhe pesë ministra të tjerë të Qeverisë së Kosovës janë ndeshur me një surprizë të hidhur në Aeroportin e Prishtinës, ndërsa do të niseshin për në Turqi. Ndërkohë që pritej t’u bëhej “respekti”, që zakonisht u bëhet të gjithë njerëzve në pozitat e tyre sociale, ata janë kontrolluar njëlloj si qytetarët e thjeshtë edhe pse në zonën VIP, nuk janë lejuar të hyjnë me makinë deri afër avionit, siç normalisht duhej të ndodhte, dhe valixhet e tyre janë hapur dhe janë kontrolluar me detaje, gjë që nuk ndodh shpesh as me civilët e zakonshëm që udhëtojnë në aeroporte. Surpriza ishte përgatitur nga EULEX-i. Nuk dihet nëse kjo ka lidhje me z. Fatmir Limaj që po udhëtonte me ta, i cili është tashmë në qendër të hetimeve të misionit evropian për korrupsion. Disa ditë më parë, atij iu bastis shtëpia dhe Ministria e Transporteve edhe Telekomunikacionit që drejtohej prej tij pa lajmëruar. Gjithsesi EULEX e ka komentuar kontrollin në doganë si një procedurë ligjore. Politikanëve të lartë të Kosovës, iu desh edhe të ecnin në këmbë disa metra, pasi makina e tyre nuk u lejua të afrohej me avionin, një praktikë e shërbimit të doganave për persona si ata. Dera e zonës VIP, nga ku zakonisht zyrtarët e lartë të Kosovës kalojnë me makinë, u bllokua nga një makinë e shërbimit të doganave të EULEX-it, ndërsa pranë saj qëndronin disa oficerë doganorë. Zyrtarët e EULEX-it nuk kanë dhënë detaje mbi këtë kontroll të pazakontë në aeroport. “Oficerët e doganave të Kosovës dhe EULEX-it, në bashkëpunim me sigurinë e aeroportit, kryen një kontroll valixhesh duke përdorur skanerët dhe rrezet X në zonën VIP të aeroportit të Prishtinës, që është një procedurë ligjore”, tha zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi. Ai nuk specifikoi nëse kontrolli i valixheve ishte zhvilluar me një qëllim të veçantë. Udhëtimi i delegacionit të Kosovës po kryhet vetëm pak ditë pasi një kompani franko-turke ka marrë me koncesion Aeroportin e Prishtinës. Përzgjedhja u pasua me akuza korrupsioni nga disa kompani konkurrente dhe parti opozitare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›